Pse ministrat e Brendshëm të Ramës nuk e çojnë deri në fund mandatin?

July 10, 2023
min lexim

Tre ministra të Brendshëm janë dorëhequr dhe një është shkarkuar gjatë qeverisjes së Edi Ramës në Shqipëri, që prej vitit 2013.

Asnjëri prej tyre nuk ka arritur të çojë deri në fund mandatin në drejtimin e një prej ministrive më të rëndësishme.

Edi Rama është në krye të Qeverisë në Shqipëri tash e dhjetë vjet. Aktualisht, ai është në mandatin e tretë si kryeministër.

Dy ditë më parë, Rama shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe në vend të tij ka propozuar Taulant Ballën, i cili është kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Pasditen e 10 korrikut, presidenti shqiptar, Bajram Begaj, i dekretoi propozimet e kryeministrit Rama për shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Ballës. Dekretet pritet t’i kalojnë Kuvendit për miratim.

Ekspertët e fushës thonë se kjo ministri është konsideruar si “patate e nxehtë”, dhe se gjatë viteve ka pasur zhvillime të cilat kanë trandur vendin dhe kanë ndikuar në paqëndrueshmërinë e këtij institucioni.

Kush ishin dhe pse “shkuan” ministrat e Brendshëm?

Saimir Tahiri është ministri më jetëgjatë në krye të ministrisë së Brendshme në Qeverinë Rama. Megjithatë, ai nuk arriti që ta përmbyllë mandatin katërvjeçar.

Ai u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme më 15 shtator të vitit 2013, kur socialistët u kthyen në pushtet pas tetë vjetësh në opozitë.

Tahiri dha dorëheqjen në mars të vitit 2017, tre muaj para se të mbyllte mandatin dhe të zhvilloheshin zgjedhjet e radhës parlamentare, të caktuara më 25 qershor 2017.

Ai dha dorëheqjen pas akuzave të shumta të opozitës për lidhje me grupe të ndryshme kriminale dhe abuzim me detyrën.

Në atë kohë, shumica parlamentare, (Partia Socialiste) në Këshillin e Mandateve votoi kundër dhënies së autorizimit për arrestimin e Saimir Tahiri. Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit në Shqipëri (SPAK) e akuzonte Tahirin për “përfshirje në trafik droge dhe në grup të strukturuar kriminal” dhe “për shpërdorim detyre”.

Ai u vu në pranga më 4 shkurt të vitit 2022. Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e dënoi Tahirin me pesë vjet burgim.

Me gjykim të shkurtuar, dënimi u ul në tre vjet e katër muaj burgim.

Tahiri u dënua vetëm për veprën “Shpërdorim detyre” duke i “shpëtuar” akuzave për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Më 2 qershor të vitit 2023 ai u lirua me kusht dhe i ka mbetur pa shlyer edhe një vit e tetë muaj burgim.

Akuzat ndaj Tahirit për përfshirje “në trafik droge dhe grup të strukturuar” në media fillimisht i deklaroi ish-oficeri i lartë i policisë, Dritan Zagani. Ai kishte deklaruar për mediat se makina e ministrit ishte përdorur për trafik droge dhe se e gjithë udhëheqja e Ministrisë së Brendshme dhe e Policisë së Shtetit ishte në shërbim të trafikut të drogës.

Saimir Tahiri u pasua në detyrë nga Fatmir Xhafaj. Ai dha dorëheqjen nga ky post pas gati një viti prej emërimit të tij.

Opozita e akuzoi Xhafajn se ka qenë pjesë e ish-sigurimit të shtetit. Më pas, opozita e akuzoi për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, për shkak së sipas subjekteve opozitare, ai favorizoi vëllain e tij për t’i shpëtuar drejtësisë italiane, që e kishte dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge.

Pas publikimit të vendimit të gjykatës italiane nga opozita, Agron Xhafaj pranoi vullnetarisht të ikte në Itali për të vuajtur dënimin e marrë për një rast trafiku të vitit 2002. Dhe menjëherë më pas ministri Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen.

Në krye të Ministrisë së Brendshme, pas largimit të Xhafajt, u emërua gjenerali, Sandër Lleshaj, i cili deri atëherë kishte qenë këshilltar për sigurinë pranë kabinetit Rama. Ai dha dorëheqje vetëm pas dy vjetësh në krye të Ministrisë së Brendshme. Shkak u bënë protestat e shumta, pas ngjarjes që ndodhi mëngjesin e 8 dhjetorit të 2020, ku mbeti i vrarë nga një efektiv policie, Klodian Rasha, 25 vjeç.

Dorëheqja erdhi 48 orë pas protestave të shoqëruara me dhunë dhe përplasje me policinë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës, gjë për të cilën u kritikua ashpër nga opozita dhe opinioni.

Bledi Çuçi, ministri i vetëm i shkarkuar

Vendin e Sandër Lleshit e zuri Bledi Çuçi.

Tre paraardhësit e tij u detyruan të jepnin dorëheqjen, ndërsa Çuçi është i vetmi ministër i Brendshëm në Qeverinë Rama, që është shkarkuar nga detyra.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shkarkoi Çuçin më datën 8 korrik, tre ditë pasi në media u publikua një video, ku dukeshin disa persona që sulmonin me shkopinj bejsbolli dy burra dhe i kërcënonin me armë.

Ngjarja ndodhi në një lokal në fshatin Borizanë të Fushë Krujës. Pjesë e personave të dyshuar për dhunë ishin edhe djali dhe dy vëllezërit e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Pas ngjarjes, kur ende nuk ishte publikuar video, policia e Krujës njoftoi se kishte shoqëruar vëllezërit e deputetit dhe më pas i kishte lënë të lirë. Pas publikimit të videos ku dukeshin të afërmit e deputetit me armë dhe duke sulmuar dy qytetarët, policia i shpalli ata në kërkim.

Banorët e Borizanës kanë deklaruar se kanë bërë të paktën 40 denoncime në policinë e Krujës, kundër pronarëve të guroreve, por kanë marrë kërcënime prej krerëve të policisë se do të arrestoheshin nëse do të tentonin të ndalonin aktivitetin e gruroreve.

Pak orë pas këtyre denoncimeve të banorëve në mediat vendase, kryeministri Edi Rama njoftoi me anë të një postimi në Twitter për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe emërimin në vend të tij të Taulant Ballës, aktualisht kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Pse asnjë ministër nuk e mbylli mandatin?

Fatjona Mejdini, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor e Rrjetit “Iniciativa Globale Kundër Krimit të organizuar Ndërkombëtar” thotë se Ministria e Brendshme është një ministri e cila u krijua për herë të parë në 2013, kur Rama mori pushtetin.

Sipas saj, e dizajnuar si ‘super ministri’, kjo ministri është një nga më të mëdhatë, më komplekset për t’u drejtuar për shkak të faktit se në të janë të grumbulluara disa nga sektorët kyçë të shtetit.

“Sigurisht aspekti më i rëndësishëm i kësaj ministrie ka qenë dhe mbetet ai i rendit dhe gjatë këtyre viteve ka pasur zhvillime, të cilat e kanë tronditur rendin në vend dhe për pasojë kanë ndikuar në paqëndrueshmërinë e drejtuesve të saj. Kjo ministri është konsideruar si një ‘patate e nxehtë’ për të gjithë ata që e kanë drejtuar për shkak të këtij kompleksiteti”, thotë Mejdini për Radio Evropa e Lirë.

Emërimin e Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme, Fatjona Mejdini e sheh si përpjekje për ta “stabilizuar” drejtimin e këtij dikasteri.

“Emërimi i Taulant Ballës si ministër duket në fakt një përpjekje e PS-së për të sjellë ‘dorë të fortë’ dhe qëndrueshmëri në këtë ministri. Ai është një figurë me eksperiencë politike dhe peshë brenda socialistëve”, thotë Mejdini.

Analisti Mentor Kikia thotë se ndryshimet në një qeveri janë normale, nëse bazohen në performancën e ministrave, por në rastin e Qeverisë Rama, sipas tij, situata është ndryshe.

“Ai që nuk plotëson pritshmërinë dhe nuk përmbush objektivat e partisë që kanë mandatuar qytetarët, duhet të largohet. Por, në rastin e Qeverisë shqiptare, shumë ministra kanë qenë të detyruar të ndërpresin karrierën, duke u dorëhequr, duke u shkarkuar apo edhe me keq, duke u arrestuar. Dhe shkaku ka qenë korrupsioni apo edhe inkriminimi. Gjithsesi, asnjëri prej tyre nuk është arrestuar gjatë kohës që kanë qenë në detyrë, por më parë ata janë shkarkuar dhe ‘zhgraduar’ politikisht. Nuk di të them nëse ka qenë rastësi kjo apo një bashkëpunim konspirativ i drejtësisë me partinë në pushtet”, thotë Kikia.

Kush është Taulant Balla?

Taulant Balla është zgjedhur deputet për herë të parë në vitin 2005, dhe që atëherë nuk ka munguar në Kuvend. Aktualisht është në mandatin e pestë të tij. Prej 2017 është kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së. Ai ka qenë edhe kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian dhe zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.

Për analistin Mentor Kikia, Taulant Balla është para një sfide të vështirë.

“Taulant Balla pritet të marrë detyrën e ministrit të Brendshëm në një kohë kur institucioni është në një pikë shumë të ulët të besimit të qytetarëve, si pasojë e ngjarjeve që kanë dëmtuar reputacionin e Policisë së Shtetit. Ngjarja e Fushë Krujës ishte shumë e rëndë dhe dëshmoi se policia, në mos të kishte qenë në anën e banditëve, nuk kishte qenë në anën e qytetarëve të pambrojtur. Opozita e ka kontestuar propozimin e tij nga kryeministri, pasi e ka akuzuar si njeri të lidhur me botën e krimit. Por, mendoj se duhet të presim të shikojmë se si Balla do të performojë në detyrën e ministrit, pasi ai asnjëherë nuk ka mbajtur poste në ekzekutiv, edhe pse është një politikan gati veteran në radhët e socialistëve”, thekson Kikia.

Opozita e ka kundërshtuar këtë emërim të kryeministrit Rama. Sipas opozitës shqiptare, emërimi i Ballës është “shumëfish më i rëndë sesa vetë ngjarja që çoi në shkarkimin e Çuçit”.

Opozita e akuzon Ballën për lidhje me krimin dhe thekson se “Ministria e Brendshme është dorëzuar në duart e krimit të organizuar dhe ky është kapitullim i shtetit”./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Le Parisien plas “bombën”: PSG dëshiron të shesë tani Mbappe-n

Story i radhës

Kurti pas takimit ku prezent ishte edhe ambasadori amerikan: Diskutuam për sfidat e të bërit biznes

Të fundit nga

Skenarët/ Nëse do të ndodhte një stuhi diellore

Imagjinoni sikur energjia elektrike të ndërpritej papritur dhe të mos kthehej për orë, ditë apo javë të tëra. Vështirësitë fillestare, si mungesa e televizorit apo frigoriferit, do të shndërroheshin shpejt në një
ShkoLartë