Qeveria e re serbe me skeletet e Millosheviçit

October 26, 2022
min lexim

Neojugosllavët e ekzaltuar në Tiranë u qetësuan pas gjashtë muaj pritje të caktimit nga presidenti serb Vuçiç të qeverisë së re neojugosllave pas zgjedhjeve parlamentare të 3 prillit 2022. Në 23 tetor 2022 presidenti Vuçiç shpalli qeverinë e tij të re dhe a e dini se kush do ta sjellë paqen, harmoninë dhe parajsën për neojugosllavët e “Ballkanit të hapur”?

E ka marrë përsipër qeveria e re e Serbisë, që vjen me skeletet e qeverisë së presidentit serb kriminel ndërkombëtar lufte Sllobodan Millosheviç. Ja bijtë që do të zbatojnë programin e babait:

1-Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë ministër i informacionit në qeverinë e Millosheviçit.

2-Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i jashtëm në qeverinë e re, Ivica Daçiç, ka qenë zëdhënës i Millosheviçit.

3-Ministrja e kulturës në qeverinë e re, Maja Gojkoviç, ka qenë zëvendëskryeministre në qeverinë e Millosheviçit.

4- Ish-ministri i brendshëm, fashisti prorus Aleksandër Vulin, që pritet të marrë postin e rëndësishëm qeveritar të drejtorit të përgjithshëm të UDB-së serbe, e cila tani quhet BIA, ka qenë zëdhënës i gruas së Millosheviçit, Mira Markoviç, bashkëautore e programit gjenocidal të bashkëshortit kundër popujve joserbë.

Teksti i betimit të qeverisë së re dhe i ministrave të saj, i shpërndarë në parlamentin e Serbisë në 25 tetor, thotë: ”Unë betohem që do t’i kushtohem mbajtjes së Kosovë-Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.

Gazeta e njohur ruse “Kommersant” në 24 tetor nën titullin “Qeverinë e Serbisë e kthyen në lindje”, thekson:

“Ekspertët rajonalë e quajnë këtë një qeveri proruse. Figurë kyçe e qeverisë së re bëhet Ivica Daçiç, që përveç postit të zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të jashtëm do të jetë edhe koordinatori i gjitha shërbimeve sekrete të Serbisë. Një ekspert i politikës së jashtëme i tha gazetës: ”Qeveria e re do te ketë orientim prorus. Për Daçiçin të gjithë flasin që është lojtar i Moskës, kurse kalimi i Vulinit në BIA don të thotë që shërbimet sekrete ruse do të kenë gjithmonë informacione të freskëta mbi Serbinë”.

Skeletët e qeverisë së Millosheviçit do t’u dhurojnë ballkanistëve të tuafosur endrrën e madhe të “Ballkanit të hapur” si model i ri i ndërtimit të komunizmit allaserb. Skeletët e qeverisë së Millosheviçit pritet të realizojnë me mjete paqësore atë, që nuk e realizuan dot me Millosheviçin në rrugën e luftës kundër popujve joserbë.

Babai i “Ballkanit të hapur”, Vuçiç, që ka qenë ministër i informacionit në qeverinë e Millosheviçit, ka shpallur publikisht me gojën e vet qysh në prill 2017 devizën e “Ballkanit të hapur” si një “rikrijim i Jugosllavisë së vjetër plus Shqipërinë”. Tirana e dehur beson verbërisht te lëkura e qingjit, që vesh presidenti Vuçiç në festivalet e verërave ballkanike.

Nga një burim diplomatik europian vjen për gazetën “Dita” një portret i vjetër dhe i fshehur politik dhe filozofik i presidentit serb Vuçiç, apo më mirë të themi një skelet i fshehur në dollapin e tij të krimeve të luftës.

Në 20 mars 1995 Aleksandër Vuçiç ka mbajtur në Glinë të Kroacisë një fjalim allahitlerian para një mitingu të formacioneve fashiste serbe në territorin e Kroacisë së pushtuar nga trupat serbe. Në këtë fjalim plot urrejtje raciste Vuçiç deklaron para forcave pushtuese serbe:

“Kurrë Krajina serbe, kurrë Glina serbe, nuk do të jenë kroate. Banija nuk do t’i kthehet kurrë Kroacisë. Ju do të jetoni në Serbinë e madhe, në shtetin e unifikuar serb dhe ne nuk do të tërhiqemi nga kjo”.

Presidenti Vuçiç nuk është tërhequr nga kjo “Serbi e Madhe”, që premtoi atëhere, por po aplikon metoda të reja. Pikërisht për këtë strategji ai shpiku doktrinën e “Ballkanit të hapur” dhe doktrinën e “botës serbe” për rivendosjen e  hegjemonisë së Serbisë në Jugosllavinë e re të Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe nga ballkanistët e tredhur në Tiranë dhe në Shkup, që janë dalldisur pas projektit serb dhe pas presidentit serb, shtete serioze si Kroacia me kapacitete vetëplotësuese të memories shtetërore dhe të mbrojtjes shtetërore, i njohin mirë të vërtetat e Serbisë dhe të presidentit serb Vuçiç. Në 25 maj 2022 presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, deklaroi lidhur me fjalimin e mbajtur nga Vuçiçi në territorin e Kroacisë së pushtuar nga forcat ushtarake serbe:

“Fjalimi i Vuçiçit në Glinë në 1995 ishte një akt kriminal, por një vendim politik u muar nga Kroacia për të mos e paditur atë. Vërtet Vuçiç nuk ka vrarë njeri, por retorika e tij në atë kohë u kushtoi shumë njerëzve jetën dhe shpirtin”.

E pashpjegueshme është dashuria me shikim të parë e Tiranës për presidentin serb. Është një fyerje diplomatike dhe kombëtare që në 18 tetor 2022 në mes të Këshillit të Sigurimit të OKB në mbledhjen për diskutimin e veprimtarisë së UNMIK-ut në Kosovë, në kohën që ministri i jashtëm serb po shpifte njëmijë e një të zeza kundër Kosovës, Shqipëria lavdëron Serbinë me termat e dashurisë së vjetër të satelitizmit shqiptar ndaj Beogradit:

“Ne kemi krijuar një mjedis të ri në Ballkanin Perëndimor, ku ne e shohim njeri-tjetrin me shpresë dhe jo me dyshim, ku ne jemi bashkë në projektet e përbashkëta. Kjo është baza e marrëdhënieve të tanishme me Serbinë, ku ne bashkohemi gjithashtu në përpjekjet tona respektive në rrugën e integrimit europian, përfshirë integrimin rajonal nëpërmjet Ballkanit të hapur”.

Asnjë fjalë nga Shqipëria për histerinë luftënxitëse serbe, ku presidenti i Serbisë Vuçiç brenda një viti ka kërcënuar tri herë me luftë Kosovën dhe ka dislokuar forcat ndërhyrëse ushtarake në kufijtë e Kosovës.

Nuk e dimë se kush do t’ia heqë dyllin nga veshët dhe nga mendja qeverisë dhe diplomacisë së Tiranës për të kuptuar se Serbia me “Ballkanin e hapur” po tenton të realizojë premtimin dhe betimin, që Vuçiç bëri solemnisht për “Serbinë e Madhe” para 27 vitesh në territorin e pushtuar kroat.

Në Kroaci Serbisë ia thyen dhëmbët, por fatkeqësisht duhet pranuar se Vuçiç ka patur suksesin që Tirana dhe Shkupi po shkojnë me këmbët e tyre në gojën e ujkut./Dita

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Zakonet nga të cilat duhet të hiqni dorë menjëherë nëse keni mbushur 35 vjeç

Story i radhës

Putin “ka vrarë” mbi 50,000 delfinë në Detin e Zi që nga fillimi i luftës

Të fundit nga

ShkoLartë