Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini i cili u arrestua për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Përvetësim gjatë shërbimit, sipas nenit 354 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal”. I dyshuari, në periudhën nëntor dhjetor të vitit 2024, në cilësinë e personit zyrtar si kryetar i FFM-së, dyshohet se ka siguruar përfitim pasuror të paligjshëm prej rreth 660 mijë eurosh për një person juridik nga Shkupi, shumë kjo që tejkalon përfitimin e konsiderueshëm pasuror. Gjykata e pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe i caktoi atij masën e paraburgimit 30 ditor, transmeton Portalb.mk.
Dyshimet e prokurorisë tregojnë se vepra është kryer në atë mënyrë që FFM-ja, si anëtare e UEFA-s, gjatë vitit 2024 ka marrë mjete financiare rreptësisht të dedikuara për revitalizimin e fushave sportive dhe infrastrukturës.
“Me mbështetjen financiare të UEFA-s në kuadër të programit “HatTrick VI”, i dyshuari ka filluar procedurën për zbatimin e projektit për ndërtimin e tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër dhe ka dhënë propozim për fillimin e procedurës për zgjedhjen e kompanisë për realizimin e projektit. Pas miratimit nga Bordi Drejtues, i dyshuari ka paraqitur kërkesë deri te tri firma për oferta për ndërtimin e tribunës së stadiumit, ku është zgjedhur oferta më e favorshme në vlerë të përgjithshme prej rreth 3.3 milionë eurosh pa TVSH.
Edhe pse kontraktuesi nuk e kishte kërkuar këtë dhe as në kërkesat për dorëzimin e ofertave nuk ishte cekur si mundësi, i dyshuari, në kundërshtim me vendimin e Bordit Drejtues, ka futur një kusht shtesë në kontratën e nënshkruar me firmën e përzgjedhur. Ky kusht parashihte një pagesë avansi në vlerë prej 20% të vlerës së përgjithshme të kontratës para fillimit të punimeve ndërtimore dhe pa asnjë veprim paraprak nga kontraktuesi, duke mos paraparë asnjë sigurim juridik për mjetet e paguara në emër të avansit. Ai e ka nënshkruar një kontratë të tillë dhe më 17 dhjetor 2024, mjetet financiare në vlerë prej rreth 660 mijë eurosh që i ishin besuar në shërbim, me urdhër të tij deri te shërbimet për pagesë, i ka transferuar si avans te personi juridik.
Pasi ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes dhe ekziston frika e bazuar se i dyshuari do të pengojë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin për caktimin e masës së paraburgimit.” thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Gjykata Themelore Penale – Shkup informon publikun se duke vepruar sipas propozimit të prokurorisë kompetente, ka marrë vendim me të cilin atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se personi ka kryer veprën penale Përvetësim gjatë shërbimit. Njëkohësisht, gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë për rrezikun e arratisjes, si dhe mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët dhe dëshmitë gjatë procedurës. Gjykata do të vazhdojë të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore dhe në interes të mbarëvajtjes efikase dhe të ligjshme të procedurës.” thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Edhe FFM e sanksionoi me ndalim dy-vjeçar të kryerjes së ndonjë funksioni
UEFA nuk komenton për hetimet
Nga Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, janë përmbajtur nga komentimi. Pasi kryetari aktual i Federatës, Masar Omeragiç, më 21 mars deklaroi publikisht se kishin pranuar informacione nga “institucione relevante ndërkombëtare që tregonin për dyshime të caktuara për ndeshje të caktuara ku ishte shkelur integriteti i atyre ndeshjeve “, Kolegium.mk kontaktoi UEFA-n.
Në pyetjen për atë nëse e kishin informuar Federatën e Maqedonisë për dyshimet e tilla, nëse bëhej fjalë për vendase apo ndërkombëtare dhe çfarë dyshimesh kishin për manipulimin me ndeshjet e futbollit në Maqedoninë e Veriut, nga UEFA u përgjigjën se nuk do komentojnë për asnjë hetim aktual apo të ardhshëm.
“Sipas praktikës tonë shumëvjeçare UEFA nuk komenton për hetimet ose për ekzistencën e hetimeve të mundshme për rregullimin e dyshuar të ndeshjeve. Kjo qasje ka për qëllim ta ruajë integritetin e të gjitha proceseve hetimore aktuale ose të ardhshme. UEFA komunikon vetëm për raste ose ndeshje konkrete pasi të jenë ngritur procedurat disiplinore dhe/ose të jenë marrë vendime. Në këtë fazë nuk kemi komente ose informacione shtesë që mund t’i japim për këtë çështje”, u përgjigjën nga UEFA për Kolegium.mk.
Njeriu i parë i FFM-së atëkohë tha se informacioni që kishin marrë ishte një sinjal mjaft serioz për të vazhduar deri në fund dhe se “rezultatet përfundimtare do të zbulohen publikisht me finalizimin e procedurave”.
“Do të shkojmë deri në fund pa kalkulime dhe pa kompromise”, tha Omeragiç.
Akuza për futbollistë të rremë
Përveç informacionit për rregullimin e ndeshjeve, në asamblenë e përgjithshme të FFM-së që u mbajt më 21 mars, Omeragiç foli për një rrjedhje konkrete të parave nga llogaria e Federatës gjatë kohës së Sejdinit.
“Në një periudhë prej vetëm një muaji, nga nëntori deri në dhjetor të vitit 2024, një muaj para se ta merrnim detyrën, janë shpenzuar rreth pesë milionë euro nga paratë e destinuara për zhvillimin e futbollit”, tha njeriu i parë i FFM-së në fjalimin e tij në asamblenë e përgjithshme të rregullt.
Kur bëhet fjalë për regjistrimin e futbollistëve, ai theksoi dallime të mëdha në shifrat që tregojnë se në vend ka pasur rreth 30.000 futbollistë të rremë.
Sipas pretendimeve të Omeragiq gjatë riregjistrimit të futbollistëve të kryer në muajin dhjetor të vitit 2024, në vend janë regjistruar 44.996 futbollistë. Për pothuajse një vit, gjatë riregjistrimit në muajin janar të vitit 2026, ka pasur 14.210.
Sejdini u arrestua sot më 23.04.2026.
Sejdinit në tetor të vitit 2024 i është hequr dokumenti diplomatik i udhëtimit. Kryetari i FFM-së paraprakisht ka njoftuar që në fund të muajit shtator është sulmuar nga tre persona në një lokal në qendër të Shkupit.
Muhamet Sejdini e udhëhoqi FFM-në nga viti 2018, kur e trashëgoi nga Illço Gjorgjievski. Paraprakisht katër vite ishte njeriu i dytë i Federatës. Ai dha dorëheqje nga pozita e kryetarit në nëntor të vitit 2024. Pas tij kryetar u zgjodh Masar Omeragiç.
Burimi: lajmpress.org


Muamed Sejdini, Foto: Fejsbuku zyrtar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë
