Punëtorët e Maqedonisë së Veriut më produktivët në rajon

November 3, 2022
min lexim

Një raport i ri nga një kompani analitike ndërkombëtare thotë se punëtorët në Maqedoninë e Veriut kanë treguar angazhim dhe produktivitet të ulët në vendin e punës krahasuar me vendet e botës. Por, Maqedonia e Veriut është përpara të gjitha vendeve të rajonit dhe është ngritur në tri vendet e para për sa i përket listës së Evropës.

Raporti i kompanisë Gallup për bilancin global të fuqisë punëtore është publikuar në tetor të këtij viti. Sindikatat e punëtorëve në Maqedoninë e Veriut thonë se punëtorët nuk angazhohen maksimalisht pasi nuk ndihen të motivuar.

Nga ana tjetër, punëdhënësit thonë se punëtorët nuk kanë aftësitë e domosdoshme, të cilat kërkohen në vendet e punës. Në bazë të hulumtimit që ka realizuar Gallup, angazhimi i punëtorëve në vendet e punës matet me angazhimin dhe entuziazmin e punëtorëve për realizimin e obligimeve në bazë të kontratës së punës.

Sipas këtij raporti, në nivel global, vetëm 21 për qind e punonjësve ndihen të angazhuar në punën e tyre.

Në Amerikën e Veriut, numri është pak më i lartë, duke shkuar në 33 për qind, ndërsa mesatarja e vendeve të Evropës është dyfish më e ulët, 14 për qind.

Për angazhimin e punëtorëve në vendet e punës, Maqedonia e Veriut është notuar me 25 për qind, duke dalë e para para në Ballkanin Perëndimor, e pasuar nga Kosova me 24 për qind, Shqipëria me 23 për qind, Bullgaria me 21 për qind e Serbia me 17 për qind.

Kjo përqindje, edhe pse është mbi mesataren e vendeve të Evropës, nuk është për lëvdatë, thonë punëdhënësit pasi Maqedonia e Veriut nën nivelin e rangut botëror.

Në bazë të të dhënave të analizës së Gallup-it, për sa i përket cilësisë së jetesës së të punësuarve, Maqedonia e Veriut radhitet në tri vendet e fundit të Evropës. Aty theksohet se punëtorët në Maqedoninë e Veriut “tregojnë pak përkushtim për vendet e tyre të punës”.

Pse nuk angazhohen në maksimum punëtorët në vendin e punës?

Vera, e cila është e punësuar në një institucion shtetëror në Maqedoninë e Veriut, thotë se entuziazmi i saj për të dhënë maksimumin në vendin e punës është shuar në momentin kur ka parë se kolegët e saj, me të cilët ka punuar, janë angazhuar shumë më pak me realizimin e obligimeve, por të njëjtit kanë marrë po të njëjtën pagë si edhe ajo.

“Në fillim asgjë nuk më pengonte. Pothuajse tërë ditën vetëm unë punoja në zyrë dhe i merrja përsipër dhe obligimet e kolegëve të tjerë. Por, pas një kohe kur pashë se kjo nuk vlerësohet e paga mbetej e njëjtë, nuk u ngrita në detyrë apo nuk kisha asnjë motivim për punën e bërë, në atë moment ndërpreva të jepja maksimumin. Tani shoh ta kaloj ditën me sa më pak obligime”, thotë Vera.

Punëdhënësit thonë se nuk janë të befasuar nga përqindja e ulët angazhimit të punëtorëve në vendin e punës krahasuar në nivelin botëror.

Mile Boshkov nga Konfederata e Punëdhënësve të Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo ka të bëjë nivelin e ulët të shkathtësive profesionale, me të cilat disponojnë punëtorët, mungesën e etikës, si dhe vlerësimin joadekuat të punës së kryer.

“Kemi problem me arsimimin, përkatësisht shkathtësitë që fitojnë të rinjtë gjatë shkollimit, të cilat nuk arrijnë t’i zbatojnë në praktikë. Pastaj, problem madhor mbetet etika e punës, respektimi i vendit të punës”, thotë Boshkov.

Ai thekson se hise në nivelin e ulët të produktivitetit, ka mungesa e transparencës se cilat saktësisht janë detyrimet e punëtorëve në vendin e caktuar të punës dhe sa ata do të mund të përfitojnë si pagesë shtesë jashtë rrogës së përcaktuar në kontratë për çdo angazhim plotësues.

Problem më vete, thotë Boshkov, mbetet dhe tendenca për t’u punësuar në administratën e shtetit, me bindjen se atje punohet më pak dhe punëtorët paguhen shumë më shumë dhe se askush s’bart përgjegjësi për këtë.

“Këtu, zakonisht, njerëzit angazhohen në punë se duhet të punojnë diçka, por jo që të arrijnë deri te qëllimet e caktuara përmes punës që bëjnë, apo të bëjnë ndonjë ndryshim në vendin ku punojnë, për të lënë gjurmë. Aq më pak mendojnë se si të avancohen në detyrë”, thotë Boshkov.

Por, Tërpe Deanovski nga Sindikata e Punëtorëve të Administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve, nuk pajtohet me faktin se të punësuarit në administratë janë më pak angazhuar.

Deanovski thekson se në ligjet ekzistuese që rregullojnë punën e stafit në administratë, ka më shumë mekanizma përmes të cilëve bëhet vlerësimi i punës së të punësuarve në administratë.

“Punëdhënësit kanë mundësi të dënojnë të punësuarit nëse ata nuk i kryejnë obligimet e përcaktuara në bazë të kontratës. Nëse i shihni raportet për evoluimin e punës së administratorëve, do të vëreni nota shumë të larta, që do të thotë se të punësuarit në këtë sektor janë të ndërgjegjshëm gjatë kryerjes së obligimeve të përcaktuara në kontratë”, thotë Deanovski.

Megjithatë, ai pranon se edhe kur konstatohet mungesë e angazhimit të administratorëve, shumë pak dënime shqiptohen nga ana e drejtuesve të institucioneve të shtetit për shkak të lidhjeve subjektive që krijojnë me të punësuarit, po dhe frikës nga penalizimi në zgjedhje.

Sektori privat ankohet për mungesë të kuadrit profesional

Menderes Kuçi, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, i cili menaxhon një kompani për ndërtim, thotë se duhet përmirësuar qasja e punëdhënësit ndaj punëtorit dhe anasjelltas.

“Në Maqedoninë e Veriut punëtorët shohin se si të angazhohen sa më pak që është e mundur dhe të marrin pagë më të lartë, ndërkohë që pronarët shikojnë se si t’i paguajnë punëtorët sa më pak që është e mundur dhe nga ana tjetër maksimalisht të shfrytëzojnë angazhimin e tyre. Të humbur dalin që të dyja palët, pra kemi punëtorë që nuk paguhen sa duhet dhe pronarë që s’arrijnë t’i realizojnë në kohë objektivat e caktuar”, vlerëson Kuçi.

Ai thotë se duhet investuar në profesionalizimin e forcës punëtore për të rritur angazhimin e tyre në vendin e punës, pasi siç thekson, “nëse punonjësit nuk i dinë mirë përgjegjësitë e tyre, ata nuk do të angazhohen”.

Ai po ashtu thotë se angazhimi i punëtorëve do të rritej në momentin kur paga e punëtorëve do të ndërlidhet me vlerën që ata i ofrojnë kompanisë dhe jo vëllimit të punës që bëjnë.

Ndërkohë, sindikatat e punëtorëve thonë se kompanitë, qofshin ata private apo publike, fillimisht duhet t’i trajnojnë drejtuesit e tyre, në mënyrë që të ndërtojnë një rol aktiv të përfshirjes me punonjësit e tyre, ku theksi do të vihet jo vetëm në monitorimin e vëllimit të punës që realizojnë punonjësit, por edhe progresin profesional të tyre.

Burimi: portalb.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Historiani Bar-Zohar shpreh mirënjohjen për shpëtimin e hebrenjve bullgarë

Story i radhës

Nga Pogba te Haaland, yjet që nuk do të shkojnë në Katar

Të fundit nga

ShkoLartë