Qeveria ende nuk ka gjetur një zgjidhje për pikën e nxehtë ekologjike “Llojan”. As nuk i mbuloi deponitë kancerogjene, as nuk investoi para për t’i asgjësuar ato, as nuk arriti t’i eksportojë ato jashtë vendit gjatë dekadës së fundit me ndihmën e një kompanie të huaj, kështu që tani do ta aktivizojë lokalitetin me ndihmën e një koncesioneri të ri, raporton Sloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.
Disa mijëra banorë të komunës së Likovës, përfshirë këtu edhe 400 fëmijë nga shkolla “Rilindja” në fshatin Llojan që ndjekin mësim në vetëm 100 metra larg deponisë së rrezikshme, edhe këtë vit do të vazhdojnë të jetojnë në një mjedis “të pasur” me antimon dhe arsen.
Praktikisht, për banorët e fshatrave të Likovës dhe shëndetin e tyre është humbur më shumë se një dekadë, nëse dihet se kompania turke “Kaltun Madencilik” e fitoi koncesionin që në vitin 2014. Sipas kontratës kjo kompani do të bënte mbledhjen e antimonit, me detyrimin që ta eksportojë të gjithë deponinë e arsenit toksik jashtë vendit. Por para ndërprerjes së kontratës në vitin 2022 ajo arriti të pastrojë dhe të shesë vetëm 60 nga gjithsej 15.000 ton, që është vetëm 0,4 përqind.
Pasi largimit të kompanisë turke mbetën helmet në tokë dhe ujë, ndërsa tani Qeveria po ngre një “procedurë të re për eksploatimin dhe trajtimin e lëndëve të para minerale teknogjene” në “Llojan”, në kuadër të, siç thonë nga atje, “kompetencave ligjore dhe përcaktimit strategjik të Qeverisë për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore”.
“Bëhet fjalë për një qasje të bazuar në standardet më të larta ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe parimet e ekonomisë qarkulluese, me ç’rast mbetjet teknogjene nga miniera e mëparshme trajtohen si një burim dytësor, e jo si një barrë ekologjike. Në këtë mënyrë paralelisht po zgjidhen sfidat ekologjike të trashëguara për dekada dhe po krijohen kushte për eksploatimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të materialeve ekzistuese”, theksojnë për “Slloboden Peçat” nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para.
Në këtë drejtim nga atje shtojnë se Qeveria ka marrë vendim për formimin e një Komisioni për koncesionin, me çka procedura zyrtarisht hyri në fazën aktive institucionale. Çështja me lokalitetin “Llojan”, siç pretendojnë ata, do të zgjidhet përmes rregullave, kontrolleve dhe detyrimeve të definuara qartë për operatorin e ardhshëm, në interes të mbrojtjes së mjedisit jetësor, shëndetit të qytetarëve dhe zhvillimit lokal.
“Në këtë fazë nuk është përzgjedhur koncesioneri dhe nuk është lidhur kontratë sepse procesi do të zbatohet në përputhje me një procedurë të përcaktuar ligjërisht dhe përmes një Shpalljeje publike, duke i zbatuar parimet e transparencës, konkurrueshmërisë dhe interesit publik”, thanë nga Ministria kompetente, duke shtuar se hapat e mëtejshëm do të jenë “në përputhje me angazhimin e Qeverisë për menaxhim të përgjegjshëm të burimeve minerale dhe harmonizim me politikat e gjelbra evropiane”.
“Llojani“ – “vrasësi i heshtur“
Miniera e kromit, antimonit dhe arsenit “Llojan” u mbyll në vitin 1979. Pastaj, përmes hetimeve të ndryshme vendi hyri në grupin e 16 “pikave të nxehta ekologjike” në Maqedoni. Një studim fizibiliteti i realizuar në vitin 2007, i mbështetur nga Qeveria Çeke dhe UNDP, tregoi se në disa nga lumenjtë lokalë ka ndotje “mesatare” dhe në disa “ekstreme”.
Një përfundim i përgjithshëm në lidhje me “rreziqet e larta ekologjike dhe shëndetësore” për “Llojanin” qëndron edhe në një dokument të vitit 2017 të përpiluar nga një grup hulumtuesish dhe profesorësh nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip dhe Instituti i Mineralogjisë dhe Kristalografisë në Vjenë.
“Disa mostra të ujërave të marra nga puset (dhe në veçanti mostra numër 19 nga fshati Vaksinc) kanë përmbajtje arseni dhe antimoni që janë dukshëm mbi kufijtë e ujit të pijshëm të caktuara nga agjenci të ndryshme rregullatore”, thuhet në studim.
Në vitin 2019 uji në fshat ishte mbi limitin prej 10 mikrogramësh për litër arseni, ndërsa në vitin 2021 edhe në vetë ujësjellësin në shkollën “Rilindja”, por Komuna e Likovës nuk alarmoi, e as Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë. Vetëm u përmendën iniciativa për zëvendësimin e sistemit për furnizim me ujë.
Në të njëjtën kohë hulumtuesit zbuluan arsen dhe antimon mbi kufijtë bazë në mostrat e marra nga toka dhe sedimenti. Në shumë mostra u zbuluan nivele mbi vlerat e “intervente”.
Trajçe Stafillov, hulumtues dhe ish-profesor i kimisë, në disa raste ka shpjeguar se mbetjet kryesore në minierë janë gjysmë milioni ton dhe përmbajnë diku nga 1,5 deri në 2 përqind arsen. Por ajo e kuqe-portokalli përmban 50 përqind arsen shumë toksik që është vendosur në grupin e substancave kancerogjene nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Bashkë me ekipin e kanë hulumtuar dhe e kanë regjistruar arsenin pranë stacionit hekurudhor – ujërat e çojnë atë në lumin Tabanovska, i cili derdhet në lumin Pçinja.
Me të gjitha këto ekspozime organizata “Eko-Svest” lokalitetin e quan një “vrasës të heshtur”.
“Nevojitet zhvendosje urgjente e mbetjeve dhe rikultivim i tokës! Pa një pastrim të sigurt të mbetjeve Qeveria nuk duhet të planifikojë aktivitete të ardhshme për këtë minierë”, theksojnë nga “Eko-Svest”.
Kritika për koncesionerët e deritanishëm, por edhe të ardhshëm
Ekologjistët tashmë për një kohë të gjatë po kritikojnë se koncesionet janë joefektive. Pra, shteti dështon sepse në vend që të gjejë para dhe mënyra të reja për t’i pastruar mbetjet e ish-fabrikave dhe minierave nga Jugosllavia, ai zakonisht angazhon kompani që nxjerrin lëndë të para minerale pa i përmbushur plotësisht detyrimet e tyre për pastrimin e deponive. Nuk ka as edhe një plan të qartë për menaxhimin e zonave të tilla të kontaminuara.
Kritika të reja ka për ndryshimet në Ligjin për Burimet Minerale dhe Ligjin për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat të miratuara nga Kuvendi me një procedurë të përshpejtuar. Organizatat ekologjike janë të mendimit se ato paraqesin rreziqe serioze për mjedisin jetësor, shëndetin publik dhe burimet e Maqedonisë.
“Me ligjin e ri kompania merr leje për nxjerrje të mineraleve përpara se ta blejë tokën tuaj. Ju jeni ende pronari – por ata tashmë kanë filluar me punë. Qeveria vendos vetë se cili mineral është “strategjik” – pa gjyq, pa qytetarë, pa ankesë. Nesër ata mund ta shpallin oborrin tuaj ose kodrën pas shtëpisë tuaj si prioritet shtetëror. Kompania private inicion vetë një projekt minieror- jo shteti, jo interesi publik. Biznesi vetëm tregon se ku dëshiron të fillojë me nxjerrjen, Qeveria nënshkruan. Ligji e anashkalon Ligjin për Ujërat, Ligjin për Mjedisin Jetësor dhe Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës. Kjo është drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën”, reagojnë nga “Garda e Gjelbër Popullore”.
Këtë kohë aktual është edhe ristartimi i minierës së antimonit “Krstov Doll” në afërsi të Kriva Pallankës. Në këtë lokalitet do të operojë “Pela Global Limited”, një kompani në pronësi të një australiani me origjinë nga Maqedonia, Nick Jovanovski, qëllimi kryesor strategjik i të cilit është gjetja e arit, argjendit dhe antimonit në vendin tonë.
Ngjashëm si në Llojan edhe ky lokalitet njihet për praninë e antimonit për të cilin kryeministri Hristijan Mickoski tha se është “një mineral i rrallë, që mund të ketë shumë rëndësi për ekonominë tonë”.
“Do të eksportohet në SHBA. Investitorët më informuan se shkritorja do të ndërtohet në Oklahoma të SHBA-ve, ky është një cikël i plotë. Diçka që është shumë e rëndësishme për Maqedoninë si vend dhe për ne si qytetarë”, tha Mickoski pak kohë më parë.
Nga ana tjetër, nga iniciativa “Qyteti i Gjelbër Human” janë të mendimit se “vatrat e vjetra të nxehta ende po na helmojnë, por po krijohen edhe të reja”.
“Gjatë nxjerrjes dhe dërmimit të antimonit krijohet një pluhur i imët që, nëse thithet mund të shkaktojë pasoja të ndryshme shëndetësore për mushkëritë. Si produkt i nxjerrjes së antimonit, nëse përdoret procesi i flotacionit, krijohen sasi të mëdha të hidrombetjeve që grumbullohen në diga. Nëse diga e hidrombetjeve rrjedh ose shpërthen mund të ndodhë një katastrofë! Në të gjithë botën ka shembuj të një numri të madh ekosistemesh të shkatërruara nga minierat dhe kjo në të shumtën e rasteve ndodh në vende të korruptuara/të varfra si i yni”, reagojnë nga “Qyteti i Gjelbër Human”.
Përndryshe, që nga viti 2021, Portalb.mk dhe Meta.mk vazhdimisht kanë shkruar për problemin e arsenit të shpërndarë në Llojan dhe Tabanoc, që është një nga pikat më të rrezikshme ekologjike në vend. Pavarësisht premtimeve të autoriteteve, problem në terren ende nuk është zgjidhur.
Burimi: lajmpress.org


