Pse nuk po e privatizojmë krejt Kosovën?!

Pasnesër, më 17 Shkurt 2022, bëhen 14 vite qëkur kemi shpallur Republikën e Dytë të Kosovës. Republikën e Parë të Kosovës e kemi shpallur më 2 Korrik 1990.

Ku jemi ne dhe ku është Kosova sot?

– Kosova as pas 14 vitesh nga shpallja e Pavarësisë, kurrë nuk u bë shtet normal si shtetet tjera;

– Kosova është vjedhur e shkatërruar, dhe vazhdon të vidhet e shkatërrohet edhe më tej, dhe atë nga vetë ne;

– Populli i saj është varfëruar skajshmërisht dhe vazhdon të varfërohet edhe më tej përderisa politikanët e saj të pangopur e të pashpirtë janë pasuruar e vazhdojnë të pasurohen duke mjelë popullin dhe shtetin “e tyre”;

– Politikanët e korruptuar e shantazhuar, të shitur e të stërshitur, janë në gjendje ta japin krejt Kosovën, vetëm e vetëm për t’i ruajtur karriget dhe pushtetet e tyre të pista;

– Me (mos)punën e tyre, këta politikanë do kthejnë Kosovën nën Serbi edhe një herë;

– Falë politikanëve të tillë, bashkësia ndërkombëtare na ka kthyer shpinën apo po del se na ka mashtruar që në fillim, por ja që ne nuk e kemi kuptuar as atëherë, dhe nuk po e kuptojmë as sot;

– Populli i mjerë ka humbur çdo shpresë. Prandaj, sa më parë po mundohet të ikën nga ky vend i mallkuar, dhe atë sa më larg;

– Pothuajse e tërë pasuria e Kosovës u shit “dushk për gogla”, apo i është falur të huajve, me të cilët kanë bashkëpunuat dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë këta që e kanë udhëhequr dhe po e udhëheqin Kosovën;

– Sot shumica e popullit Shqiptar të Kosovës bën jetë më të vështirë sesa ka bërë dikur, madje edhe gjatë regjimit të Millosheviqit. Jeta e shqiptarëve po rëndohet dhe po bëhet e padurueshme gjithnjë e më shumë. Natyrisht, përjashtim bëjnë familjet e elitave politike antikombëtare dhe ato të cilat kanë dikë në gurbet. Në anën tjetër, pakicat vazhdojnë të trajtohen sikur të kishin mbërritur nga perëndia. Ato gëzojnë privilegje të shumta dhe bëjnë “pikën e sefasë”, kuptohet dëmin dhe kurrizin e popullit shumicë Shqiptar;

– Jeta në Kosovën e varfër është më e shtrenjtë se kudo tjetër në rajon e më gjerë. Përkundër kësaj, pagat këtu janë më ulëta, ndërsa numri i të papunëve është më i larti se në çdo shtet tjetër;

– Nëse vazhdohet kështu, popullit shqiptar të Kosovës do të mund t’i kërkohet tonë shumë shpejt do t’i kërkohet të paguajë qira edhe për shtëpinë e tij, apo të paguajë edhe për ajrin që na ka falë Perëndia;

– Të vetmin “prodhim” me shumicë që ka Kosova janë diplomat dhe doktoraturat të cilat mund të blihen brenda natës, edhe pse ato nuk kanë vlerë jashtë Kosovës;

– Në fund, pasi të huajt “na kanë marrë erë pas qafe”, tallen me ne dhe nuk na respektojnë fare. Jo rastësisht ndërkombëtarët vetëm neve na mbajnë të mbyllur si në kafaz, pa liberalizim vizash, përderisa të gjithë popujt e tjerë të Evropës, ka dekada që i kanë harruar vizat;

– Sikur liderët “tanë” të kishin luftuar kundër Serbisë aq sa kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë kundër njëri-tjetrit, ndryshe do t’i kishim pasur punët;

– Prandaj, pasi tashmë edhe fëmijët tanë e kanë marrë vesh se neve si komb nuk na bie në fije as dreqi; pasi përfundimisht kemi dëshmuar se si popull nuk dimë të bëjmë shtet (Kosova), as të mbajmë shtet (Shqipëria); ose “dimë’” të jemi të mirë vetëm për të huajt, dhe punojmë shumë vetëm nëse një të huaj e kemi mbi kokë, atëherë:

PROPOZOJ…

…që ta shesim krejt Kosovën, ta japim me qira, ose t’ia japim dikujt me koncesion për 99 vjet! Vetëm në këtë mënyrë mund ta shpëtojmë këtë popull dhe këtë vend të tradhtuar e të molisur prej vetë liderëve “tanë” të pangopur, të pamëshirshëm dhe të pashpirtë.

Vetëm duke ia lënë Kosovën në një të huaji të fortë, ne ose do të vetëdijesohemi, ose do të çmendemi përfundimisht. Dhe, vetëm atëherë do ta kuptojmë se shteti është pasuri e përbashkët kombëtare, të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit!

Gjaku i heronjve dhe dëshmorëve të kombit shpaguhet vetëm kur ne të gjallët punojmë për shtetin për të cilin ata kanë dhënë çmimin më të lartë – jetën e tyre!

Askush tjetër përveç vetë neve nuk e ka në dorë ardhmërinë e fëmijëve tanë. Atë mund t’ua sigurojmë atyre dhe brezave të ardhshëm vetëm duke punuar me mund e nderë. Ndryshe, jo!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Vdes një person dhe 14 të tjerë lëndohen nga përplasja e dy trenave

Story i radhës

Sot shënohet përvjetori i 4 i ndarjes nga jeta të Abdilaqim Ademit

Të fundit nga