Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka thënë se është i gatshëm të punojë drejt normalizimit të marrëdhënieve me SHBA-në, pavarësisht sanksioneve të vazhdueshme që kanë dëmtuar vendin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Venezuela është e gatshme, plotësisht e gatshme, të ndërmarrë hapa drejt një procesi të normalizimit të marrëdhënieve diplomatike, konsullore dhe politike me administratën aktuale të Shteteve të Bashkuara dhe me administratat që do të pasojnë”, tha Maduro të dielën në një intervistë të transmetuar në televizionin shtetëror venezuelas.
Deklaratat e Maduros erdhën pasi opozita e vendit votoi për të shpërndarë “qeverinë e përkohshme” të udhëhequr nga Juan Guaido, i cili ishte njohur si president nga shumë vende, përfshirë SHBA-në.
Maduro ndërpreu marrëdhëniet me Washington-in në vitin 2019, kur administrata e presidentit të atëhershëm Donald Trump njohu Guaidon si “president i përkohshëm” i Venezuelës.
SHBA-ja miratoi një sërë sanksionesh kundër Venezuelës, duke përfshirë embargo ndaj naftës, për të detyruar Maduron të largohej nga detyra.
“Ne jemi të përgatitur për dialog në nivelin më të lartë, për marrëdhënie respekti dhe uroj që një rreze drite të bie mbi SHBA-në, që ata të ndërrojnë faqen dhe të lënë mënjanë politikën e tyre ekstremiste, si dhe t’i kthehen një politike më pragmatike me respekt për Venezuelën”, tha ai.
Të premten, opozita venezuelase votoi për shpërbërjen e qeverisë së përkohshme të udhëhequr nga Juan Guaido, i cili e shpalli veten president të përkohshëm në 2019 për të rrëzuar presidentin e rizgjedhur Maduro. Ai kishte mbështetjen e shumë vendeve të Amerikës Latine dhe Perëndimore, veçanërisht të SHBA-së.