Punësimi i bazuar në aftësi po praktikohet gjithnjë e më shumë nga kompani të ndryshme anë e mbanë botës, ndërsa kualifikimet formale si diploma po bëhen më pak të rëndësishme.
Shumë kompani janë ende duke luftuar për të plotësuar pozitat që u kërkohen në kompanitë e tyre dhe mënyra se si ata aktualisht i qasen punësimit mund ta bëjë këtë edhe më sfiduese. Kështu e vlerëson gjendjen Sue Duke, nënpresidente dhe drejtuese e politikave publike globale në LinkedIn, për CNBC Make It.
“Vështirësitë me të cilat përballemi derisa luftojmë për të plotësuar pozitat, ndryshimet ekonomike dhe për të krijuar një fuqi punëtore të larmishme dhe elastike do të rriten vetëm nëse nuk ndryshojmë qasjen tonë për gjetjen dhe edukimin e talenteve,” tha Duka.
Një mënyrë se si kompanitë po ndryshojnë qasjen e tyre është duke u fokusuar më shumë në aftësitë, në vend të kualifikimeve si diploma kolegji ose përvoja e mëparshme e punës. Sipas të dhënave të LinkedIn të ndara me CNBC Make It, 45% e kompanive tani po përdorin në mënyrë eksplicite metrika të lidhura me aftësitë për të gjetur kandidatë, ka një rritje prej 12% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Daniel Pell, zëvendëspresident për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën në “HR tool Ëorkday” gjithashtu thotë se ka vërejtur ndryshime në këtë aspekt.
“Burimet Njerëzore janë zhvendosur në një ekonomi të bazuar në aftësi,” tha Pell për “CNBC Make It”.
Si funksionon punësimi i bazuar në aftësi?
Duka u shpreh se punësimi i bazuar në aftësi mund të ketë sjell shumë përfitime si për punëtorët ashtu edhe për punëdhënësit.
“Hulumtimi ynë tregoi se një qasje e parë e aftësive mund të rrisë grupin global të talenteve me gati dhjetëfish. Dhe një grup më i madh talentesh do të thotë më pak konkurrencë me kompanitë e tjera mbi të njëjtët kandidatë”, u shpreh ajo.
Por përfitimet mendohet se shkojnë përtej zgjerimit të numrit të kandidatëve që janë në dispozicion. Sipas Ëorkday’s Pell, organizatat e bazuara në aftësi kanë shumë më shumë gjasa të tejkalojnë homologët e tyre tradicionalë kur bëhet fjalë për inovacionin, efikasitetin dhe përshtatshmërinë.
Sipas Pell, trendi është rritur nga produktet e reja të inteligjencës artificiale dhe të mësimit të makinerive, pasi ato mund të ndihmojnë kompanitë të identifikojnë kandidatët e duhur. Një përfitim tjetër i madh si për punëtorët ashtu edhe për punëdhënësit është se punësimi i bazuar në aftësi mund të jetë jetik për ndërtimin e një fuqie punëtore më të larmishme.
“Kjo nivelon fushën e lojës për punëtorët që mund të jenë anashkaluar,” tha Duka, duke aluduar se këtu përfshihen personat që nuk kanë ndjekur apo përfunduar universitetin.
“Për shembull, në punët ku gratë janë të nënpërfaqësuara, përqindja e grave në grupin e talenteve mund të rritet 24% më shumë se sa për burrat, gjë që çon në punësimin e më shumë grave,” tha ajo.
Kjo gjithashtu rrit mundësitë për punëkërkuesit, si dhe e bën procesin e aplikimit për punë më transparent. Sipas Pell kompanitë që fokusohen në aftësi gjithashtu shpesh ofrojnë mundësi zhvillimi për punonjësit e tyre dhe kjo do të thotë që punëtorët kanë më shumë mundësi për t’u rritur dhe për të shtuar aftësitë e tyre ekzistuese, duke i ndihmuar ata të jenë më të suksesshëm për shumë gjatë.
Si ta përshtatni CV-në tuaj?
Derisa aftësitë po vendosen në fokus edhe mënyra se si vlerësohen aplikimet për punë mund të ndryshojë, edhe pse ky ndryshim mund të jetë i vështirë për punëkërkuesit. Megjithatë sipas specialistëve të rekrutimit, ata gjithashtu mund ta përdorin atë në avantazhin e tyre.
“Aplikantët mund të optimizojnë punësimin e bazuar në aftësi duke u siguruar që CV-të e tyre të jenë të përshtatura për këtë lloj punësimi”, tha Gaelle Blake, drejtore e emërimeve të përhershme në kompaninë e rekrutimit Hays.
Sipas Blake kjo nuk nënkupton ta ktheni aplikacionin tuaj në një listë të gjatë aftësish.
“Kandidatët duhet të sigurohen që CV-ja e tyre të shfaqë aftësitë e tyre individuale dhe në vend që të rendisni aftësitë e përgjithshme dhe të kërkuara, është më mirë të vendosni shembujt e prekshëm ose pikat e të dhënave që demonstrojnë këto aftësi”, ka thënë ajo.
Amanda Augustine, një eksperte karriere në TopResume dhe trajnere e certifikuar e karrierës dhe shkrimtare e rezymeve e pohoi po ashtu këtë.
“Kur krijoni një rezyme të bazuar në aftësi, është e rëndësishme të ndiqni një rregull të thjeshtë: ‘trego, mos trego’”, tha Augustine për CNBC Make It. Sipas saj dëshmia e kandidatëve që kanë aftësi të përshtatshme më pas mund të gërshetohen në aplikacion, për shembull duke e shtuar në pikat kryesore që përshkruajnë përvojën e mëparshme të punës.
Ajo ka thënë se punëkërkuesit mund të dëshirojnë gjithashtu të ndryshojnë strukturën e CV-ve të tyre duke shtuar seksione paksa jokonvencionale si “Shkathtësitë kryesore” ose “Fushat e ekspertizës”. Kjo mund të nënkuptojë renditjen e një aftësie, e ndjekur nga prova e saj përmes një thënie ose të dhënave të shkurtra.
Sipas Blake kandidatët mund të tregojnë personalitetin e tyre dhe pse do të ishin të përshtatshëm për kompaninë.
“Kandidatët që lidhin aftësitë përkatëse me atë që ata janë si person ka të ngjarë të tërheqin vëmendjen e punëdhënësit,” tha ajo.
Së fundi, dhe ndoshta më e rëndësishmja, Blake dhe Augustine të dy u dakorduan se ekziston një gjë që kandidatët nuk duhet të anashkalojnë kurrë përpara se të bëjnë një rezyme dhe ajo është përshkrimi i punës.
“Kontrollimi i përshkrimit të punës për fjalët kyçe është një mënyrë e dobishme për të identifikuar aftësitë më të rëndësishme që një punëdhënës kërkon,” tha Blake. Dhe ky informacion është thelbësor për kandidatët që përpiqen të sigurohen që rezymeja e tyre të jetë e përshtatshme – dhe t’u sigurojë atyre një intervistë.