Putin: Armët moderne përbëjnë 91 për qind të treshes bërthamore të Rusisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka bërë të ditur se armët moderne përbëjnë 91 për qind të treshes bërthamore ruse dhe se vazhdon puna për vënien në shërbim të më shumë armëve më të fundit, komente të cilat padyshim në kryeqytetet perëndimore do të konsiderohen si paralajmërim i maskuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim me Bordin e Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, Putin tha se potenciali i të gjitha vendeve të NATO-s po përdoret kundër Rusisë dhe përballë këtij kërcënimi, sipas tij, vendi duhet të mbajë forcat e tij të armatosura në gatishmëri të lartë luftarake.

Putin tha se riarmatosja e Forcave Raketore Strategjike Ruse me sisteme hipersonike “Avangard” vazhdon dhe raketa balistike ndërkontinentale “Sarmat” do të vendoset në shërbim në të ardhmen e afërt.

“Ne do të vazhdojmë të mbajmë gatishmërinë luftarake dhe të përmirësojmë gatishmërinë luftarake të treshes bërthamore. Ky është garantues kryesor i ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit tonë territorial, barazisë strategjike dhe ekuilibrit të përgjithshëm të fuqisë në botë”, theksoi Putin.

Ai tha se nevoja për të përmirësuar mjetet ajrore ruse pa pilot është “detyrë urgjente”, përfshirë ato strategjike dhe zbuluese si dhe metodat e aplikimit të tyre dhe përdorimin e tyre në të gjitha degët e ushtrisë.

“Përvoja e një operacioni special ushtarak ka treguar se përdorimi i dronëve është bërë pothuajse i gjithëpranishëm dhe një arsenal i tillë mjetesh duhet të jetë në skuadra luftarake, toga, kompani dhe batalione. Objektivi duhet të zbulohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe informacioni për goditje duhet të transmetohet në kohë reale”, tha presidenti rus.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, nga ana e tij, akuzoi SHBA-në se po “pompon” Ukrainën me armë, për trajnimin e ushtarëve të saj dhe për sanksione dhe luftë informacioni kundër Rusisë.

Shoygu pretendon se SHBA-ja përdor metoda të ndaluara kundër Rusisë si sulmet terroriste, vrasjet me porosi dhe granatimet e zonave civile me armë të rënda.

Sipas tij, specialistët e NATO-s punojnë në zonën e luftës, satelitë ushtarakë të SHBA-së dhe NATO-s po punojnë në interes të Ukrainës dhe mediat perëndimore publikojnë mijëra lajme të rreme për çdo ditë.

Shefi i mbrojtjes ruse theksoi se vendi i tij është gjithmonë i hapur për bisedime konstruktive për paqen, por siç tha ai, duke marrë parasysh se nuk ka vullnet nga pala tjetër, Rusia do të vazhdojë të arrijë detyrat e saj.

Ai tha se Moska e merr seriozisht kërcënimin bërthamor dhe se forcat e saj strategjike bërthamore kanë trajnuar një përgjigje të një “sulmi bërthamor të armikut”.





Story i mëparshëm

Apple mund të anulojë iPhone “buxhetor”

Story i radhës

Dy sfida interesante në Superligë

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish