Njerëzit mund të mos e shohin gjithmonë njeri-tjetrin sy më sy, dhe mund të ecin me ritme të ndryshme. Por kur flitet për rrahjet e zemrës, ne duket se kemi një tendencë të fortë për t’u sinkronizuar me njëri-tjetrin.
Disa vite më parë, në një studim të destinuar të bënte lajm në Ditën e Shën Valentinit, studiuesit në Universitetin e Kalifornisë Davis, zbuluan se rrahjet e zemrës së të dashuruarve sinkronizoheshin kur ata qëndronin të qetë së bashku në një dhomë ose ballë për ballë në një tavoline.
Kur studiuesit i ngatërruan çiftet, në mënyrë që secili të qëndronte me një të huaj dhe jo me partnerin, rrahjet e zemrës nuk ishin në të njëjtin rritëm. Ai ishte vetëm një nga shumë studime që përpiqen të kuptojnë se si sinkronizohen rrahjet e zemrës së njeriut.
Studimet e fundit kanë zbuluar se edhe zemrat e çifteve që takoheshin pa e parë njeri-tjetrin, ritmonin njëlloj.Dhe ky efekt nuk kufizohet vetëm tek partnerët romantikë. Sipas një studimit të fundit, edhe rrahjet e zemrës së një njeriu të huaj mund të sinkronizohen kur ai përfshihet emocionalisht në të njëjtën histori.
Ose sipas një studimi tjetër, kur dy të huaj i besojnë njëri-tjetrit. Në një studim tjetër, u zbulua se zemrat e nënave dhe foshnjave të tyre, rrahin njëlloj kur nënat dhe foshnjat luanin së bashku (edhe kur nuk prekeshin fizikisht). Mekanizmat që fshihen pas këtij sinkronizimi janë ende duke u studiuar.
Ka të ngjarë që arsyet, por edhe mekanizmat që do të zbulohen, të ndryshojnë nga situata në situatë, dhe nga çifti në çift. Për shembull, merrni studimin që zbuloi se rrahjet e zemrës së njerëzve sinkronizohen kur dëgjojnë nga afër të njëjtën histori.
Autorët e studimit theksojnë se rrahjet e zemrës së subjekteve, mund të kenë ndryshuar në varësi të përmbajtjes narrative të tregimit, duke i nxitur autorët të spekulojnë se “faktorët e brendshëm të historisë, si semantika dhe emocionet, nxisin një ritëm të sinkronizuar të zemrës”.
Në librin e saj “Shtatë leksione e gjysmë mbi trurin”, Liza Barrett, neuroshkencëtare në Universitetin Veriperëndimor, sugjeron se i gjithë ky sinkronizim është vetëm një pjesë e të qenit një specie shoqërore, dhe një veti shumë e favorshme për ne.
“Kjo sepse ne jetojmë më gjatë në rast se kemi marrëdhënie të ngushta dhe mbështetëse me njerëz të tjerë… Nëse ju dhe partneri juaj mendoni se marrëdhënia juaj është intime dhe e kujdesshme, se jeni të përgjegjshëm ndaj nevojave të njëri-tjetrit, jeta ju duket e lehtë dhe e këndshme, dhe që të dy keni më pak gjasa të sëmureni. Nëse tashmë jeni të sëmurë me një sëmundje serioze, si kanceri apo sëmundjet e zemrës, ka më shumë gjasa të përmirësoheni”– thotë ajo.
Por studimi i shëndetit të një marrëdhënieje, është shumë më i vështirë sesa matja e rrahjeve të zemrës. BrajanOgolski është një psikolog që drejton laboratorin “Healthy ExperiencesAcross Relationship Transitions” (HEART) në Universitetin e Ilinoisit, SHBA.
Ai po kërkon metoda më efektive për të matur cilësinë e marrëdhënieve njerëzore.
“Problemi është nuk ka asnjë njësi matëse objektive të cilësisë së një marrëdhënieje. Gjithçka mbështetet tek vetë-raportimet”– shprehet ai. E megjithatë, Ogolski dhe ekipi i tij e kuptuan se ka diçka që mund të matet:afërsia. Kështu ata kryen një eksperiment. Ogolskidhe ekipi i tij pajisën 10 çifte, të moshës 60 vjeç e lart, me sensorë që gjurmonin sa afër ishin fizikisht me partnerët e tyre gjatë gjithë ditës.
Më pas ata i gjurmuan subjektet për 14 ditë në shtëpitë e tyre. Çdo mbrëmje studiuesit i telefonuan çiftet për t’ibërë një pyetësor standard psikologjik dhe relacional, që kërkonte informacione në lidhje me stresin, cilësinë e marrëdhënies, dhe të dhëna të tjera të vetë-raportuara, në mënyrë që ata të mund të krahasonin të dhënat e vetë-raportuara me afërsinë e çifteve.
Dhe çfarë zbuloi Ogolski dhe ekipi i tij? Siç u pa nga të dhënat, rrahjet e zemrës së çifteve kanë ndikuar tek njëri-tjetri. Ose siç thotë Ogolski, ekziston një “lidhje bazë e marrëdhënieve midis afërsisë dhe ritmit të zemrës”.Atëherë, çfarë do të thotë e gjithë kjo?
Ogolski nuk pretendon se ka përgjigjen, por ai thekson se njerëzit janë krijesa shumë sociale,dhe shumë studime po tregojnë se izolimi social është i dëmshëm për shëndetin. “Ka shumë studime që argumentojnë se lidhja me të tjerët është përvoja themelore njerëzore.
Kjo lidhje fillon që në fëmijërinë e hershme. Më pas, me kalimin e kohës, ne e zhvendosim lidhjen tonë nga prindërit tek bashkëmoshatarët dhe të dashurit tanë. Dhe kështu ekziston një ndjenjë sigurie, një familjaritet që shkakton një lloj reagimi bazë emocional ose fiziologjik”– thekson ai.