VMRO-ja opozitare ka akuzuar pushtetin dhe kryeministrin Kovaçevski se po pêrgjon në mënyrë të palejuar qytetarët e vendit, përcjell KlanM. Edhe Prokuroria, sipas VMRO-së, prej një jave po hesht për skandalin e softuerit Predator, i cili synon të përgjojë qytetarët.
Partia e Mickoskit, siç përcjell KlanM, pyet kryeministrin, Dimitar Kovaçevski se pse ka lejuar që Maqedonia të blejë softuerin Predator, në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore.
“Kompania Sytrox, e cila është në listën e zezë të SHBA-së për shkelje të sigurisë kibernetike të qytetarëve dhe organizatave në mbarë botën, ka zhvilluar në Shkup softuerin spiun Predator. Me këtë softuer, Kovaçevski dhe LSD në mënyrë të paligjshme monitorojnë dhe përgjojnë masivisht qytetarët dhe drejtpërdrejt shkelin të drejtën kushtetuese për privatësi dhe fshehtësi”, akuzojnë nga VMRO-DPMNE.
Kovaçevski, sipas opozitës maqedonase, dëshiron të qëndrojë në pushtet përmes një sërë aktesh kriminale, duke pushtuar sipas tyre, privatësinë e qytetarëve e me këtë duke dëmtuar imazhin e shtetit para partnerit strategjik për shkak të bashkëpunimit me një kompani që është në listën e zezë të SHBA-ve, përcjell KlanM.
“Edhe shefi i inteligjencës greke konfirmoi qartë se ky softuer është përdorur në Greqi për të spiunuar politikanë, media dhe biznesmenë dhe është përdorur edhe në Maqedoni. Dhe për këtë, shtrohet pyetja nëse Kovaçevski ka dashur t’i shantazhojë dhe kërcënojë disidentët e tij politikë me këtë softuer për të kryer ndonjë vepër të re kriminale? Kovaçevski dhe LSD duhet të përgjigjen para gjithë opinionit maqedonas, cili është qëllimi i softuerit spiun në Maqedoni”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Edhe prokuroria, sipas VMRO-së, duhet të veprojë menjëherë pas këtyre informatave dhe të nisë një hetim se pse Kovaçevski guxoi të blejë softuerin Predator dhe se sa është numri i qytetarëve që monitorohen dhe përgjohen.