Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës në stacionin në Leposaviq janë në gjendje të rëndë.
Ai ka thënë se policët të cilët kanë mbetur të bllokuar që nga vendosja e barrikadave në veri, kanë pasur mungesë të ushqimit dhe se nuk kanë mundur t’i ndërrojnë as rrobat e brendshme dhe se gjumin e bëjnë “në disa paketa që janë shtruar në pllaka”.
Qalaj ka thënë se për gjendjen e tyre ka heshtje të institucioneve.
“E kemi një gjendje shumë të rëndë të policëve në stacionin policor në Leposaviç, dhe për çudi Qeveria, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë hesht. Policët flejnë në disa paketa që janë shtruar në pllaka, nuk kanë pasur mundësi që t’i ndërrojnë rrobat, fillimisht kanë pasur probleme edhe me ushqim. Me datën 11 janë furnizuar dhe deri të enjten e kanë hangër”
Ai ka thënë se barrikadat në veri janë të vendosura vetëm për të bllokuar lëvizjen e Policisë së Kosovës, pasi, sipas tij, qytetarët serbë lëvizin lirshëm, madje kalojnë edhe në Serbi. Ai ka thënë se lëvizja i mundësohet edhe KFOR-it edhe EULEX-it.
“Qytetarët serb nuk janë të bllokuar ata lëvizin dhe përmes rrugëve alternative kalojnë në Serbi, po ashtu edhe lëvizin edhe KFOR-i dhe EULEX-i, ndërsa barrikadat janë vetëm për të penguar Policinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Sot është dita e 11 me radhë që disa rrugë në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga kamionët që serbët lokalë kanë vendosur në shenjë proteste.
Krejt kjo pas arrestimit më 10 dhjetor të ish-pjesëtarit të Policisë, Dejan Pantiq, në pikëkalimin kufitar në Jarinje.