Në ditën e 19-të të protestës kundër qeverisë, qytetarët e zhvendosën aksionin e tyre para Kuvendit, aty ku po zhvillohej seanca plenare. Pasi u mblodhën në Sheshin Skënderbej, protestuesit marshuan drejt Parlamentit, duke bllokuar hyrjet kryesore të godinës dhe duke vënë nën presion deputetët që ndodheshin brenda.
Hyrjet e Kuvendit u mbajtën të bllokuara nga protestuesit, ndërsa deputetët u detyruan të përdornin hyrje dhe dalje alternative për t’u larguar nga godina. Në zonë u angazhuan forca të shumta policie, të cilat krijuan korridore sigurie për lëvizjen e ligjvënësve.
Protestuesit hodhën akuza të forta ndaj qeverisë dhe klasës politike, ndërsa përsëritën kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama. Thirrjet kundër qeverisë shoqëruan gjithë marshimin, duke e kthyer zonën përreth Parlamentit në qendrën e protestës së radhës.
Lëvizja qytetare, e cila nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, prej ditësh ka marrë një drejtim krejtësisht politik. Tashmë fokusi i protestuesve është larguar nga kauza fillestare, duke u përqendruar te kërkesa për largimin e qeverisë dhe ndryshimin e situatës politike në vend.
Bllokimi i Kuvendit në ditën e 19-të konsiderohet një nga aksionet më të forta të ndërmarra deri tani nga protestuesit, të cilët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Burimi: botasot.info


