Pse mungon reagimi ynë ndaj deklaratave të A. Vuçiqit, se Serbia do e pengoë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare?

min lexim

Është për t’u habitur, se si organet shtetërore të Republikës së Kosovës rrallëherë kanë reaguar publikisht ndaj deklaratave fashiste, raciste dhe ofenduese, të cilat kohë pas kohe zyrtarë të Serbisë në krye me presidentin A. Vuçiq, kryeministren Brnabiq si dhe disa ministra, si Vulin, Petkoviq, etj., të cilat çdo ditë i lansojnë në opinion me qëllim që situatën në raport me Kosovën ta mbajnë sa më të tensionuar. Ky mos reagim e shtron patjetër pyetjen; pse organet tona shtetërore heshtin ndaj deklaratave të tilla, kur dihet se të gjitha faktet dhe argumentet politike dhe historike janë në anën tonë, pra në anën shqiptare..!?

Në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe atë diplomatik, këmbimi i deklaratave me fjalor fyes dhe akuza të ndërsjella midis dy ose më shumë shteteve për shkaqe të ndryshme, është pa dyshim, pjesë e lojës politike-diplomatike tek çdo shtet, fjalor ky i cili zënë vend të posaçëm në planin e zbutjes, gjegjësisht të acarimit të konflikt midis dy shteteve, siç është rasti në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Prandaj, reagimi nga ana shtetit i cili atakohet verbalisht nga shteti tjetër, kudo në praktikën diplomatike në botë, është një veprim reciprok dhe i përgatitur mirë, i cili gjithherë futet në përdorim në kohën dhe vendin e duhur, kryesisht si mjet hakmarrës diplomatik; “syri për sy, dhëmbi për dhëmb..”, i cili në vokabularin e ndërsjellë politik përdorët pa ekuivokë deri në masën e ashpërsimit maksimal të akuzave të ndërsjella.

Mjerisht, qeveritë tona në të kaluarën, por edhe kjo e tanishmja, nuk e kanë përdorë asnjëherë si duhet këtë “mekanizëm” diplomatik për t’iu kundërvënë fjalorit shpifës, të rrejshëm, obskurantiv, fyes, propagandues, nënçmues dhe denigrues që Kosovës vazhdimisht i ka ardhur nga funksionarë çetnikë të Serbisë ndaj çdo gjëje shqiptare, sidomos lufta dhe propaganda diplomatike të cilën Beogradi zyrtar vazhdon ta bëjë në rritjen e numrit të shteteve që në vitet e fundit, gjithnjë sipas Beogradit, i kanë tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës!

Pra, mos reagimi adekuat i zyrtarëve shtetërorë të Kosovës ndaj gjithë kësaj fushate poshtëruese, të cilën regjimi fashist i Beogradit vazhdon me ngulm ta ndërmerr kundër Kosovës në krye me presidentin e saj rrenacak dhe antishqiptar, Vuçiq, është vërtetë një veprim i pa kuptueshëm dhe i pa justifikueshëm i qeverisë tonë, kur mirëfilli dihen faktet e pamohueshme, se pavarësia e Kosovës është një akt i pakthyeshëm, të cilin e kanë njohur zyrtarisht fuqitë më të mëdha të botës në krye me SHBA-të, Anglinë, Japoninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Turqinë si dhe qindra shtete tjera, anëtare të OKB-së.

Në konferencën e tij të mbajtur pardje me gazetarë, presidenti serb A. Vuçiqi, pranë rrenave të tij të përditshme për Kosovën, se gjoja serbët në Kosovë na qenkan të rrezikuar nga sulmet e “terroristëve” shqiptarë për t’i detyruar që të shpërngulën nga Kosova, e ku ndër të tjera e përsëriti për të satën herë qëndrimin e tij dhe të Serbisë, se ai dhe ajo kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e “Juzhne srpse pokrajine” (krahinës jugore të Serbisë), përveç se është shantazh i hapur ndaj shtetit të Kosovës, është sulm i pa pranuar për shtetin e Kosovës. Neo-çetniku A. Vuçiq kësaj radhe e shtoi fashizmin e tij duke thënë se Serbia do punoi me gjithë forcën e saj diplomatike që ta pengojë Kosovën që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në Interpol dhe UNSCO, por as të bëhet anëtare e OKB-së. Këtë qëndrim, gjithnjë sipas tij, ua paska thënë hapur presidentit francez, M. Macron dhe kancelarit gjerman, O. Scholz, në takimin e tyre në Prag gjatë samitit inaugurues të Komunitetit Politik Evropian të shteteve anëtare të BE-së si dhe vendeve jo anëtare, ku Kosovën e përfaqësonte presidentja znj. V. Osmani.

Siç thuhet, se “heshtja është miratim”, mendoj se është obligim shtetëror dhe kombëtar që zyrtarët e Kosovës me çdo mjet duhet t’i kundërvihen propagandës së egër hegjemoniste të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, duke reaguar me kundër argumente të gjalla, madje edhe me letra protestuese ta njoftojnë Brukselin zyrtar për qëndrimet destabilizuese të A. Vuçiqit dhe qeverisë së Serbisë ndaj procesit të dialogut, e cila po vazhdon të ngritë tensione të reja në gjithë rajonin e Ballkanit perëndimorë..!?

Story i mëparshëm

Paralajmëron gazetarja zvicerane: Ushtria ukrainase mund të përparojë tutje

Story i radhës

Pse kemi maninë për të veshur gjërat e vjetra?

Të fundit nga