“Pushtimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore”/ Paralajmërohen sanksione të pashembullta dhe të rënda për Putinin nëse Rusia pushton Ukrainën

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se do të konsideronte ndërmarrjen e sanksioneve personale ndaj Vladimir Putinit nëse Rusia pushton Ukrainën, shkruan BBC transmeton “Bota sot” .

Zoti Biden tha se do të kishte “pasoja të mëdha” për botën nëse Rusia bën një lëvizje ndaj kombit, i cili ndodhet në kufirin e saj jugperëndimor.

Komentet e tij erdhën pasi udhëheqës të tjerë perëndimorë përsëritën paralajmërimet se Rusia do të paguante një çmim të rëndë për pushtimin.

Rusia ka akuzuar SHBA-në dhe të tjerët për “përshkallëzimin e tensioneve” mbi këtë çështje dhe mohon planifikimin për të hyrë në Ukrainë.

Megjithatë, Moska ka vendosur rreth 100,000 ushtarë pranë kufirit.

Kremlini ka thënë se e sheh aleancën ushtarake perëndimore NATO-n si një kërcënim sigurie dhe po kërkon garanci ligjore që nuk do të shtojë anëtarë të rinj më në lindje, duke përfshirë Ukrainën fqinje. Por SHBA ka thënë se çështja në lojë është agresioni rus, jo zgjerimi i NATO-s.

Frika e pushtimit ka bërë që ambasadat perëndimore në Kiev të tërheqin një pjesë të personelit.

“Pushtimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore”

I pyetur nga gazetarët të martën, Biden u përgjigj “po” kur u pyet nëse ai mund ta shihte veten duke vendosur sanksione ndaj presidentit rus personalisht në rast të një pushtimi.

Një lëvizje e tillë përtej kufirit të Ukrainës do të nënkuptonte “pasoja të mëdha në mbarë botën” dhe mund të përbënte “pushtimin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai, transmeton “Bota sot”.

Në të kaluarën, SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj liderëve të huaj, duke përfshirë presidentin sirian Bashar al-Assad, Nicolás Maduro të Venezuelës dhe ish-udhëheqësin libian Muammar Gaddafi. Masat përfshinin bllokimin e pronave dhe transaksioneve që lidhen me vendet përkatëse të liderëve.

Zoti Biden shtoi se ai do të ndihej i detyruar të rriste praninë e NATO-s në Evropën Lindore nëse Rusia bwn pushtimin.

“Duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë arsye që askush, asnjë anëtar i NATO-s, të shqetësohet nëse… NATO do t’i dalë në mbrojtje,” tha ai.

Por ai përsëriti se nuk kishte plane për të dërguar trupa amerikane në Ukrainë.

Të mërkurën, Ministrja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, u bëri jehonë fjalëve të zotit Biden, duke i thënë transmetuesit Sky News se qeveria “nuk po përjashton asgjë” – përfshirë sanksionet kundër liderit rus.

Rusia iu përgjigj me zemërim komenteve të zotit Biden dhe akuzoi SHBA-në dhe NATO-n se “përmbytën” Ukrainën me armë dhe këshilltarë perëndimorë.

“Nuk ka asnjë shpjegim për atë që flota amerikane po bën pranë bregdetit rus”, tha në një deklaratë Misioni i Përhershëm i Moskës në Kombet e Bashkuara.

SHBA ka vënë tashmë 8,500 trupa të gatshme luftarake në gatishmëri për t’u vendosur në një njoftim të shkurtër – pjesërisht për të ndihmuar në përforcimin e aleatëve të NATO-s – gjë që Rusia tha se i shkaktoi “shqetësim të madh”.

Uashingtoni ka paralajmëruar gjithashtu aleatin rus Bjellorusinë se do të “përballej me një përgjigje të shpejtë dhe vendimtare” nëse ndihmon në një pushtim.

Sanksione ‘të pashembullta’ dhe ‘të rënda’

Gjatë bisedimeve të krizës të hënën, fuqitë perëndimore ranë dakord për sanksione “të pashembullta” kundër Rusisë nëse ajo do të pushtonte.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha të martën se aleatët perëndimorë do t’i përgjigjen çdo inkursioni me sanksione “të rënda” ekonomike, duke shtuar se Britania ishte e përgatitur të vendoste trupa për të mbrojtur aleatët e NATO-s në rajon.

Ai ngriti çështjen e ndalimit të Rusisë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare Swift, një veprim ky që zyrtarët e lartë rusë thanë se do të thoshte se Evropa nuk do të ishte në gjendje të paguante dhe të merrte produktet ruse.

Presidenti francez Emmanuel Macron ndërkohë tha se dialogu me Moskën do të vazhdojë.

Ai tha se do të fliste me telefon me Putinin të premten, dhe do të kërkonte sqarime rreth synimeve të Rusisë ndaj Ukrainës.

Më vete, administrata e zotit Biden tha se po punonte me furnizuesit e naftës dhe gazit në mbarë botën për të rritur dërgesat në Evropë në rast se Rusia ndërpret furnizimet, raporton New York Times.

Rusia aktualisht siguron rreth një të tretën e naftës bruto dhe gazit të importuar nga Bashkimi Evropian.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përpoq të qetësonte kombin e tij në një fjalim televiziv të martën.

“Nuk ka syze ngjyrë rozë, nuk ka iluzione fëminore, gjithçka nuk është e thjeshtë… Por ka shpresë”, tha ai. “Mbroni trupin tuaj nga viruset, trurin tuaj nga gënjeshtra, zemrën tuaj nga paniku”.

Ai tha se po punonte për të organizuar një takim me krerët e Francës, Gjermanisë dhe Rusisë.

Rusia pushtoi territorin ukrainas më parë, kur aneksoi Krimenë në vitin 2014. Pasi forcat ruse morën kontrollin, Krimea votoi për t’u bashkuar me Rusinë në një referendum që Perëndimi dhe Ukraina e konsideruan të paligjshëm.

Rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë gjithashtu zona të Ukrainës lindore pranë kufijve të Rusisë. Ai konflikt ka kushtuar rreth 14,000 jetë, me një marrëveshje paqeje të vitit 2015 shumë larg realizimit.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Vazhdojnë kontrollet në trafik, ja sa gjoba ka vetëm në Shkup

Story i radhës

Përparësitë e çifteve që zgjedhin të jetojnë në shtëpi të ndryshme

Të fundit nga