Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thirrur sot Këshillin Strategjik për Politikë të Jashtme për të mbajtur konsultime për propozimin e BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut.
Këshilli Strategjik paraqet një nga shtyllat për ndërtimin e strategjisë afatgjatë për politikën e jashtme të Maqedonisë së Veriut, në procesin e iniciuar vitin e kaluar nga Ministria – Reflektime 2030.
Në takim, Osmani shpjegoi në detaje elementet kryesore të propozimit të fundit, të cilat nuk ndërhyjnë në çështjet e identitetit dhe pas gati dy dekadash statusi kandidat mundësojnë hapjen e negociatave të merituara për anëtarësim.
“Në dritën e implikimeve më të gjera gjeopolitike, si rezultat i agresionit rus ndaj Ukrainës dhe nevojës për stabilitet politik dhe zhvillim të rajonit, vazhdimi i integrimeve tona evropiane është veçanërisht i rëndësishëm”, theksoi Osmani.
Konsultimet me të gjithë vepruesit përkatës social përfaqësojnë një aspekt të rëndësishëm të procesit të marrjes së një vendimi përfundimtar për këtë moment historik për drejtimin në të cilin do të lëvizë shteti.