Pse fëmijët ikin nga shtëpia? Amzai: Ata duan vëmendje dhe komunikim me prindërit

Rreziku i ikjes së fëmijëve nga shtëpia ekziston në çdo moshë, ndërsa kjo nuk lidhet me probleme në familje, largimi nga shtëpia është më shumë për çështje eksplorative. Kështu u shpreh psikoterapeuti Migjen Amzai, i cili thotë se fëmijët ose ikin për diçka, pra kanë ndonjë qëllim, ose ikin prej diçka. Në mosha më të hershme mund të ikin në kërkim të një hapësire më të madhe për të lëvizur, ndërsa në adoleshencë ata duan më shumë liri në fantazinë e tyre, shpjegon Amzai.
“Fëmijët nuk ikin edhe kur kanë probleme në familje, nuk ikin, bile tentojnë të qëndrojnë aty që ta mbrojnë nënën për shembull nëse ka dhunë në familje, për arsye të ndryshme. Fëmijët duan të rrinë aty që ta mbrojnë nënën e tyre, nuk lidhet me probleme në familje ikja nga shtëpia. Iket në një moshë të caktuar kur mendojnë që nuk janë të kuptuar, por përndryshe jo, nga problemet në familje nuk iket nga shtëpia, vetëm në qoftë se të dy prindërit krijojnë një konspiracion për fëmijën e vet dhe i kundërvihen, atëherë po, atëherë ka mundësi shumë që të ketë këtë impulsin e ikjes”, tha psikoterapeuti Migjen Amzai.

Në vendimin e largimit të fëmijëve nga shtëpia, rol më të madh ka mënyra e komunikimit me prindërit dhe vëmendja që marrin ata në familje, tregon Amzai. Fëmijët duan të dëgjohen dhe shihen, shton ai.
“Kjo çështja e ikjes është shpërfaqje e diçkahit që është lënë anash shumë më herët, megjithatë nuk është kurrë vonë të folet me fëmijët, sidomos me adoleshentët. Një herë mos i gjykoni asnjëherë, ku ishe me cilin ishe. Domethënë kjo ndodhi, iku nga shtëpia, tani pyete si ndihesh tani që u ktheve prapë, t’ia bësh me dije që unë jam prapë këtu për ty si do që të jetë, sepse sidoqofshin rrethanat duhet ta kuptojnë se ne jemi gjithnjë aty për ata”, shtoi Amzai.

Ndryshe dje u gjetën dy vajzat e mitura, të cilat për dy ditë ishin larg shtëpisë. Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale Shkup ka ndërmarrë të gjitha veprimet të cilat janë në kompetencën e tyre, ka njoftuar drejtori i kësaj qendre Liridon Baftiju. Nga qendra po edhe psikoterapeuti Amzai apelojnë te qytetarët mos të shpërndajnë fotografi dhe informata të pasakta të vajzave, që ndikon në stigmatizimin e tyre.

Burimi: TV21

Story i mëparshëm

Thaçi: Fitore e rëndësishme

Story i radhës

Ilir Meta nga Berati: Kjo është qeveri arrogante, rrit taksat dhe nuk jap llogari

Të fundit nga