Pse Putin përmendi Shqipërinë?! Çfarë fshihet pas “rrufesë ditën për diell” që Presidenti rus lëshoi gjatë telefonatës me Scholz

March 9, 2022
min lexim

Në qarqet diplomatike në Moskë ende nuk i kanë dhënë dot shpjegim rrufesë në ditën për diell që presidenti rus Vladimir Putin lëshoi në drejtim të Shqipërisë në 4 mars. Në bisedën telefonike për luftën në Ukrainë me kancelarin gjerman Olaf Sholc, presidenti i Rusisë i deklaroi kancelarit se “në Ukrainë ne po shohim gjithnjë më shumë mercenarë nga vendet e treta, përfshirë Shqipërinë”.

Menjëherë lindin disa pikëpyetje, të cilave logjika diplomatike e ka të vështirë t’u japë shpjegime. Është vështirë të shpjegosh përse presidenti i Rusisë vendosi t’i ankohet kancelarit gjerman në radhë të parë për Shqipërinë se ka dërguar mercenarë në Ukrainë, në një kohë kur sipas vetë shtypit rus në Ukrainë kanë ardhur mercenarë dhe vullnetarë nga 52 shtete të botës për t’u bashkuar me forcat ukrainase.

Është  vështirë të shpjegosh që presidenti i Rusisë nuk përmendi pesë shtete të NATO-s, disa prej të cilave në kufi me Rusinë dhe të cilat ditët e fundit kanë hequr në parlament ndalimin ligjor për shtetasit e tyre që të shkojnë vullnetarë për të luftuar në  Ukrainë, kurse Shqipëria dhe Kosova e kanë në fuqi ligjin që ndalon shtetasit e tyre të luftojnë në vendet e huaja.

Është vështirë të kuptosh që në kulmin e invazionit ushtarak rus për pushtimin e Ukrainës, të cilin presidenti Putin po e drejton personalisht, dhe kur gjithë shtetet demokratike të BE, të NATO-s, të Europës dhe të botës i janë vënë kundër agresionit rus, kreu i Kremlinit veçon dhe i bie ndërmend të ankohet në radhë të parë për Shqipërinë.

Pra në kohën që atij, siç thotë një shprehje e bukur e Shqipërisë së Mesme “i këndojnë 100 kumri në kokë” nga hallet e papërballueshme të luftës në Ukrainë dhe nga marrëdhëniet e acaruara maksimalisht me Perëndimin, presidenti rus në bisedimet me kancelarin e shtetit më të fuqishëm europian shfaq si shqetësim diplomatik dhe ushtarak Shqipërinë e vogël, që për Rusinë ndodhet në anën tjetër të botës.

Është një enigmë diplomatike të shpjegosh se përse presidenti i Rusisë iu ankua për Shqipërinë kancelarit gjerman, nivel që e bën akuzën më serioze.

Krijon një habi shtetërore pretendimi i presidentit rus për “mercenarët gjithnjë e më shumë nga Shqipëria”, i cili krijon përshtypjen sikur Rusia dhe armata e saj e pafund prej dyqind mijë forcash që po lufton për të pushtuar gjithë Ukrainën, qenkan shqetësuar nga disa mercenarë, që sipas presidentit rus kanë shkuar nga Shqipëria të luftojnë në Ukrainë.

Nëse dikush do të kërkonte një batutë të suksesshme komike mund të thoshte në një auditor se mercenarët nga Shqipëria po ndryshojnë fatet e luftës në sheshin e betejave në Ukrainë dhe presidenti rus si kryekomandant i forcave të armatosura ruse është shqetësuar nga kjo rrethanë.

Përtej disproporcionit diplomatik dhe hiperbolës së mendimit presidencial rus, pretendimi apo ankimi i presidentit Putin te kancelari gjerman se në Ukrainë po sheh gjithnjë e më shumë mercenarë nga Shqipëria, është një zhvillim i cili nuk mund dhe nuk duhet të kalohet me indiferencë në Tiranë nga zyrat qeveritare.

Nuk është ndonjë media ruse që po flet për Shqipërinë, nuk është as zëdhënësja e MPJ të Rusisë, e cila i ka qejf shakatë dhe sarkazmat në konferencat e saj të përjavshme të shtypit në ministrinë e jashtme ruse me shtypin e huaj.

Kemi presidentin rus Vladimir Putin, i cili në një situatë të jashtëzakonshme për shtetin e tij dhe në një nga bisedimet më të rëndësishme me kancelarin e shtetit më të fuqishëm europian, parashtron si ankesë emrin e Shqipërisë.

Vladimir Putin është shtetar serioz, që nuk e njeh familjaritetin publik me shakanë. Ndaj përmendja nga ai e emrit të Shqipërisë në 4 mars në bisedimet me kancelarin gjerman, në kulmin e luftës së armatës së madhe ruse për pushtimin e Ukrainës, nuk duhet parë në Tiranë si vërejtje kalimtare. Nuk duhet harruar që presidenti rus është president i qitjeve të largëta.

Në planin diplomatik dhe strategjik lëvizja e tij në drejtim të Shqipërisë tregon se presidenti Vladimir Putin ka krijuar një çështje artificiale me emrin  “Shqipëria” dhe kjo duhet të krijojë shqetësim dhe reflektim në zyrat qeveritare në Tirane. Lidhur me Ukrainën presidenti Putin nuk i ka në refene as mercenarët nga Shqipëria dhe as mercenarët nga 52 shtete të botës. Pra përmendja e Shqipërisë nga Putini nuk lidhet me Ukrainën sot, por lidhet me Shqipërinë dhe me Ballkanin nesër.

Ndaj nuk mjafton vetëm hedhja poshtë si shpifje e pretendimit të presidentit rus për mercenarët shqiptarë, që gjoja po luftojnë në Ukrainë. Mos harroni se në 18 shkurt 2022 ishte ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, që hodhi i pari pretendimin rus të nivelit të lartë për mercenarë nga Shqipëria në Ukrainë.

Në datën 7 mars qeveria e Rusisë me porosi të presidentit rus Putin hartoi dhe publikoi në faqen e saj zyrtare “government.ru” listën e shteteve armike të Rusisë, ku përfshihet edhe Shqipëria. Moska e klasifikon zyrtarisht Shqipërinë një shtet armiqësor për Rusinë.

Presidenti rus dhe shteti rus kanë krijuar një çështje me emrin “Shqipëria”. Është vërtet artificiale, por kjo ka pak rëndësi, sepse rëndësia dhe shqetësimi buron nga fakti se përse një shtet i fuqishëm si Rusia, me ambicie të pakufishme në Europë dhe në Ballkan, stis një çështje diplomatike të re në drejtim të Shqipërisë.

Dhe jo vetëm e krijon çështjen e re, por duket se ajo është projektuar për zbatim, përderisa shpallet në kulmin e një lufte të ashpër për pushtimin rus të Ukrainës, në kulmin e një fushate kërcënimesh ushtarake ndaj Aleancës Atlantike, të cilat  kulmuan me kërcënimet bërthamore të presidentit rus, dhe në kulmin e një fushate shantazhi ndaj të gjitha shteteve atlantike, europiane dhe perëndimore, që po mbështesin Ukrainën në mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së saj nga agresioni rus.

Tirana duhet ka konsiderojë çështjen “Shqipëria”, të  ngritur nga presidenti rus, si një kërcënim i ardhshëm direkt ndaj Shqipërisë. Tirana duhet të kthjellohet dhe të mos nanuritet me ëndrrat manilloviane se i ka NATO raketat dhe Shqipërisë i duhet vetëm gjumë.

Zyrat qeveritare të Shqipërisë duhet të shkundin nga kokat e tyre iluzionet infatileske se Rusia nuk është vend armik i Shqipërisë dhe i  NATO-s. Le ta lexojnë me vëmendje komunikatën zyrtare të qeverisë ruse në 7 mars me listën e shteteve armike, ku është edhe Shqipëria. Në Tiranë duhet të shikojnë se çfarë i bëri Rusia Ukrainës, një populli vëlla të një race dhe të një feje, dhe me një histori të gjatë të përbashkët, ndaj së cilës brenda 8 vitesh Moska ndërmori dy agresione ushtarake duke i aneksuar territore, dhe të imagjinojnë se çfarë mund t’u bëjnë shteteve si Shqipëria, të cilën Moska historikist ua ka lënë kafshatë aleatëve të saj në Ballkan.

Nuk e di nëse ka ende mendje qeveritare të turbulluara në Tiranë që vazhdojnë të mendojë edhe tani, pas agresionit rus dhe pas raporteve të tanishme më të acaruara se kurrë që nga lufta e ftohtë midis Rusisë dhe NATO-s, si dhe pas shpalljes zyrtare të listës së shteteve armike të Rusisë, që të mendojnë ende se Rusia nuk është armik as i Shqipërisë dhe as i NATO-s, me të cilën Rusia i ka prerë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike qysh në tetor të vitit të kaluar.

Nuk e di nëse ka ende ndikim në radhët e qeverisë ndonjë anëtar qeverie, i cili me mendjelehtësinë diplomatike që të japin pantallonat e shkurtra, afishonte filorusizmin e tij duke deklaruar se Rusia mund të jetë partner strategjik i Shqipërisë.

Presidenti rus Putin e krijoi tani çështjen artificiale “Shqipëria” në funksion të strategjisë për ta përdorur më vonë. Më vonë dontë thotë pas Ukrainës. Është çështje, që Rusia pritet ta përdorë pasi të pushtojë Ukrainën, të vendosë atje një qeveri proruse dhe pasi të realizojë objektivat, që presidenti rus i ka vënë ndërhyrjes masive ushtarake ruse në Ukrainë.

Pra bëhet fjalë për periudhën pasi të mbyllet për Moskën çështja “Ukraina” dhe Rusia do të përurojë serinë e dytë të luftës së saj gjeopolitike kundër NATO-s dhe Perëndimit. Kemi tashmë një përvojë të kodifikuar ruse. Pas agresionit të parë rus në Ukrainë në vitin 2014, të cilin nuk dihet përse disa qarqe diplomatike politike dhe mediatike europiane nuk e përmendin, ndonëse ai agresion rezultoi me aneksimin e Krimesë dhe me shkëputjen faktike të Donjeckut dhe Luganskut, Rusia e zhvendosi qendrën e përplasjes së saj gjeopolitike me Perëndimin në Ballkan.

Kjo zhvendosje e strategjisë gjeopolitike ruse në Ballkan prodhoi ndërhyrjen dhe implikimin  rus në përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi në tetor 2016 për ta penguar atë shtet të anëtarësohej në NATO. Prodhoi ndërhyrjen dhe implikimin rus në përpjekjen për grusht shteti në prill 2017 në Maqedoninë e Veriut për të penguar anëtarësimin e atij shteti në NATO. Prodhoi për herë të parë ndërhyrjet e Rusisë në proceset zgjedhore në  Bullgari, Moldavi, Greqi, Shqipëri, etj.

Në fushatën e parë gjeopolitike antiatlantike dhe antiperëndimore në Ballkan pas agresionit të parë rus në Ukrainë, Moska nuk shpalli zyrtarisht asnjë shtet armik. Tani Moska krijoi listën e shteteve armike  dhe shteti i parë i angazhimit të posaçëm diplomatik të presidentit rus del Shqipëria. Në listën e shteteve armike ndaj Rusisë, që publikoi qeveria ruse në 7 mars, përfshihet edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Rusisë i intereson veçanërisht i ashtuquajturi Ballkan Perëndimor dhe më konkretisht tre shtetet anëtare të NATO-s nga  Ballkani Perëndimor, ku Shqipëria është shteti më i vjetër atlantik, që dikur ka qenë satelit i Moskës dhe ka pasur edhe bazë ushtarako-detare ruse në territorin e saj.

Presidenti rus sinjalizon aktin dhe të drejtën e Rusisë për hakmarrje ndaj Shqipërisë me pretekstin se ajo ka dërguar mercenarë të luftojnë kundër forcave ruse në Ukrainë. Nuk mund të parashikohet se si do të jetë hakmarrja e Rusisë, por e sigurt duket që në strategjinë ruse të ndërhyrjes dhe të tensioneve të reja në  Ballkan pas mbylljes së çështjes “Ukraina”, Shqipëria pritet të jetë një target kryesor.

Presidenti rus nuk është nga ata udhëheqës, që harron apo që fal ato shtete dhe ata popuj, që i kanë shkaktuar inat. Forma të sofistikuara, direkte dhe indirekte, të ndërhyrjes ruse në Shqipëri duhen pritur dhe që do të formësohen në përputhje me strategjinë ruse të goditjes së interesave shtetërore dhe kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Presidenti rus për origjinë, formim dhe profesion është i apasionuar pas operacioneve subversive. Ndaj pas dosjes “Ukraina”, çështja “Shqipëria” mund të shndërrohet në një vale të re intensive të destabilizimit në Shqipëri. Duhet pritur gjithashtu një presion më i fortë rus mbi qeverinë dhe mbi shtetin shqiptar për dobësim lidhjesh me NATO-n dhe me BE-në dhe për forcim të lidhjeve me Serbinë. Moska e din se në planin strategjik një forcim i lidhjeve të Shqipërisë me Serbinë është zbutje dhe afrim i Shqipërisë me Rusinë.

Ndaj Moska e ka mbështetur fort projektin serb të “Ballkanit të hapur” si mekanizëm i distancimit të Ballkanit Perëndimor nga integrimi euroatlantik. Lidhjet ruse të Serbisë, si në planin ekonomik ku Serbia është anëtare e “Unionit Ekonomik Euraziatik” të drejtuar nga Rusia, ashtu dhe në planin ushtarak ku Serbia është vëzhguese në aleancën ushtarake “CSTO” të drejtuar nga Rusia, në një mënyrë ose tjetër do të bëhen qendra të tërheqjes së Ballkanit Perëndimor nga Rusia.

Rusia i ka idiotët e saj të dobishëm në Shqipëri, i ka në qeveri, në diplomaci, në ushtri, në institucionet shtetërore, në qarqet akademike, në mediat shqiptare, në rrjetet sociale, në të ashtuquajturën shoqëri civile, etj. Rusia e di se Tirana, megjithë atlantizmin e saj pompoz, e ka ruajtur në frigorifer Traktatin e saj të Miqësisë me Rusinë të sigluar në vitin 2004, dhe ministri i jashtëm rus Lavrov jo më kot i tha në vitin 2020 Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, një shteti anëtar të NATO-s, se “Traktatin e kemi gati, le ta vemë në veprim”.

Moska e din që i ka dorëzuar Tiranës qysh në vitin 2015 marrëveshjen ruso-shqiptare që të  bashkohet me bazën ushtarako-diversioniste të Rusisë në Nish të Serbisë dhe Tirana nuk  e ka refuzuar zyrtarisht, por e mban në frigoriferin diplomatik. Edhe pasi Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s, edhe pasi Rusia ndërmori agresionin e parë kundër Ukrainës dhe aneksoi Krimenë, ka propozime për partneritet strategjik me Rusinë. Rusia e njeh mirë këtë koniukturë të rrëshqitshme politike shqiptare.

Çështja artificiale “Shqipëria”, që krijoi presidenti Putin, duhet konsideruar sinjal i formave të reja të ndërhyrjes ruse në punët e brendshme të Shqipërisë pas mbylljes së çështjes “Ukraina”. Ndërhyrjet e reja ruse pritet të kenë pasoja të rënda negative për zhvillimin demokratik të Shqipërisë, sepse përbërja politike dhe sociale e partive kryesore shqiptare karakterizohet nga lidhje të vjetra okulte me Serbinë dhe me Rusinë./DITA/

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Zelensky vjen me një deklaratë për Rusinë, ja çfarë kërkon

Story i radhës

Apple rifreskon iPad Air me procesorin M1 dhe teknologjinë 5G

Të fundit nga

ShkoLartë