Prezenca e qenve endacakë në pothuajse të gjitha rrugët e Prishtinës është duke u shndërruar në dukuri mjaft shqetësuese dhe po rrezikon jetën e qytetarëve. Ata ankohen se po ndihen të pasigurt që të lëvizin nëpër rrugët e kryeqytetit.
Zyrtarët komunalë thonë se Komuna tashmë ka hartuar një strategji afatgjate për të zgjidhur këtë problem, por sipas tyre, për këtë nevojitet një bashkëpunim ndërkomunal.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, tha se ditë më parë komuna e ka ndarë edhe një parcelë 10 hektarësh për strehimin e qenve, por vendimi është stopuar nga Ministria e Ambientit.
“Problemi i qenve endacakë nëpër rrugët e kryeqytetit jo vetëm që nuk është zgjidhur, por gjithnjë e më shumë po bëhet më shqetësues dhe me rrezik për jetën e qytetarëve”, tha ai.
Për këtë problem ende nuk është gjetur ndonjë zgjidhje e qëndrueshme. Bajram Gecaj, këshilltar i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, thotë për Radio Kosovën se Komuna tashmë ka kontraktuar një kompani të veterinerëve për trajtimin e këtyre qenve.
“Pra, ata i marrin qentë, i sterilizojnë, kastrojnë dhe i vaksinojnë dhe pastaj i lëshojnë në vendet ku janë marrë. Me këtë procedurë qenve iu zbutet agresiviteti”, tha AI.
Ndërsa duke folur për planin afatgjatë të zgjidhjes së këtij problemi Gecaj tha se Kuvendi Komunal ditë më parë ka ndarë një parcelë prej 10 hektarësh në një fshat në periferi të Prishtinës, por vendimi është stopuar nga Ministria e Ambientit me arsyetimin se nuk janë respektuar dispozitat ligjore që kërkohen nga kjo ministri.
“Ne e kemi aprovuar në Kuvend, por na është kthyer nga Ministria. Ne do të rregullojmë dokumentacionin dhe do të vazhdojmë me zbatimin e këtij projekti”, tha ai.
Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bëjnë të ditur se janë duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit rreth vendimit për caktimin e lokacionit për strehimin e kafshëve. Ata thonë se janë të gatshëm të japin sqarime rreth vlerësimit të ligjshmërisë së vendimit. MMPHI ka kërkuar rishqyrtimin e këtij vendimi, sepse ai është hartuar në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Ministria ka kërkuar nga Kuvendi i Komunës dhe kryetari i Komunës, që të ndërmarrin veprime konkrete që në afatin prej 30 ditësh aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi.
Ndërkohë Elza Ramadani, nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, thotë për Radio Kosovën se problemi i qenve endacakë është i vazhdueshëm, sepse mungon regjistrimi i qenve më pronarë. Ajo sqaron se strehimoret nuk e zgjidhin problemin. Sipas saj, burimi i problemit është braktisja e qenve, mbarshtërimi i pakontrolluar dhe shitja e pakontrolluar e qenve endacakë.
“Ne duhet ta trajtojmë burimin e problemit në mënyrë që pastaj efektet e tjera, mandate e të tjera si strehimi, kastrimi, adoptimi të kenë sukses. Ne e kuptojmë që qytetarët duan ambient pa qentë endacakë, por nëse duam të bëhemi si Zvicra, atëherë duhet të sillemi si zviceranë”, tha ajo.
Në tre muajt e parë të këtij viti në qendrat e mjekësisë familjare në kryeqytet, 108 persona kanë kërkuar trajtim si pasojë e sulmeve nga qentë endacakë. Rasti i fundit është regjistruar në oborrin e QKUK-ës ku tre mjekë janë sulmuar nga qenët endacak.