Zyra e deputetit të ForzaItalia në Reggio Calabria, Francesco Canizzaro është sulmuar me armë vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Itali.
Sipas mediave vendase, tre të shtëna me armë zjarri u qëlluan në drejtim të zyrës, por për fat të mirë nuk shkaktuan të plagosur, por kapën një billboard dhe një pjesë të mobiljeve.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 dhe në atë kohë, deputeti në largim i Forza Italia dhe kandidat në zgjedhjet e ardhshme të 25 shtatorit, ishte në shoqërinë e bashkëpunëtorëve dhe disa prej zgjedhësve të tij.
Plumbat thyen xhamin dhe mund të kishin goditur edhe të pranishmit. Kanë qenë dy personat që kanë qëlluar me armë, të cilët kanë mbërritur me mototçikletë nëpërmjet rrugës që kalon pranë selisë së këshillit rajonal të Kalabrisë.
Në atë kohë nuk kishte shumë njerëz në rrugë, por policia po shqyrton pamjet nga kamerat e sigurisë për të gjetur autorët e vërtetë të ngjarjes.
Është hera e parë, në fakt, që në Reggio Calabria ka pasur një kërcënim me armë zjarri ndaj një kandidati për deputet. Hetuesit shikojnë si shkak hakmarrjen e mundshme politike, por nuk e kanë rrëzuar hipotezën e një hakmarrjeje të mundshme nga klanet e fuqishme të qytetit.
Francesco Cannizzaro është një figurë politike shumë e spikatur jo vetëm në qytet, por edhe në të gjithë provincën e Reggio.