Në Kiev, një furrë buke shumë e veçantë dërgon mijëra bukë në javë për ukrainasit në nevojë. E krijuar në vitin 2017, si një projekt gjithëpërfshirës që punëson individë me aftësi të kufizuara, tani furra është përqendruar në misionin për të ushqyer falas ukrainasit në nevojë në vendin e shkatërruar nga agresioni rus.
Mëngjesi është koha më e zhurmshme e ditës, thonë vullnetarët në këtë furrë të vogël në Kiev të quajtur “Bukë e Mirë nga Njerëz të Mirë”. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, kjo furrë ka pjekur më shumë se 120,000 bukë për njerëzit në nevojë.
Ekipi i Zërit të Amerikës në Kiev bisedoi me zotin Dmytro Zarazhevskiy, i cili drejton veprimtarinë e furrës së bukës.
“Tashmë veprojmë në Makariv, Chernihiv, rajonin Donetsk, Kharkiv dhe po zgjerojmë zonat ku dërgojmë bukë për njerëzit në nevojë. Buka nuk është vetëm për të shuar urinë, por është simbol i mbështetjes për njerëzit në nevojë”.
Furra e bukës e filloi veprimtarinë në vitin 2017 si një projekt gjithëpërfshirës që punëson individë me aftësi të kufizuara mendore. 27 vjeçarja Kateryna Kovalchuk thotë se aty ka gjetur një vend pune dhe mbështetje miqësore.
“Punoj këtu që nga 2 marsi i vitit 2020. Nëse e di mirë punën, nuk ka asgjë të vështirë”.
Ish ushtari amerikan Patrick Longfield, i martuar me një ukrainase në vitin 2017 dhe banues në atë zonë, ka dalë vullnetar në këtë furrë buke pavarësisht se nuk kishte asnjë lloj eksperience.
“Kam luftuar më parë si ushtar për amerikanët, një punë shumë e vështirë dhe e rrezikshme. Tani nuk jam aq i ri. Por doja ta ndihmoja vendin në një farë mënyre, kështu që vendosa të dal vullnetar”.
Ky furgon me ngjyra të shumta është i mirëpritur për njerëzit në zonat më të goditura të Ukrainës.
“Tani nuk kemi dyqane dhe është shumë e kushtueshme vajtja në qytet për të marrë bukën”, thotë një banore.
Vladyslav Malashchenko, pronar i furrës, shpesh shoqëron vullnetarët ndërsa shpërndajnë bukën dhe bisedon me njerëzit në nevojë.
“Sot sollëm 600 bukë. Gjyma e tyre u shpërnda sot dhe pjesa tjetër do të shpërndahet nesër nga vullnetarët vendas. Do të kthehemi përsëri këtu javën që vjen”.
Ai thotë se buka e shpërndarë është falas dhe se furra ekziston falë dhurimeve. Njerëzit dhurojnë para, miell dhe përbërës të tjerë. Me një kosto prej 13 mijë dollarësh në muaj, furra e bukës furnizon falas rreth 12 mijë vetë./VOA