Problemet në zinxhirët e furnizimit, industria automative pak shpresa të përfitojë Shqipëria

Industria automative ka rritur praninë në vendet e Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e fundit, sidomos Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Problemet me zinxhirët e furnizimit në Kinë po shtojnë përpjekjet për transferimin e prodhimit me afër, por duket se, ndryshe nga fasoni ku Shqipëria ka përvojë dhe është më konkurruese, transferimi i industrisë automative kërkon më shumë kohë dhe përpjekje qeveritare.

Në Shqipëri janë një sërë kompanish që prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si Mercedez Benz, KIA, Hyundai, Peugot, Renault, Fiat Group, Sumitomo Electric Industries, të cilat kanë rritur ndjeshëm eksportet vitet e fundit.

Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri, një kompani franceze që prodhon pjesë gome për industrinë e makinave, tha se, rikonceptimi i globalizimit është mjaft konkret dhe po diskutohet në të gjitha industritë. Vihen re interesime të shumë kompanive të sektorit tonë në lidhje më Shqipërinë. Por të gjitha këto kompani bëjnë një krahasim (benchmark) me të gjitha vendet e rajonit. Çabiri tha se, vendimi për të investuar në Shqipëri mbetet në aftësinë e Qeverisë për t’i bindur investitorët për avantazhet konkurrues të vendit tonë.

Mario Scarfalloto, menaxher i SEWS Cabind Albania që prodhon pjesë për sistemet elektrike të makinave tha, se situata e Ballkanit duket disi ndryshe, pasi në vend që të rriste praninë, pandemia i mbajti ata larg nga hyrja në Bashkimin Europian dhe tregoi që nuk është në një situatë të qëndrueshme ekonomike. Për këtë arsye është e nevojshme tani për të parë drejt BE-së dhe të jetë sa më afër me këtë treg, si dhe të nxisë ekonominë për të pasur rinisje të fortë.

Ercan Yagmur, administrator i Forschner Albania, kompani gjermane që prodhon sistemet kabllore të automjeteve, tha se nuk ka pasur hapa konkretë për transferuar njësi të prodhimit për industrinë automotive në Shqipëri. Efekti i mosfurnizimit në kohë dhe sasi, me lëndë të parë nga Kina, ka sjellë çoroditje të të gjithë zinxhirit të furnizimeve në sektorin automotiv, por sërish vërehet e njëjta varësi nga tregu aziatik, siç edhe ka qenë para se pandemia të fillonte në Bashkimin Europian.

Industria pesimiste për 2022

Industria automotive bën pjesë në grupin e sektorëve që nuk presin një vit edhe aq optimist në 2022. Shkak për këtë është bërë mungesa e lëndëve të para. Pritshmëria është e tillë në nivelet më të larta të prodhuesve të automobilave dhe shpërndahet njëtrajtësisht në të gjithë zinxhirin me të cilin kjo industri është e lidhur.

Pavarësisht fillimit të një viti të mirë në 2021-shin, tremujori i fundit i tij rezultoi me një shok të ri në industrinë e prodhuesve të automobilave. Alarmi ra fillimisht për mungesën e mikroçipave në treg, më pas për një seri lëndësh të para që kishin kërkesë të lartë në treg e disponueshmëri të ulët. Magnezi ishte i fundit që iu shtuar listës së kuqe me mungesa dhe u interpretua si një sinjal për rritjen e mëtejshme të kostove të prodhimit.

Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri, shprehet se në përgjithësi, viti 2021 stabilizoi kërkesën për automobila. Por, oferta nuk arriti të garantohej, sepse kompanitë e mëdha të prodhimit të automjeteve nuk gjenin në treg mjaftueshëm mikroçipa për të garantuar prodhimin sipas planit.

“Rrjedhimisht, kompanitë e prodhimit të makinave ulën kërkesën edhe për qindra pjesët e tjera që i duhen një automobili të përfunduar. Kjo ndodhi me të gjitha kompanitë e zinxhirit furnizues, përfshirë edhe Delmon Group, ku tremujori i katërt ishte ai më i vështiri, me rënie 50% të prodhimit” – pohon z. Çabiri.

Përfaqësuesit e kompanive të industrisë automotive në vendin tonë nënvizojnë njëzëri rritjen që kanë shënuar kostot e transportit në kanalet ndërkombëtare, por edhe brenda vendit, e lidhur kjo me çmimin e karburantit. Sipas përfaqësuesit të Forschner, kosto e importit të lëndës së parë nga zona e Azisë është rritur me më shumë se 50%, për shkak të reduktimit të fluturimeve, apo reduktimit të transporteve ujore.

Mario Scarfalloto, nga Sews Cabind Albania, pohon se për qëndrueshmëri në industrinë automotive, por edhe më gjerë, do të mund të flasim vetëm në vitin 2023.

“Mendoj se deri në momentin që i gjithë zinxhiri i furnizimit nuk do të jetë stabilizuar, situata do të vazhdojë njëlloj si tani, edhe në të ardhmen afërt. Sigurisht, ulja e konsumit të lëndëve të para (e nevojshme për shkak të mungesës së tyre) do të shkojë besoj pas 4-5 muajsh drejt stabilizimit. Kjo do të thotë se 6-mujori i dytë i vitit 2022 do të sjellë stabilizimin e tregut dhe rinisjen normale të ciklit të prodhimit. Ndaj parashikimi im është se 2022-shi do të jetë një vit i vështirë, dhe 2023-shi, një vit i qëndrueshëm” – thekson ai.

Një tjetër problematikë për bizneset në Shqipëri duket se është shfaqur në horizont së fundmi, e cila ka të bëjë me daljen në tregun e lirë të 7358 bizneseve. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka njoftuar se bizneset e lidhur në 20, 10 dhe 6 kv do të duhet të sigurojnë të vetëm energjinë nga janari 2022, duke i nxjerrë ato nga tregu i rregulluar.

Kjo do të thotë që bizneset do të duhet të përballen me çmime stratosferike që në disa muaj të veçantë arrijnë edhe trefishin e vlerës me të cilën ata e blinin energjinë në tregun e lirë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pësoi sulm në zemër në tribuna, vdes tifozi i Fulhamit

Story i radhës

Grubi: Ndryshimet Kodit zgjedhor dhe të Kushtetutës të vihen në tryezën e partive politike dhe jo në media

Të fundit nga