Presidenti Stevo Pendarovski sot priti një delegacion të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, pjesëmarrës në takimin e dytë “Roli i deputetëve gjatë procesit të negociatave” në kuadër të projektit “Forcimi i ekspertizës dhe kapaciteteve të deputetëve në raport me BE-në procesi i anëtarësimit”, i cili mbahet në Shkup.
Presidenti Pendarovski u njoh me aktivitetet e planifikuara në kuadër të projektit, i cili realizohet me mbështetjen e Fondacionit Fridrih Ebert.
Në takim, presidenti Pendarovski theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave në fushën e integrimeve evropiane, duke pasur parasysh fillimin e njëkohshëm të negociatave për anëtarësim të dy vendeve.
Në takim u diskutua për situatën në rajon më të gjerë, përfshirë pushtimin rus në Ukrainë dhe krizën energjetike.