Potenciali turistik i Sarandës është promovuar pasditen e së mërkurës edhe në Prishtinë përmes një panairi të organizuar nga Bashkia e Sarandës dhe Ambasada e Shqipërisë në vendin tonë. Panairi ishte edhe finalizimi i Ditës së Sarandës në Prishtinë që ishte e mbushur me vizita dhe aktivitete të ndryshme.
Kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma tha se qytetarët e Kosovës edhe këtë verë do të tregojnë dashurinë të cilën e kanë për bregdetin shqiptar dhe atë të Sarandës në veçanti.
Gurma: Kosovarët i dhanë jetë turizmit në Sarandë gjatë pandemisë, i ftojmë në Sarandë
“Mirëpres vëllezërit dhe motrat nga Kosova ashtu siç ne ju presim në Sarandë. Në një takim që kishim më herët, dikush më tha me shumë sinqeritet, kryetarë është momentin të na ktheni borxhin, po, është e vërtetë që ne t’ua kthejmë borxhin sepse qytetarët e Kosovës kanë qenë qytetarë që i dhanë jetë dhe frymë turizmit të lënduar përgjatë pandemisë, ishin pushuesit më besnikë dhe jo vetëm për patriotizëm, por sepse ndihen, sepse e duan Sarandën dhe Saranda është gjithmonë e Kosovës” tha Gurma.
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari në një fjalë rasti, u ka bërë thirrje qytetarëve që edhe këtë vit të vizitojnë Sarandën deri sa shtoi se do të rritet bashkëpunimi për të fuqizuar më shumë turizmin në të dy vendet.
Hajdari: I mirëpresim turistët e Sarandës në Prishtinë
“Me shumë dashuri e presim sa më shumë komunikimin e ndërsjellë mes nesh dhe qytetarëve tanë, unë ndihem pjesë e Shqipërisë sepse jam gjaku i Shqipërisë dhe, unë nuk ndjej një dallim, ne jemi një komb, gjaku-gjakun e nuhat dhe, e ardhur nga fshati Tetaj, iu mirëpres në Sarandë e në Prishtinë” deklaroi Hajdari.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pasi ka renditur arsyet pse duhet të vizitohet Saranda, ai ka ftuar edhe sarandjotët që të vijnë në Prishtinë, sidomos për festivalin e njohur tashmë ndërkombëtar “Sunny Hill”.
Rama: Qytetarët e Shqipërisë të vijnë në Prishtinë në festivalin “Sunny Hill”
“Kam menduar që di shumë për Sarandën edhe pse kam frekuentuar plazhet e Sarandës, edhe natyrën, mirëpo edhe për aspektet e kulturës, traditës dhe kulturës e që Saranda i ka të shumta të cilat uroj që të gjithë t’i vizitojnë sepse janë të mrekullueshme, jo vetëm Saranda por edhe rajoni i ka festivalet si ajo i ‘Mandarinave’ i cili është një festival interesant, festival që po ashtu duhet ta vizitoni , dukuritë natyrore si Syri i Kaltër, kështjella të ndryshme, mirëpo dëshiroj t’ju tregoj që Prishtina përkundër që ka mungesë të detit, po ashtu është një vend që duhet të vizitohet nga qytetarët e Sarandës dhe qytetarët e gjithë Shqipërisë” tha Rama.
Në panairin “Saranda në Prishtinë” u prezantuan ekspozitë me fotografi, piktura, objekte arkeologjike dhe kulinari vendase.
Artizani nga Saranda, Dritan Onja, u shpreh i kënaqur me interesimin e kosovarëve për punimet e tij.
Onja: Bashkëpunimi me Kosovarët është shumë i mirë
“Sa e hapëm ekspozitën kishte kërkesa, pyesnin i shisni, apo vetëm për ekspozitë, thash i shesim dhe pothuajse mbaruam. Bashkëpunimi është gjithmonë i mirë, asnjëherë nuk e humbasim bashkëpunimin, unë bëj punime me guaska, me dega me dru, çdo gjë riciklim për momentin jam duke bërë një trëndafil sa bëra edhe qenushin”, tregoi Onja.
Sinan Ahmeti nga Ansambli “Zëri i bylbylit të Sarandës” tha për KosovaPress se kanë ardhur edhe për të treguar vlerat kulturore të të dy vendeve.
Ahmeti: Po i shfaqim vlerat kulturore të të dy vendeve
“Kjo është ditë e Sarandës ne do të shfaqim vlerat kulturore të Sarandës por pse jo edhe gërshetimin dhe vlerat kulturore të Kosovës sepse nuk është hera e parë që vijmë në Kosovë kemi marrë pjesë në shumë festivale” theksoi Ahmeti.
Kjo ceremoni u përmbyll me një valle të përbashkët edhe të politikanëve pjesëmarrës.