Mjaftuan vetëm disa ditë të mbushura me trazira në politikën britanike për të zhytur kryeministren Liz Truss, në një rrugë pa kthim dhe duke e dërguar kështu përfundimisht të japë dorëheqjen e saj këtë të enjten pasdite.
Truss dha dorëheqjen pas një planifikimi të dështuar të buxhetit për uljen e taksave që tronditi tregjet financiare dhe që çoi në një revoltë brenda Partisë së saj Konservatore.
E mërkura dhe e enjtja panë dorëheqje të profilit të lartë në kabinetin e Truss, dhe një rritje të zërave kundër Kryeministres brenda partisë së saj. Charles Walker, një anëtar i Partisë Konservatore shprehu publikisht zemërimin e tij me qeverinë, duke shënuar kështu shenjat e para publike të krisjes brenda konservatorëve, shkruan CNBC.
“Ky është një turp absolut. Unë mendoj se është një rrënim dhe një turp. Më ka ardhur në majë të hundës nga njerëz pa talent që e vendosin shenjën e tyre në kutinë e duhur jo sepse është në interesin kombëtar, por sepse është në interesin e tyre personal”, tha deputeti konservator, Charles Walker për BBC News të mërkurën në mbrëmje.
Por le të shohim se si shkuan gjërat ditët e fundit për Liz Truss në krye të detyrës.
Mesdita e së mërkurës: “Një luftëtare që nuk heq dorë”
Në mesditën e së mërkurës, Truss u përball me ligjvënësit e tjerë në Dhomën e Komunave për herë të parë që nga kthesa e madhe në paketën e saj të diskutueshme fiskale.
I ashtuquajturi “mini-buxheti” i qeverisë më 23 shtator ishte i pari – dhe i fundit – njoftimi i madh fiskal nga ish-ministri i Financave Kwasi Kwarteng, i cili u zëvendësua me nxitim nga Jeremy Hunt pas një reagimi të ashpër ndaj planeve të shpenzimeve.
Truss tha se ajo ishte “një luftëtare dhe jo nga ata që heq dorë” pasi ishte bombarduar me pyetje nga parlamentarët.
Udhëheqësi i Partisë Laburiste të opozitës, Keir Starmer pyeti se si publiku britanik mund të kishte besim tek një lider, “premtimet e të cilit nuk zgjatën një javë“.
Truss më pas kërkoi falje për gabimet e bëra gjatë gjashtë javëve të para në detyrë.
Mbrëmja e së mërkurës: Një dorëheqje dhe akuza
Ministrja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman, u shtua në listën e të larguarve nga qeveria e Truss, pasi ajo dha dorëheqjen pas vetëm 43 ditësh në këtë pozicion – periudha më e shkurtër në këtë rol që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në letrën e saj të dorëheqjes, Braverman tha se ajo dërgoi një dokument zyrtar nga një email personal – duke shkelur rregullat ministrore – dhe se kjo ishte arsyeja e largimit të saj. Por ajo e përdori gjithashtu letrën për të shprehur “shqetësimet e saj për drejtimin e kësaj qeverie“, duke thënë se premtimet kryesore ndaj votuesve ishin thyer.
“Të pretendosh se nuk kemi bërë gabime, të vazhdosh sikur të gjithë nuk mund ta shohin se ne i kemi bërë ato dhe të shpresosh se gjërat do të shkojnë në mënyrë magjike nuk është një politikë serioze. kam bërë një gabim; Unë pranoj përgjegjësinë; Unë jap dorëheqjen”, tha Braverman.
Më vonë të mërkurën në mbrëmje, ligjvënësve iu kërkua të votonin nëse mini-buxheti duhet të ndalohet plotësisht në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë anëtarëve të Partisë Konservatore iu tha se votimi po trajtohej si një “mocion besimi” për qeverinë e Truss.
Anëtarëve iu tha gjithashtu se do të “humbnin pushtetin” nëse votonin për ndalimin e mini-buxhetit. Çuditërisht shumica votoi për të mos ndaluar mini-buxhetin e sugjeruar nga Truss.
Votimi në vetvete ishte kaotik, mes raporteve të anëtarëve që u shprehen se “detyroheshin” për të marrë vendime në favor të konservatorëve.
“Më dukej si bullizim. Është një bullizim që nuk e kam parë që nga shkolla,” tha deputeti laburist Chris Bryant për BBC News.
Kamxhikët e partisë – ato që kanë për detyrë të inkurajojnë anëtarët të votojnë në përputhje me konsensusin e partisë – mund të jenë mjaft bindëse, tha Bryant, por ato zakonisht përdorin “forcën e arsyes, jo forcën e forcës”.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Lindsay Hoyle tha të enjten se ai u kishte kërkuar zyrtarëve “të hetojnë incidentin” dhe të raportojnë përsëri, dhe u kujtoi parlamentarëve që “të trajtojnë njëri-tjetrin me mirësjellje dhe respekt“.
Mëngjesi i së enjtes: Truss ka 12 orë për të ‘ta kthyer anijen’
Mëngjesi i së enjtes, pa deputetë konservatorë duke u përpjekur të shpjegonin ngjarjet e një nate më parë – dhe duke dhënë vlerësime të reja se sa kohë i kishin lënë Truss për të bërë ndryshimin.
Ministrja e Transportit Anne-Marie Trevelyan e përshkroi të mërkurën si një “ditë shumë të trazuar”, duke folur në programin “Breakfast” të BBC-së, por ajo e mbrojti kryeministren.
“Po, Liz Truss është kryeministrja jonë dhe ajo ka besimin e kabinetit,” tha Trevelyan kur u pyet nëse Truss ishte personi i duhur për të udhëhequr qeverinë.
Deputeti konservator Simon Hoare tha se orët e ardhshme do të ishin kritike që Truss të ruante autoritetin e saj. Ai tha se nuk kishte parë kurrë një ndjenjë të tillë pesimizmi në rritje në të gjitha krahët e partisë, duke folur në emisionin “Today” të BBC Radio 4.
“A mund të kthehet anija? Po. Por unë mendoj se ka rreth 12 orë për ta bërë atë, “tha ai, duke përshkruar të enjten dhe të premten si “ditë të vështira” për kryeministren
Të enjten pasdite: Truss jep dorëheqjen
Një numër anëtarësh të Partisë Konservatore kërkuan që Truss të jepte dorëheqjen të enjten, duke përfshirë Miriam Cates dhe Henry Smith, Sky News raportoi se Jill Mortimer u bë deputetja e 15-të që shpalli publikisht mungesën e besimit tek kryeministrja rreth orës 13:00, me orën lokale.
Deri të enjten pasdite, Truss ishte në diskutime urgjente me zyrtarë nga Partia Konservatore, duke përfshirë Graham Brady, i cili është përgjegjës për votat dhe riorganizimet e lidershipit. Më pas ajo foli jashtë “10 Downing Street” në orën 13:30 me orën lokale ku anonçoi dorëheqjen e saj.
“Unë nuk mund ta dorëzoj direkt mandatin me të cilin jam zgjedhur nga Partia Konservatore. Prandaj fillimisht fola me Madhërinë e Ti,j Mbretin për të njoftuar se po jap dorëheqjen si lidere e Partisë Konservatore”, tha Truss në fjalimin e saj të shkurtër të dorëheqjes. Duke e mbyllur kështu postin e saj si kryeministre e Britanisë në vetëm 45 ditë qeverisje dhe duke u bërë kryeministrja më jetëshkurtër në historinë e Britanisë.