Presidenti amerikan, Biden, planifikon të vendosë kufizime të reja në tregti dhe financim në dy territoret pro Moskës, që presidenti Vladimir Putin sot vendosi t’i njohë si të pavarura, shkruan CNN.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se Bideni do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do të “ndalojë investimet, tregtinë dhe financimin e ri nga personat amerikanë në, nga ose në të ashtuquajturat rajone DNR dhe LNR të Ukrainës”.
Urdhri gjithashtu do të lejojë SHBA-në të vendosë sanksione ndaj kujtdo që vepron në ato zona.
Shtëpia e Bardhë shtoi se “së shpejti do të shpallë masa shtesë në lidhje me shkeljen flagrante të sotme të angazhimeve ndërkombëtare të Rusisë”.
“Për të qenë të qartë: këto masa janë të ndara dhe do të ishin shtesë e masave të shpejta dhe të rënda ekonomike që ne kemi përgatitur në koordinim me aleatët dhe partnerët, nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, shkroi në një deklaratë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.