31 dhjetor – Qeveria është pushteti ekzekutiv që duhet ekzekutoj ligjet që burojnë nga pushteti legjislativ, gjegjësisht Kuvendi. Përbërja aktuale e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është votuar në Kuvend më 16 janar të vitit 2022 me 62 vota “pro” dhe 46 “kundër”, pasi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski e fitoi mandatin për përbërje të Qeverisë nga Presidenti Stevo Pendarovski. Fillimi i vitit 2022 u shoqërua me fillim të një qeverisjeje të re, me një kryeministër të ri, që përgjatë gjithë vitit ka pasur ngjarje nga më të ndryshmet, një revoltë të pashembullt të të gjitha sindikatave, krizë ekonomike, rritje e çmimeve që vështirësoi edhe më shumë jetën e qytetarëve. Raste korrupsioni të zyrtarëve qeveritarë, kufitarë e të tjerë. Kontesti i hapur me Bullgarinë, formimi i Komisionit Historik, e gjëra të tjera kanë qenë punët që e kanë shoqëruar këtë qeveri përgjatë këtij viti.Ajo që ishte si ngjarje e vendit në konotacion pozitiv ishte mbledhja e përbashkët qeveritare në Bruksel me çka zyrtarisht u hapen negociatat për anëtarësim në BE. Pa çka se kjo hapi edhe një sfidë të re vendit për të filluar negociatat. Investimet e huaja në vend vazhdojnë të mbesin në sirtarin e pritjeve të gjata, shkruan Zhurnal.
Retrospektivë e punës së Qeverisë përgjatë vitit 2022-
Në mbledhjen e parë të Qeverisë janë caktuar zëvendëskryeministrat dhe detyrat e tyre, janë emëruar kryetarët dhe anëtarët e komisioneve themelore dhe të posaçme të Qeverisë.
Si ngjarje të rëndësishme të kësaj përbërje qeveritare ka qenë pranimi i Memorandumin për mirëkuptim dhe zhvillim të ndërlidhjes hekurudhore “Shkup-Sofje” me Republikën e Bullgarisë. Në mbledhjen e 10-të të Qeverisë miratohet Propozim-ligji për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit. Gjithashtu Maqedonia e Veriut hyri në Programin “Fiskalis” të BE-së për avancimin e sistemit tatimor.
Ajo që ka qenë si masë shumë e nevojshme në mes të krizës ekonomike ishte ndihma e ofruar kompanive dhe bizneseve të ndryshme për të tejkaluar këtë fazë. Në mbledhjen e 66-të të Qeverisë miratohen marrëveshjet për mbështetje financiare shtetërore për 280 kompani që do të hapin 3700 vende pune.
Ndërkaq, si ngjarje e rëndësisë së veçantë mund të konsiderohet miratimi i konkluzioneve të Kuvendit për zhbllokimin e proceseve integruese evropiane, me çka u miratua propozimi i Presidencës Franceze nga 30 qershor 2022.
Në shkurt Qeveria miratoi masat kundër krizës për uljen e shpenzimeve në sektorin publik, janë iniciuar aktivitetet për përcaktimin e kapaciteteve për akomodim dhe për pranim dhe përkujdesje të organizuar të personave nga Ukraina, pas invazionit rus.
Megjithatë, si ndihmë reale dhe shumë e nevojshme përgjatë këtij viti ka qenë ndihma financiare, që deri diku e ka bërë Qeveria. Janë siguruar 670 milionë euro shtesë për tejkalimin e krizës energjetike. Janë përcaktuar ndryshimet e Ligjit për të drejtë autoriale dhe të drejtat e përafërta.
Ndërkaq, si vendim qeveritar që prek vitin e ardhshëm ka qenë miratimi i buxhetit për vitin 2023. Ku në mbledhjen e 109-të e Qeverisë u përcaktua Propozim-buxheti i plotësuar për vitin 2023. Janë miratuar dy vendime lidhur me Gazsjellësin ndërlidhës me Greqinë, si dhe janë miratuar informacione për themelimin e tre institucioneve të reja kombëtare në fushën e kulturës.
Viti 2022 ishte i zbehtë për nga ana e investimeve-
Qeveria si institucioni kryesor ekzekutues në vend, në kuadër të së cilit funksionojnë ministritë e ndryshme si dhe drejtori që janë përgjegjëse për tërheqjen e investitorëve të jashtëm, nuk kanë rezultuar të suksesshëm në këtë drejtim. Agjencia për Investime të huaja në letargji të thellë.
Tanimë veçse është e qartë se cili është funksioni dhe misioni i kësaj agjencie, por ajo që ende mbetet enigmatike është puna që është dashtë të bëhet nga ky institucion. Mungesa e punëve dhe rezultateve konkrete të bind se kjo agjenci është në letargji.
Kujtojmë që, sipas Bankës Popullore gjatë viteve të fundit në Maqedoninë e Veriut kishte një rënie të madhe për sa i përket investimeve të huaja, ku janë regjistruar minus 14.7 milionë euro. Edhe përkundër faktit që Maqedonia e Veriut është një vend i vogël sërish ofron kushte optimale për investitorët, por ajo që mungon është një strategji e mirëfilltë për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj, por kjo gjë fatkeqësisht nuk po ndodhë.
Maqedonia e Veriut është shtet anëtar i Aleancës më të madhe ushtarake në botë NATO-s, dhe kjo garanton stabilitet dhe siguri për investitorët, vendi ka 14 zona të lira për të investuar kompani të ndryshme duke ju ofruar një kosto të ulët për tokën por edhe për klasën punëtore, por edhe kur janë të pjekura gjitha kushtet dhe mundësit investitorët mungojnë sepse edhe udhëheqësit e institucionin më përgjegjës në këtë rast, Agjencisë për Investime të huaja, mungojnë dhe nuk janë askund.
Deri sa në këtë Agjenci të ketë mungesë përgjegjësie dhe llogaridhënie, nuk do të shtohen investimet e huaja, vetëm sa do të pakësohen, madje edhe këto investime aktive që janë bërë më herët do të tkurren si pasojë e mos koordinimit të duhur për të ofruar ndihmën e nevojshme. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk