Myrto Uzuni vazhdon të luajë rregullisht si titullar për Granadën në La Liga. Por sulmuesi kuqezi ende nuk ka gjetur golin e tij të parë me fanellën bardhekuqe. Për më shumë, në vend të golave ai ka koleksionuar deri më tani vetëm kartonë të verdhë. Kështu ndodhi dhe në derbin andaluz të hënën në mbrëmje kundër Cadizit.
Takimi u mbyll me shifrat 0-0, teksa sulmuesi beratas ishte titullar në këtë takim. Uzuni është ndëshkuar me kartonë të verdhë në këtë takim, teksa trajneri Roberto Moreno ka vendosur ta zëvendësojë në pushimin mes pjesëve.
Tekniku i Granadës është pyetur pas ndeshjes nga gazetarët në lidhje me zëvendësimin e sulmuesit kuqezi, duke dhënë shpjegimin e tij. Moreno ka bërë me dije se Uzuni rrezikonte kartonin e kuq dhe kjo ishte arsyeja e vendimit të tij.
“Nuk ka ndonjë sekret apo ndonjë vendim teknik. Uzuni ishte me një karton të verdhë dhe nëse do të mbeteshim me një lojtar më pak do të kishte qenë një katastrofë për ne.
Thënë kjo, duhet të shtoj se Uzuni është një lojtar impulsiv dhe nuk tërhiqet asnjëherë. Kjo bën që ai të ndërhyjë me intensitet te kundërshtari”, ka thënë trajneri i tij, Robert Moreno.