Iku 8 Marsi i Grave. Kaloi në heshtje dhe pa Dekorata presidenciale. Asnjë lëvizje, heshtje totale.
Asnjë mirënjohje, çmim, tituj nderi dhe urdhra nuk iu nda ndonjë gruaje për kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e tyre në vistër fushash jetësore, dje dhe sot.
Kjo është një përbuzje dhe injorim ndaj personaliteteve të femrave tona. Është trupëzuese. Kjo nuk u bë as me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Pse? Këtë e di më së miri Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Lind pyetja: A ka personalitete nga radhët e femrave të cilat meritojnë të stolisen me ndonjë nga dekoratat presidenciale? Me siguri se po. Në mesin e atyre që meriton një mirënjohje shtetërore pa dyshim se është Fahrije Hoti, drejtuese e KB “Krusha”, në Krushë të Madhe.
Historia e trishtë e kësaj gruaje krushjane është e njohur botërisht e kthyer edhe në filmin “Zgjoi”,i cili tri herë doli fitues i Festivalit “Sundance” në Amerikë, dhe ishte edhe kandidat për “Oscar 2022”.
Fahrije Hoti është simbol i të gjitha grave në Kosovë. Është zëri i mbijetesës para, gjatë dhe pas lufte bashkë me gratë tjera krushjane.
Kontributi i saj tashmë është i njohur në Kosovë e më gjerë. Fahrije Hoti është gruaja nga e cila erdhi frymëzimi për filmin “Zgjoi”.
Vallë, a nuk mjaftojnë këto pak dhe argumente tjera të shumta që presidentja ta dekorojë Fahrije Hotin me ndonjë mirënjohje shtetërore për sukseset e arritura në angazhimin në forcimin e familjes e të shoqërisë, por edhe të kombit tonë.
Mosmirënjohje është akt ligësie.