Tensionet në veri të Kosovës vijojnë për shkak të barrikadave të vendosura në rrugë nga serbët që jetojnë në veri të Mitrovicës. Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nuk do të tërhiqen deri sa Kosova të pranojë krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa kryeministrja Ana Bërnabiç dhe ministria e mbrojtjes deklaruan se tensionet rrezikojnë të përshkallëzohen deri në konflikt të armatosur, por nga ana tjetër bëjnë thirrje për qetësi.
Mesazhet e ditëve të fundit kanë qenë kërcënuese nga qeveria serbe, ndërkohë nga ana tjetër pretendojnë se duan zgjidhje me paqe, gjë e cila tregon qartë se nuk janë aspak të interesuar për dialog. Me sa duket Albin Kurti është i vendosur të largojë barrikadat e serbëve përmes negociatave por nëse kjo nuk pranohet atëherë është i gatshëm të dërgojë buldozerë ti largojë me forcë kamionët e serbëve. EULEX dhe KFOR u kanë bërë thirrje të dyja palëve të zgjidhin problemin përmes dialogut, barrikadat të largohen nga vetë serbët, por janë të gatshëm të ndërhyjnë në rast se agravohet situata. Pse pikërisht në këtë periudhë Serbia po nxit tensione në veri të Kosovës? A ka ndikuar Rusia?
Vazhdimisht ka patur përplasje midis Prishtinës dhe Beogradit lidhur me çështjen e targave. Temë e cila ka përfunduar në tavolinën e negociatave. Por periudha në të cilën Serbia po nxit tensione në veri të Kosovës, ku të pranishëm përveç grupeve ekstremiste serbe ka edhe rusë të cilët dyshohet se janë dërguar për të përshkallëzuar konfliktin, nxjerr zbuluar se duan përplasje. A i intereson Rusisë një konflikt në Veri të Kosovës? Vladimir Putin po has vështirësi të madhe të fitojë luftën në Ukrainë, faktet po vërtetojnë se Rusia është drejtë dështimit pavarësisht se është fuqia e dytë ushtarake në botë, sepse perëndimi dhe SHBA e kanë trajnuar dhe armatosur ushtrinë e Zelenkyt, gjë e cila po i sjellë disfatë Moskës.
Vladimir Putinit i intereson më shumë se kurrë të ketë një konflikt të armatosur në Veri të Kosovës, nëse do të ndodhte atëherë do të ndërhynte NATO përmes misionit të saj KFOR, gjë e cila do të angazhonte trupat e saja ushtarake. Por çfarë përfiton Putini dhe Vuçiç? Sipas Rusisë një konflikt Serbi-Kosovë do të ulte ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së për Ukrainën, dhe do ti jepte avantazh ushtrisë së Putinit. Por kjo skemë ka gjasa të dështojë sepse Serbia do të pranojë të ulet në negociata pasi e di mirë se një konflikt i armatosur do ta rrezikonte shumë përball NATO-s, por edhe për integrimin në Bashkimin Europian.
Aleksandër Vuçiçi i dërgoi letër KFOR-it për të vendosur 1000 trupa serbe në veri të Kosovës, por kërkesa ka mbetur në sirtar, përgjigja dihet, nuk do të pranohen ushtarët serbë. Qëllimi i kësaj kërkesë është vetëm për shtuar presionin dhe frikën tek Albin Kurti që të pranojë kërkesën e palës serbe për targat por edhe krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nëse Serbia do të ishte një shtet paqësor për qeverinë e Prishtinës nuk do të ishte problem krijimi i asociacionit me shumicë serbe, por e kaluara na mëson se nuk mund ti besojmë kurrë Beogradit. Komuniteti serb në Kosovë gëzon të drejta siç do komunitet tjetër, për të mos thënë pak më tepër, krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe do të përsëriste problemin e Bosnje-Hercegovinës me të ashtuquajturën “Republika Srpska”, e cila po rrezikon ndarjen e këtij shteti. Por në Kosovë duhet të jenë të vendosur të mos lejojnë përsëritjen e këtij problemi sepse liria është fituar me gjak dhe nuk duhet të bëhet kompromis, madje duhet të paguajmë çdo çmim për të mos lejuar të na ikë veriu nga duart.
Qëllimet e Serbisë janë po të njëjtat pavarësisht se nuk kanë ende Millosheviçin, por Vuçiç është i gatshëm të ndezi konflikt me Kosovën aq më tepër që kjo gjë nxitet nga Rusia. Putinit i intereson të ketë konflikt në Ballkan, të zhvendoset vëmendja e SHBA dhe NATO-së në rajonin tonë, dhe të pakësohet ndihma për Ukrainën.
Rusisë do ti leverdiste konflikti jo vetëm në Kosovë por edhe në shtete të tjera si psh. Kinë-Tajvan, sepse SHBA është penguesi më i madh që Putini të arrijë sukses në Ukrainë. Rusia kërkon që të ketë konflikt në Kosovë, mbështetja për palën serbe është e madhe por duhet të shikojmë me kujdes deri ku do të guxojë Aleksandër Vuçiç.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO