Kohëve të fundit Qeveria Kurti është ekspozuar nga kritika të ashpra të ambasadave të QUINT-it, për moszbatimin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që lidhet me « pronat » e Manastirit të Deçanit, e në veçanti këto u aktualizuan edhe dje, gjatë vizitës të ambasadorëve në fjalë në Manastirin e Deçanit.
Gjeneza e këtij problemi fillon në vitin 1997, kur me një vendim të kundërligjshëm, Qeveria e Serbisë ia fali 24 hektarë tokë dhe pyll Manastirit të Deçanit, që deri atëherë ishin pronë e ligjshme e dy ndërmarrjeve publike, « Apiko » dhe « Iliria », të komunës së Deçanit.
Pa i hyrë detajeve, çështja në fjalë ishte shqyrtuar edhe në Dhomën speciale të Gjykatës së Lartë, e cila kishte vendosur që lënda t’i kalojë për shqyrtim, Gjykatës Themelore në Deçan si Gjykatë e rregullt kompetente. Kur pritej fillimi i këtij procesi gjyqësor, në bazë të një apeli, çuditërisht lënda kalon në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila në maj të vitit 2016, vendos t’ia jep 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.
Shtrohet pyetja se, se si është e mundur që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë këtë lëndë, pa u konsumuar, së pari procedurat administrative, dhe së dyti, pa u trajtuar, shqyrtuar dhe vendosur kjo çështje nga një Gjykatë e rregullt dhe kompetente !? A thua kjo u bë me qëllim, për ta sjellë çështjen para aktit të kryer, sepse Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë, rrjedhimisht nuk mund të ankimohen, janë detyruese dhe domosdoshmërish zbatohen, erga omnes, ndaj të gjithëve.
Pse kjo Gjykatë me Vendimin e saj, legalizoi dhe legjitimoi Vendimin e kundërligjshëm të Qeverisë së Serbisë që ishte marrë pikërisht në kohën kur institucionet kushtetuese të Kosovës ishin suspenduar dhe mbi të cilat ishin vendosur masat e dhunshme ?!
Është fakt i pamohueshëm se Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk diskutohen por ato detyrimisht dhe pa kushte implementohen, mirëpo problemet lindin atëherë kur këto vendime merren përmes ndikimeve dhe presioneve politike. Sepse nuk ka se si të shpjegohet ndryshe ky Vendim antikushtetues i Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas kompetencave është e thirrur ta mbrojë ligjshmërinë, ta ruajë balancën e pushteteve dhe garantojë sigurinë juridike të vendit, ku gjyqtarët duhet të jenë të profilit të lartë profesional dhe me përvojë të madhe.
Por nga retrospektiva, nuk duhet të habitemi, sepse kjo ka qenë koha e « renesancës » në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, respektivisht kur ata vendoseshin nga pronto mafija politike, e cila kishte nën kontroll shtetin. Dhe kur kësaj ia shtojmë faktin se kjo ka ndodhur në kohën kur kryeministër ishte Isa Mustafa kurse zëvendës kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme, Hashim Thaçi, të cilët ishin edhe aktorët kryesor për themelimin e « Zajednicës », Gjykatës Speciale, « Demarkacionit » etj., atëherë nuk duhet të çuditemi edhe për këtë Vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilat i « trashëgoi » kryeministri Kurti, që tani rëndojnë mbi te, të cilat me kohë i ka kundërshtuar fuqishëm.
Për zgjidhjen e këtij problemi, Qeverisë Kurti i ngelë edhe vetëm një mundësi, e kjo është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, në kuadër të së cilës funksionon Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg. Pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, kjo Gjykatë është i vetmi Institucion i Drejtësisë që mund t’a rrëzojë Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përmes ankesës së dy ndërmarrjeve publike dhe komunës së Deçanit.
Nëse kjo nuk ndodh, ekziston rreziku që të krijohet një presedan, me ç ‘rast të gjithë ata që posedojnë vendime të ngjashme të Qeverisë së Serbisë deri në vitin 1999, të kërkojnë zbatimin e tyre nga institucionet e Kosovës, që do të shkaktonte dëme të konsiderueshme në të gjitha aspektet.
Prandaj kryeministri Kurti do të duhej t’i rezistonte këtyre presioneve deri në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse zbatimi i Vendimit të Gjykatës Kushtetuese mund të vendoset si kusht për këtë anëtarësim.
Fatkeqësisht si çdo herë, edhe tani, opozita është kundër Kurtit, duke kërkuar publikisht nga Qeveria zbatimin e vendimin në fjalë, në vend se ajo të lobojë tek Ambasadat e QUINT-it dhe BE-në duke dhënë shpjegimet e nevojshme.
Gjyqtarët që votuan për Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me të cilin iu falën 24 hektarë tokë, duke ia njohur pronësinë Manastirit të Deçanit, duhet të japin përgjegjësi penale sepse një problem të vogël administrativ dhe juridik e shndërruan në problem të madh politik.
Bruksel, 25 Maj 2022 Skender Musliu, jurist i diplomuar