Një e pesta e territorit ukrainas është nën kontrollin e Rusisë, me Donbasin “pothuajse tërësisht të shkatërruar”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky teksa iu drejtua ligjvënësve të Luksemburgut të enjten.
“Nga sot rreth 20% e territorit tonë është nën kontrollin e pushtuesve, gati 125 mijë kilometra katrorë. Kjo është shumë më e madhe se sipërfaqja e të gjitha vendeve të Beneluksit së bashku”, tha Zelensky në Dhomën e Deputetëve të Luksemburgut përmes lidhjes video, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.
Zelensky tha gjithashtu se luftimet vazhdojnë përgjatë vijës së frontit që shtrihet në “më shumë se një mijë kilometra” përgjatë territoreve të rajonit të Kharkiv deri në Mykolaiv në jug të vendit. Ai shtoi se rajoni i Donbasit të Ukrainës është “thjesht i shkatërruar“, duke e quajtur atë “dikur një nga qendrat industriale më të fuqishme në Evropë”.
Zelensky pretendoi se më shumë se 30,000 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës më shumë se tre muaj më parë. CNN nuk mund t’i verifikojë ato numra. “Ky është më i madh se numri i vdekjeve të Bashkimit Sovjetik në 10 vjet luftë në Afganistan, më i madh se numri i të vdekurve të Rusisë në dy luftëra çeçene,” sipas Zelensky.
Zelensky foli në dhomë në ditën e 99-të të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Që nga shkurti, ai u është drejtuar dhjetëra asambleve parlamentare dhe institucioneve në mbarë botën, duke mbledhur mbështetje për Ukrainën.