Njëri ndër dy faktorët më krucial i cili palës serbe në takimet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, domosdo duhet t’i thuhet, është;
1.), Se, një regjim dhe një shtet i cili ka bërë terror sistematik shtetëror si dhe spastrim etnik, alias gjenocid mbi “popullin e vetë”, siç ka bërë regjimi kriminal i Serbisë ndaj 2 milion shqiptarëve në Kosovë, 1998/99, në kohën kur Kosova ishte nën juridiksionin shtetëror të Serbisë (alias: nën okupim klasik), duke vrarë, masakruar, dëbuar me dhunë si dhe duke shkatërruar dhe djeg çdo gjë shqiptare para vetes, etj., sipas normave të institucioneve humane ndërkombëtare si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, ai regjim dhe ai shtet me automatizëm e humbë çdo të drejtë morale dhe juridike që tutje ta sundojë atë popull dhe atë territor!
Prandaj, intervenimi ushtarak i NATO-s ndaj Serbisë (24 mars – 11 qershor 1999) edhe do ndodhë me moton; pengim e një katastrofe humanitare si dhe ndërprerjen e dhunës dhe masakrave ç’njerëzore të regjimit kriminal të Serbisë ndaj 2 milion civilëve shqiptarë.
Ky intervenim, siç dihet, do ndodhë pa miratimin e ndonjë rezolute të veçantë të KS të OKB-së, pikërisht sepse bëhej fjalë për katastrofë humanitare me elemente të qarta të një gjenocidi etnik.
Ndaj sot, udhëheqësit serbë në krye me neo-fashistin A. Vuçiq, mund të llomotisin sa dhe çfarë të duan, se gjoja me bombardimin e Serbisë nga NATO-ja dhe përzënien e plotë të ushtrisë, policisë dhe administratës shtetërore të saj nga Kosova (marrëveshja e Kumanovës 11 qershor 1999), na qenka shkelur e drejta ndërkombëtare e një shteti sovran, dhe, se Serbisë i është marrë-okupuar një pjesë e territorit të saj, gjithnjë sipas tyre Kosova e shenjtë, etj., akuzë e cila nuk ka asnjë bazë juridike dhe e cila qëndron fare, sepse regjimi kriminal i Serbisë duke masakruar një popull të tërë jo serb, e ka humbur çdo të drejtë morale, politike dhe juridike që të qeverisë me atë popull dhe territor..!
Kjo është esenca dhe e vërteta e “humbjes” së Kosovës për serbët dhe Serbinë, e jo rrenat të cilat çdo ditë A. Vuçiqi po mundohet t’ia fus nën hundë faktorëve ndërkombëtarë, rrena të cilat udhëheqësit e Republikës së Kosovës duhet t’i demantojnë kudo që marrin pjesë në forumet ndërkombëtare si dhe në debatet mediale përmes rrjeteve digjitale në TV-emisione, etj.
Pikërisht, duke u nisur nga fakti se Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë, duke vrarë, masakruar dhe dëbuar mbi 2 milion shqiptarë, statusi juridik i Kosovës, vendosja e saj nën Protektoratin ndërkombëtar të OKB-së si dhe pavarësia e saj me Rezolutën 1244 të KS do karakterizohet si rast “Sui-generis”.
2.) Çka nënkupton termi: Sui-generis ?
Sui-generis (latinisht: lloji i vet), është një term që në kuptimin e mirëfilltë juridik do të thotë; “gjini në vetvete, i llojit vet”, ose “unik” në karakteristikat e tij. Ky term ka dalë nga filozofia skolastike për të treguar një ide, entitet ose realitet, që nuk mund të kategorizohet nën një koncept më të gjerë, përkundrazi formon një klasë-lloj vetëm në vetvete.
Në kuptimin e gjinisë ose species, do të thotë një specie që udhëheq gjininë e vet, për shembull në art, muzikë ose letërsi.
Ndërsa në shkencat juridike, është një term që përdoret për të përshkruar një objekt në klasifikimet ligjore, megjithëse nuk përshtatet në tipologjinë e zakonshme formale sepse është unik në llojin e vet. P. sh. kur kushtet normative dështojnë, avokati e ndihmon veten me kualifikimin si çështje “Sui-generis”. (Josef Isensee: “Kombi evropian, kufijtë e unitetit politik në Evropë”, 2009).
Megjithatë, duhet theksuar se vendosja e një objekti ose fenomeni në kategorinë “Sui-generis” duhet të përdoret vetëm si mjeti i fundit për të përshkruar atë objekt. Përpara se të bëhet kjo, duhet të shterohet mundësia e klasifikimit të objektit në kategoritë ekzistuese, qoftë edhe duke i zgjeruar ato.
Në lidhje me institucionin e Bashkimit Evropian, studiuesit juridik flasin për një strukturë “Sui- generis” në vendimin e saj të Mastrihtit, meqë Gjykata Kushtetuese Federale shqyrtoi statusin e BE-së, dhe për shkak të mungesës së shtetësisë në nivel komunitar, e klasifikoi atë me karakterin “Sui-generis”, me termin e sapoformuar Federatë shtetesh, meqenëse nuk përfaqëson asnjë federatë shtet, dhe as një shtet federatë shtetesh, por një entitet unik sipas të drejtës ndërkombëtare. Termi “Sui-generis” është një shprehje e dalë nga vështirësitë në klasifikimin juridik të Bashkimit Evropian, duke i përdorur kategoritë kushtetuese, të drejtën ndërkombëtare dhe shkencat politike. Në historinë kushtetuese, natyra “Sui- generis” e Bashkimit Evropian shpeshherë është në kontrast me atë të Perandorisë Romake, të cilën filozofi i shekullit të 17-të, Samuel Pufendorf, e përshkroi si “një trup të parregullt dhe monstruoz” juridik..!?
Ekspertët e së drejtës kushtetuese dhe mendimtarët politikë kanë diskutuar gjithashtu, nëse sistemi i qeverisjes në Zvicër, i cili aktualisht është i vetmi në botë që ka një qeveri kolektive, është dashur të cilësohet si tip “Sui-generis”!
Sot, shprehja “Sui-generis” përdoret gjithnjë e më shumë nga shkencat politike dhe politikanët. (Marrë nga WikipediA). Kaq.