Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, Gashi tregon nëse kryeministri ri përkrah ‘Ballkanin e Hapur’ – ja raportet me Qeverinë e Kosovës

min lexim

Ditë më parë, me shumicë votash, 62 pro dhe 46 kundër, parlamenti i Maqedonisë së Veriut e votoi qeverinë e re të vendit, e cila do të drejtohet nga socialdemokrati Dimitar Kovaçevski.

Formimin e kësaj qeveri e mbështeti edhe partia shqiptare Alternativa me kryetarin e saj Afrim Gashi.

Në një intervistë ekskluzive pë gazetën “Bota sot”, kryetari i Partisë Alternativa, Afrim Gashi komentoi situatën politike në Maqedoninë e Veriut.

Fillimisht, Gashi tregoi arsyen e mbështetjes së formimit të qeverisë së re dhe synimet e tij për ngritjen e projektligjeve për të mirën e shqiptarëve.

Krahas kësaj, kryetari i Partisë Alternativa tha se edhe kryeministri i ri do të ecë hapave të Zaevit, duke e mbështetur nismën “Ballkani i Hapur”.

Mirëpo, sipas Gashit ““Open Balkan” ka kuptim vetëm nëse në të përfshihen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. Në të kundërtën, kështu siç është me vetëm këto tri shtete, nuk shoh se ka perspektivë”.

Gjithashtu, ai foli edhe për marrëdhëniet e RMV-së me Kosovën, të cilat i vlerësoi se janë të mira dhe se bashkëpunimi po thellohet.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Si është situata politike në Maqedoninë e Veriut?

Gashi: Situata politike në Maqedoninë e Veriut është, përgjithësisht, stabile. Ne sapo e kemi krijuar një shumicë të re parlamentare, e cila e ka votuar edhe përbërjen e re qeveritare të propozuar nga, tashmë, kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Aktualiteti më i rëndësishëm në Maqedoninë e Veriut është procesi euro-integrues i shtetit tonë në Bashkimin Europian, që – siç e dihet – është i lidhur edhe me procesin që zhvillohet për Shqipërinë. Megjithatë, për shkak të kontestit që Maqedonia e Veriut e ka me Bullgarinë rreth disa temave të historisë, por edhe gjuhës etj., ky proces ka ngecur. Megjithatë, ardhja e qeverisë së re në Sofje dhe votimi i qeverisë së re Shkup po shihen edhe si mundësi për zhbllokimin e këtij ngërçi, në mënyrë që edhe Maqedonia e Veriut, por edhe Shqipëria, të mund të marrë datë për fillimin e negociatave përnderim në BE.

Gazeta “Bota sot”: Së fundmi, është formuar edhe qeveria e re e RMV-së, sa beson se kjo qeveri do të arrijë ta përfundojë mandatin e saj?

Gashi: Në të vërtetë, nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë. Kjo qeveri ka një shumicë të qëndrueshme parlamentare në Kuvend, ka një agjendë të qartë euro-integruese, po bën hapa konkrete në këtë drejtim dhe prandaj nuk shoh arsye që mandat i saj të ndërpritet.

Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu, edhe ju me partinë tuaj, Alternativa jeni bërë pjesë e qeverisë, çfarë ju shtyu të merrni një vendim të tillë?

Afrim Gashi: Këtu më duhet t’ju shpjegoj se para se të vendosnim të bëhemi pjesë e shumicës parlamentar edhe e kësaj qeverie, Alternativa iu bashkua nismës së opozitës për rrëzimin e kësaj qeverie. Megjithatë, në moment të fundit një deputet dështoi dhe raporti mes forcave në Kuvend mbeti 60-60. Kjo ishte bllokade reale e shtetit, sepse le që asnjëra palë nuk kishte shumicë, por as nuk mund të shpalleshin zgjedhje të reja. Prandaj, ne e rishqyrtuam pozicionin tonë. Së pari gjykuam se nuk është mirë që në Shkup të mos ketë qeveri që mund ta zgjidhë kontestin me Sofjen, ndërsa – së dyti – mungesa e qeverisë e rëndonte edhe procesin integrues. Dhe, kjo përveç që u pa si vendim i drejtë shtetëror në Maqedoninë e Veriut, u përshëndet edhe nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, ngase kështu krijuam stabilitet politik, që mund ta zgjidhte problemin me Bullgarinë dhe ta hapte perspektivën integruese për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë. Përveç kësaj, angazhimi ynë në qeveri është përmes një marrëveshjeve mes nesh dhe ish kryeministrit Zoran Zaev, e cila përfshin 9 pika, disa nga të cilat kanë të bëjnë me interesa shtetërore, disa me të drejta të shqiptarëve në këtë shtet, disa me zhvillimin ekonomik të rajoneve të pazhvilluara, veçmas të rajoneve shqiptare, ndërsa një pikë ka të bëjë me monitorimin e proceseve gjyqësore, për të cilat dyshohet se ka pasur implikime politike.

Gazeta “Bota sot”: Pasi jeni pjesë e qeverisë së re, a do të synoni të ngritni rezoluta dhe projektligje në të mirë të komunitetit shqiptar?

Afrim Gashi: Natyrisht, ne jemi aty për t’i përfaqësuar shqiptarët. Këtë e kemi dëshmuar me krejt angazhimin tonë politik. Zaten, nuk ka kuptim tjetër angazhimi politik nëse nuk bëhet për këtë arsye. Sigurisht, tash nga pozita e qeverisë kemi në dorë shumë më tepër mundësi që realisht t’u ndihmojmë të gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë.

Gazeta “Bota sot”: Si keni marrëdhëniet me partitë e tjera shqiptare dhe sa janë të hapura ato për bashkëpunim?

Gashi:Në përgjithësi, kemi relacione shumë të mira me të gjitha subjektet politike në vend, e veçmas me ato shqiptare. Deri tash kemi qenë në koalicion me Aleancën për Shqiptarët dhe kjo ka prodhuar suksese, ndërsa në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia që kjo të përsëritet. Derisa jemi në skenë, ne kemi bashkëpunuar dhe do të vazhdojmë të shfaqim korrektësi edhe më tej në komunikimin dhe bashkëpunimin me partitë shqiptare kur bëhet fjalë për interesa që i tejkalojnë interesat e ngushta grupore, partiake e politike.

Gazeta “Bota sot”: A ka refuzuar ndonjëherë BDI të bashkëpunojë me ju për të mirë të shqiptarëve?

Afrim Gashi:Nuk është se kam mbajtur ndonjë evidencë për këtë, por si shembull të këtillë mund të them se ajo fillimisht ishte kundër propozimit tonë të Ligjit për shtetësi, por me kalimin e kohës reflektoi dhe pastaj edhe ajo e votoi atë ligj.

Gazeta “Bota sot”: Çka fitojnë shqiptarët në Maqedoni, në identitetin e tyre nga veprimtaria juaj politike, çfarë ju premtoni si popull që dikur kishte barazia kushtetuese me sllavomaqedonasit?

Afrim Gashi: Ajo që ne nuk e premtojmë, por e realizojmë drejtpërdrejt është marrëveshja që e kemi arritur me LSDM-në. Përveç kësaj, angazhimi ynë është që sa pak të rinj ta braktisin vendin dhe këtë jemi duke u përpjekur ta bëjmë me krijim të vendeve të reja të punës, me ndihmesën që u jepet të rinjve për të gjetur punë, me udhëzimet dhe kualifikimet profesionale dhe krijimin e mirëqenies së mjaftueshme për jetë dinjitoze në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, sa i përket barazisë kushtetuese, për fat të keq kjo është gati e pamundur. Sepse duhet një presion i jashtëzakonshëm, që të mund të mblidhen 80 vota për ta ndryshuar kushtetutën nëse para kësaj ka vullnet politik për të bërë këtë. Kjo edhe ka qenë kritika jonë ndaj partive që kanë qenë në skenë deri tash – me Marrëveshjen e Ohrit është vulosur statusi i shqiptarëve në RMV dhe do të jetë vështirë që kjo të ndryshojë. Gjithsesi se angazhimi ynë nuk do të pushojë asnjëherë në këtë drejtim.

Gazeta “Bota sot”: Kur shqiptarët nuk do të jenë të diskriminuar në Maqedoni?

Afrim Gashi: Shqiptarët nuk do të jenë të diskriminuar kur ta kuptojnë se kë nuk duhet votuar dhe kë duhet votuar. Derisa kemi parti politike që e ka për mburrje që shqiptarët i ka bërë “bashkësi etnike” (ndërsa statusin e kombit e ka ruajtur për etninë maqedonase), nuk mund të kemi shpresë se mund të ndryshojë gjë. Sidoqoftë, sa më shumë që forcohet pozita e shqiptarëve në institucione, aq më shumë rritet pesha e tyre dhe aq shumë ulet niveli i diskriminimit.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?

Afrim Gashi: Sfidat e shqiptarëve në RMV janë ndërprerja e shpërnguljes, zhvillimi ekonomik, cilësia e arsimit dhe jeta kulturore. Nëse arrijmë të prodhojmë më shumë mirëqenie ekonomike, me çka do ta ndalim shpërnguljen, ndërsa do të kemi edhe arsim cilësor dhe projekte kulturore, ne vërtet mund të emancipohemi për ta arritur statusin e kombit në RMV. Prandaj na duhet më shumë punë dhe më pak fjalë e fare pak patetizëm e folklorizëm.

Gazeta “Bota sot”: Krahas kësaj, si janë raportet me Qeverinë e Kosovës apo partitë politike në Kosovë?

Afrim Gashi: Mendoj se marrëdhëniet e RMV-së me Kosovën janë të mira dhe se ky bashkëpunim po thellohet. Edhe si parti politike, Alternativa kultivon relacione korrekte me gati të gjitha partitë më të rëndësishme të Kosovës, gjithë kjo në frymë të koordinimit të veprimeve që mund ta fuqizojnë bashkëpunimin ndër shqiptar në Ballkan.

Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu, ish-kryeministri Zorat Zaev ka përkrahur iniciativën “Ballkani i Hapur”, në të cilën marrinë pjesë edhe Shqipëria me Serbinë. Tani, a do vazhdojë ta përkrah kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski apo do largohet nga ky projekt, dhe cili është qëndrimi i juaj?

Afrim Gashi: Besoj se edhe kryeministri i ri do të ecë hapave të paraardhësit të tij, duke e mbështetur nismën “Ballkani i Hapur”.

Unë mendoj se asnjë projekt tjetër nuk duhet të jetë zëvendësim për integrimin evropian të rajonit. Por, ashtu siç ka kërkuar i dërguari special i SHBA-së, Escobar, “Open Balkan” ka kuptim vetëm nëse në të përfshihen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. Në të kundërtën, kështu siç është me vetëm këto tri shtete, nuk shoh se ka perspektivë.

Megjithatë, jam i bindur se popujt tanë kanë nevojë të komunikojnë më shumë, të kenë marrëdhënie më të sigurta ekonomike dhe kulturore, andaj ne duhet të gjejmë zgjidhje që mos të jetë historia pengesë e zhvillimit të Ballkanit. Nëse e fokusojmë edhe pak këtë objektiv, do të thosha se pa Kosovën, si shtet i pranuar e sovran, brenda, “Ballkani i Hapur” nuk është “i hapur”.

Gazeta “Bota sot”: Kur do të ketë një regjistrim real dhe të pa manipuluar në Maqedoni?

Afrim Gashi: Regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar në shtator të vitit të kaluar dhe ne po presim të publikohen rezultatet. Ndonëse besimi ndaj institucioneve që e kanë realizuar këtë proces është shumë i luhatur, ne do të presim ta shohim se çfarë do të vijë si rezultat përfundimtar. Shpresojmë që kësaj radhe të gjitha palët të jenë të kënaqura.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pekini regjistron rritje të shkallës së infektimit me koronavirus

Story i radhës

Sela po mendon të tërhiqet, ja kush flitet të jetë lider i ri i ASH-së?

Të fundit nga