Sot në orën 09:00, Partia Demokratike do të ketë një mbledhje të grupit parlamentar, pak para nisjes së seancës parlamentare në Kuvend ku pritet të votohet zgjatja e afatit të organeve të vetting-ut.
Burime bëjnë me dije për se në mbledhje pritet që deputetët demokratë të njihen me qëndrimin që PD do të mbajë në lidhje me propozimin e maxhorancës për të zgjatur këtë afat deri në vitin 2024.
Më e qartë duket situata në kampin e Berishës, të cilët në daljet e tyre kanë deklaruar votën kundër. Deputeti Edi Paloka shprehu qëndrimin e tij kundër ndonëse nesër nuk do të jetë në Kuvend për të votuar. Madje, ai shkoi edhe më tej duke thënë se nesër do të jetë një tjetër provë se kush është opozita e vërtetë e vendit.
Negociatat para votimit në Kuvend të propozimit të maxhorancës kanë futur në lojë edhe ndërkombëtarët. Sipas burimeve përgjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë të ambasadave të vendeve të perëndimit në Tiranë kanë shkuar në selinë blu për të arritur një unanimitet mes palëve sa i takon këtij procesi.
Si përgjigje ata kanë hasur një kundërshtim në lidhje me këtë çështje pasi demokratët distancohen nga ky votim, duke qenë se propozimi ka ardhur nga socialistët dhe mund të perceptohet në publik si një ujdi e mundshme mes palëve.
Negociatat janë shtrirë edhe në selinë rozë, duke bërë që retorika mes palëve të zbutet gjatë ditëve të fundit ndërsa socialistët duket se kanë lëshuar “pe” nga disa qëndrime të forta në komisionet hetimore përballë kërkesave të demokratëve.
Selitë diplomatike të SHBA, BE, Mbretërisë së Bashkuar apo edhe Gjermanisë në vendin tonë dje iu drejtuan me thirrje të njëpasnjëshme Kuvendit për të ngritur “kartonat” pro zgjatjes së vetting-ut për të krijuar në një farë mënyre edhe bindjen se kjo kërkesë nuk vjen nga socialistët por ka lidhje me fatin e përbashkët të vendit.
Kushtetuta ka parashikuar kur KPK-së i mbaron mandati, puna i kalon KLP-së dhe KLGJ-së. Por nga socialistët është argumentuar se duhet zgjatja e mandatit pasi ky proces i filluar nga ky komision pra vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të mbyllet nga po ky komision.