Presidenti rus, Vladimir Putin, ka graduar Ramzan Kadyrov në gjeneral-lejtnant për rolin e tij në pushtimin e Ukrainës, të cilin lideri çeçen po e përdor për të treguar besnikërinë e tij ndaj Moskës dhe mosndëshkimin e tij.
Këtë javë Kadyrov pretendoi se një aleat kyç i lidhur me vrasjen e vitit 2015 të liderit të opozitës ruse, Boris Nemtsov, u plagos duke luftuar në qytetin port të rrethuar të Mariupolit.
Rustam Geremeev u fotografua në spital, ku Kadyrov e vizitoi atë. Videot e mëparshme që lideri çeçen postoi duke e quajtur Geremeev një “vëlla të dashur”, pretendonte se e tregonte atë në vijën e frontit në Mariupol, raporton The Guardian, përcjell Bota sot.
Familja e Nemtsov ka këmbëngulur prej kohësh se Geremeev ishte organizatori i komplotit të vrasjes. Pesë burra çeçenë u shpallën fajtorë për vrasjen në vitin 2017, por gjyqi u denoncua nga të afërmit dhe aleatët si një mbulim që nuk arriti t’i sjellë para drejtësisë ata që qëndronin pas atentatit.
Hetuesit thanë në gjyqin e vitit 2017 se ata vizituan pronën e Geremeev në Çeçeni, por “askush nuk e hapi derën”. Ata gjithashtu emëruan shoferin e Geremeev, Ruslan Mukhudinov, si organizator të vrasjes dhe thanë se ai u ofroi të dyshuarve miliona rubla për vrasjen.
Mukhudinov që atëherë ka ikur dhe hetuesit thanë pas vendimit se rasti kundër tij po vazhdon. Geremeev, i cili është i afërm i dy deputetëve rusë, shërbeu në të njëjtën njësi paraushtarake të sigurisë si Zaur Dadaev, një ish oficer i lartë i dënuar për rastin mbi Nemtsov.
Njësia ka lidhje të ngushta me Kadyrov, megjithëse ai kurrë nuk ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me vrasjen. Paraqitja e Geremeev në vijën e frontit në Mariupol është një shfaqje e forcës së Kadyrov dhe aftësisë së dukshme të aleatëve të tij për të sfiduar ligjin rus.
Megjithatë, videot e shumta të shpërndara nga Kadyrov nuk janë filmuar në vijën e frontit, duke sugjeruar se çeçenët mund të kenë një rol me aq përgjegjësi për propagandën sa edhe për luftimin.
Prania e njerëzve të Kadyrov, të cilët kanë një reputacion për brutalitet ekstrem, ka shumë të ngjarë të synojë po aq në përhapjen e frikës, sa edhe në forcimin e numrit në betejë.
Ata gjithashtu mund të marrin përsipër detyra të tjera, me disa që thuhet se janë caktuar për të patrulluar pas forcave të vijës së parë dhe për të qëlluar dezertorët. Të tjerë janë caktuar në marrjen në pyetje të civilëve në qytet – një specialitet i zymtë i ndjekësve të Kadyrov, të cilët kanë një histori torture dhe abuzimi.
Një komandant i lartë nga një prej rajoneve separatiste lindore të mbështetur nga Rusia, Alexander Khodakovsky, tha në një intervistë se çeçenët nuk pritej të luftonin në vijën e frontit.
Në vend të kësaj, ata u sollën fillimisht për operacione “spastrimi” në territorin e pushtuar nga Rusia rreth Mariupolit. Ai më vonë i kërkoi falje Kadyrovit për komentet që minonin aftësitë ushtarake të luftëtarve të tij.
Për vetë Kadyrovin, pavarësisht nga roli i marrë nga trupat e tij, lufta ka ofruar një shans për të shfaqur angazhimin e tij ndaj Putinit, njeriu mbi të cilin mbështetet autoriteti i tij i njollosur me gjak, duke dërguar trupa.
Për këtë qëllim ai është përpjekur të mobilizojë shoqërinë çeçene pas përpjekjeve të luftës, duke përfshirë rekrutimin në klubet e arteve marciale dhe së fundi hapjen e portave të burgjeve të saj për rekrutuesit e ushtrisë, me një grup që pritet të udhëtojë për të luftuar në Ukrainë me rotacionin e ardhshëm.
Por ai e ka përdorur gjithashtu për të rritur profilin e tij si një luftëtar i pamëshirshëm, me njerëzit e tij që theksojnë besnikërinë e tyre ndaj tij dhe jo ndaj shtetit rus. Ai ka një marrëdhënie të trazuar me degët e shërbimeve ruse të sigurisë.
Këtë javë ai denoncoi bisedimet e paqes edhe pse Rusia premtoi të reduktojë aktivitetin ushtarak rreth kryeqytetit, Kiev. “Ne duhet të përfundojmë atë që kemi filluar”, tha Kadyrov në një deklaratë.