Profesorët e Fakultetit Filologjik të UT-së morën pjesë në punimet e edicionit XIII të Javës së Albanologjisë

min lexim

Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Berton Sulejmani mori pjesë në punimet e edicionit të 13-të të Javës së Albanologjisë. Kjo konferencë u organizua nga Instituti Albanologjik në Prishtinë.
Sesioni i gjuhësisë punimet i zhvilloi gjatë ditës së hënë (6 qershor 2022). Kryetemë e këtij sesioni ishte 40-vjetori i daljes në dritë të revistës “Gjuha shqipe”, andaj edhe tema bosht ishte “Gjuha shqipe” – tribunë e rëndësishme për shqipen standarde dhe kulturën gjuhësore. Prof. Dr. Berton Sulejmani në këtë konferencë e lexoi kumtesën me titull Trajtesa sintaksore në revistën “Gjuha shqipe”. Një rol shumë të madh në këtë drejtim, krahas shumë trajtesave shkencore të botuara për problemet e ndryshme që lidhen me drejtshkrimin e thyerjen e rregullave gramatikore në përgjithësi, revista “Gjuha shqipe”, gjatë katër dekadave ka botuar edhe një varg trajtesash që lidhen drejtpërdrejt me çështje të kulturës së gjuhës shqipe në fushën e sintaksës. Në këtë kumtesë shkencore, Sulejmani ka hulumtuar trajtesat sintaksore të botuara në revistën “Gjuha shqipe” nga numri i parë i saj e deri në numrin e fundit, përkatësisht nga viti 1982 – 2022. Në shqyrtim ka marrë 18 kumtesa në të cilat janë trajtuar tema që lidhen ngushtë me sintaksën e gjuhës shqipe.
Në këtë konferencë shkencore morën pjesë edhe dy mësimdhënëse të Fakultetit Filologjik, nga programi i studimit Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Gjuha standarde shqipe në tekstet shkollore në Maqedoninë e Veriut ishte kumtesa e Doc. Dr. Hana Dardhishtës, ndërsa titulli i kumtesës së Dr. Albulena Zulbeharit ishte Gabimet drejtshkrimore në ditarët elektronikë-cikli fillor në rrethinën e Tetovës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Grubi: SHBA dhe BE përkrahin “Ballkanin e Hapur”

Story i radhës

Qyteti i Shkupit për 32 objekte ndau certifikata për efikasitet energjetik

Të fundit nga