Atmosferë e bukur është krijuar të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Rreth 700 shikues kanë përcjellë nga afër derbin mes Trepçës dhe Prishtinës. Derbin e zjarrtë dhe interesant e ka fituar skuadra prishtinase me rezultat 31:27.
Prishtina ka shfaqur më shumë gjatë tërë ndeshjes si në mbrojtje ashtu edhe në sulm dhe në fund mori pikët.
Pas fillimit të barabartë, Prishtina u shkëput në pjesën e parë. Epërsia e saj shkoi deri në pesë gola, kurse rezultati pas pjesës së parë ishte 15:12.
Trepça barazoi në 16:16 në fillim të pjesës së dytë. Por më pas, prej minutës së 44-t e tutje, Prishtina sërish nisi shkëputjen dhe mbajti epërsinë deri në fund.
Oltion Beshiri i realizoi 10 gola për Prishtinën. Rron Ramadani i shënoi 5 gola, kurse nga 4 i kishin Enis Kuleta e Vlerson Zherka.
U dallua edhe portieri Cristiano Rossa.
Te Trepça më efikasi ishte Muhamet Dubovci me 10 gola.