​Protestohet para Kuvendit të Kosovës për punëtoret teknike

November 18, 2024
min lexim

Para Kuvendit të Kosovës sot është mbajtur protestë për punëtoret teknike të këtij institucioni, të cilat janë në grevë tash e shtatë javë. Përveç kërkesës për rritje të pagës, tashmë ato po kërkojnë edhe qasjen në vendin e punës.

As ditën e premte e as sot, punëtoret teknike nuk u lejuan të hyjnë në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse, iu ishte thënë që sot del lista që do të përcaktojë se cilat prej tyre do të vazhdojnë punën, ndërkohë janë sjellë punëtore të reja nga kompania e kontraktuar për këto shërbime.

Me pankartat “Mos i zëvendësoni punëtoret”, “Mos i ndëshkoni grevistet”, “Schafberger shtyp punëtorët, Kuvendi e lejon”, aktivistët e Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist e përkrahën këtë protestë.

Përfaqësuesja e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës, Nazife Krasniqi tha se sot nuk janë lejuar të hyjnë në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi: Na thanë të hënën del lista po nuk ka dal

“Të premten kemi ardhur këtu si gjithherë, të enjten ka përfunduar kontrata jonë e punës, që dy muaj e dy javë jemi në grevë kur kemi ardhur të premten nuk na është lejuar të hyjmë brenda.. Na kanë thënë të hënën del lista se kush ka me hy ne kemi ardhur sot as nuk kemi parë listë se kush ka me hy e kush nuk ka me hy. Kemi ardhur po presim grevën nuk e ndërpresim”, u shpreh ajo.

Përfaqësuesja e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës, Nazife Krasniqi e ka quajtur të papranueshëm faktin e zëvendësimit të tyre me punëtore tjera që po kryejnë shërbime brenda Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi: Dy muaj kërkuan rritje pagash dikush tjetër po i gëzon ato

“Nuk e di se çfarë veprime marrim me ato merret tjetër kush me veprime të tjera, ne jemi të vendosura dhe do të qëndrojmë derisa të na bëhet zgjidhja derisa sa të hyjmë në vendet e punës për të punuar ku kemi qenë atë zgjidhje ne e kërkojmë me punua…është rritur paga ne kemi kërkuar dy muaj me u rrit paga në atë moment që është rritur paga, neve nuk na është lejuar te hyjmë brenda ajo është ekstrem kemi kërkuar dy muaj rritje pagash tash është ardhur tjetër kush po i gëzon pagat tona ajo është e papranueshme”, tha ajo.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi u shpreh se greva e këtyre punëtoreve teknike do të vazhdoj, ndërsa paralajmëroi edhe ngritje të padisë për kompaninë që i ka në përgjegjësi këto punëtore.

Azemi: Greva vazhdon, vazhdon procedura ligjore

“Greva vazhdon, vazhdon procedura ligjore, kemi ardhur nga ora 08:00 tani e tutje do që vijnë nga ora 07:00 në konsultim me të gjitha institucionet shtetërore, ato të cilat janë të thirrura ta respektojnë ligjin sot kemi marrë mbështetje ligjore që greva jonë është e ligjshme dhe veprimet që po i bënë Kuvendi dhe kompania janë të paligjshme dhe ne normalisht do të vazhdojmë në dy rrjedha, normal grevën dhe padinë në gjyq. Por, iu garantoj këto punëtore për asnjë moment nuk kanë me humb asnjë cent nga puna që po e bëjnë por kjo kompani e cila me shtyrjen e disa individëve nga brenda sepse problemi nuk është me këta punëtorë a thua ne bëmë 2 muaj e gjysmë grevë për t’i simuluar të tjerët jo kjo po bëhet për t’i simuluar të tjerët”, theksoi ai.

Ndërsa, aktivistja, Liridona Sijarina u shpreh se veprimet karshi këtyre punëtoreve teknike është përbuzje dhe shkelje e dinjitetit të tyre.

Sijarina: Shkelje e të drejtave dhe dinjitetit të tyre është një përbuzje

“Të premten grave iu ka thënë që të hënën kanë me dal lista dhe ato kanë me marr vesh se kush mbetet në punë e kush jo, megjithatë u bë ora 1 e sa dhe gratë nuk kanë marr asnjë përgjigje prej Kuvendit. Kjo përveçse shkelje e të drejtave dhe dinjitetit të tyre është një përbuzje të cilën ne nuk duhet me e lejua me ndodh”, tha ajo.

E pas një takimi që zhvilluan kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi bashkë me përfaqësuesen e punëtoreve teknike, Nazife Krasniqi me përfaqësues të Kuvendit të cilët nuk u bënë të ditur për medie, Azemi tha se nga ky takim edhe Kuvendi i Kosovës iu jep të drejtën punëtoreve teknike për grevën që po e mbajnë.

Azemi tha se nga kompania po kërkojnë kthimin e të gjitha punëtoreve në vendin e punës si dhe kompensimet për dëmet shëndetësore të shkaktuara për shkak të grevës.

Azemi: Kuvendi mendon se ne kemi të drejtë

“Kuvendi mendon se ne kemi të drejtë baza ligjore është në anën tonë. Ka disa kaprica të brenda që ne duhet t’i tejkalojmë. Organi më i lartë Kuvend iu jep të drejtë këtyre punëtorëve ligjërisht normal që kemi telashe. Greva vazhdon dhe normal që zgjidhjen e kemi ne tani. Zgjidhja është të presim deri pasnesër që nëse kompania garanton me i kthye që të gjithë dhe garanton që duhet me pagua kompensimin e njerëzve që kanë ndenjur jashtë dhe kompensimin e punëtoreve që i kemi në shtëpi që janë lënduar gjatë kohës së punës nëse garanton për këto ne do të kthehemi nëse nuk garanton për kompensim dhe nuk garanton që të gjitha këto punëtore kanë me i rikthyer dhe nëse nuk kërkon falje këta punëtorë nuk kthehen dhe procedura vazhdon në aspekt ligjor në gjykatë, por ne punëtorët do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu”, tha ai.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ish-agjenti zbulon detaje për sulmin terrorist në Banjskë: Vetëm një shtet evropian paralajmëroi Kosovën…

Story i radhës

Opozita me kritika! Mbi 700 amandamente për të përmirësuar propozim-buxhetin

Të fundit nga

Premtimi i Yamalit

“Jam në fazën e rikuperimit dhe jam i sigurt se do të rikthehem më i fortë dhe më i motivuar se kurrë” Ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal aktualisht po lufton
ShkoLartë