Presidenti kolumbian njofton protestë diplomatike pas sulmit me raketa ruse në Ukrainë

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka bërë të ditur se qeveria e tij do t’i dërgojë një notë protestë diplomatike Rusisë pasi tre qytetarët kolumbianë u plagosën në një sulm me raketa ruse në qytetin Kramatorsk të Ukrainës lindore që la 11 të vdekur dhe të paktën 56 të tjerë të plagosur, transmeton Anadolu.

Sergio Jaramillo, i cili shërbeu si kryenegociator i paqes për qeverinë kolumbiane, shkrimtari Hector Abad Faciolince dhe gazetarja Catalina Gómez Àngel kishin udhëtuar për një panair libri në Kiev dhe ishin brenda një restoranti në Kramatorsk kur raketa ra dje.

“Rusia ka sulmuar tre civilë kolumbianë të pambrojtur. Kështu shkel protokollet e luftës. Ministria e Punëve të Jashtme duhet të japë një notë proteste diplomatike. Presim kthimin e sigurt dhe të shëndoshë në shtëpitë e tyre të Sergio-s, Hector-it dhe Catalina-s”, shkroi Petro në Twitter.

Këto ishin deklaratat më të drejtpërdrejta të qeverisë së presidentit Petro, i cili deri më tani nuk i ishte referuar veprimeve të Rusisë.

Tre kolumbianët ishin në shoqërinë e shkrimtares ukrainase, Victoria Amelina, e cila sipas një deklarate nga Jaramillo dhe Faciolince, është në “gjendje kritike për shkak të një dëmtimi në kafkë”. Jaramillo, Faciolince dhe Gómez pësuan lëndime të lehta dhe u trajtuan në një spital lokal.

Raketa shpërtheu në një zonë të frekuentuar plot me ndërtesa apartamentesh, dyqane dhe restorante në qytetin Kramatorsk, që ndodhet në rajonin Donetsk. Deri më tani 11 persona kanë humbur jetën në sulm, përfshirë binjaket 14-vjeçare Yuliya dhe Anna Aksenchenko. Një vajzë 17-vjeçare po ashtu ka humbur jetën dhe një foshnjë ka pësuar lëndime në kokë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dënoi sulmin mbrëmë në një adresim të tij.

“Sot, terroristët rusë bombarduan brutalisht qytetin Kramatorsk me raketa ‘S-300’. Ngushëllimet e mia për familjarët dhe miqtë e të vrarëve”, tha Zelenskyy.

Agjencia ukrainase e inteligjencës tha se ka arrestuar një banor që dyshohet se ka ndihmuar në koordinimin e sulmit duke dërguar video pamjet e restorantit tek ushtria ruse.





Story i mëparshëm

Mot jostabil edhe në ditët e fundjavës

Story i radhës

Autokolonë makinash policie drejt Elbasanit, publikohen pamjet e megaoparacionit

Të fundit nga