Përmes një videomesazhi të veçantë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, përshëndeti ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e Vitit 2024”, të FFK-së. I pari i futbollit botëror vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të futbollit kosovar dhe arritjet e shënuara që nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA në vitin 2016.
“I dashur President, i dashur Agim, të nderuar anëtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, të dashur mysafirë, miq të dashur. Çfarë kënaqësie të ju drejtohem përsërë në ceremoninë vjetore të Çmimeve të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Që kur Kosova iu bashkua FIFA-s në maj të vitit 2016, futbolli ka bërë përparime të jashtëzakonshme në vendin tuaj dhe ekipet tuaja tashmë kanë arritur disa rezultate shumë mbresëlënëse. I ndjeri Fadil Vokrri, presidenti juaj i atëhershëm dhe miku im i dashur, punoi aq shumë për të realizuar ëndrrën e anëtarësimit të Kosovës në FIFA dhe dua të filloj duke i bërë homazhe një lideri të madh dhe një futbollisti të madh.
Ky vit ka qenë një vit i shkëlqyer për futbollin në Kosovë, me ekipet e meshkujve dhe të femrave që aktualisht renditen në top 100 të renditjes së FIFA-s, duke arritur pozicionet më të larta ndonjëherë në renditje. Kjo, sigurisht, nuk ka ndodhur rastësisht, por është rezultat i punës fantastike që po bëhet nga Presidenti Ademi dhe nga të gjithë ju. Po bëhet shumë për t’u dhënë vajzave dhe djemve mundësinë për të luajtur futboll, për të ofruar kushte më të mira, për të rritur standardet, dhe jam i sigurt se, me mbështetjen e programit FIFA Forward, ka ende shumë për t’u bërë në të ardhmen.
Kur vizitova Kosovën në shtator të vitit 2022, u inkurajova shumë nga mënyra se si keni bashkëpunuar në mënyrë aktive me FIFA Forward për të zhvilluar futbollin në Kosovë, përmes futjes së VAR-it në futbollin vendas dhe instalimit të fushave me bar artificial për klubet e ligës. Pikërisht për këtë e kemi krijuar FIFA Forward, dhe kjo tregon se jemi – dhe ju jeni – në rrugën e duhur.
Për më tepër, në nëntor 2023, vitin e kaluar, ju lansuat strategjinë tuaj për futbollin e femrave, e cila synon të rrisë pjesëmarrjen dhe të përmirësojë standardet ndër lojtareve – një tjetër objektiv kyç për zhvillimin e futbollit. Unë e di që e ardhmja e futbollit në Kosovë është në duar të mira dhe shumë të afta, falë edhe mbështetjes së presidentes Vjosa Osmani dhe qeverisë së saj. Nuk kam asnjë dyshim se ju do të vazhdoni ta bëni lojën e bukur edhe më të bukur falë mendimit tuaj inteligjent dhe krijues, si dhe përmes vendosmërësisë dhe punës suaj të palodhur.
Ju tashmë keni shumë për çfarë të gëzoheni vitin e ardhshëm – dhe ju uroj suksese në fushatën e ardhshme të kualifikimeve për Kupën e Botës FIFA 2026, e cila për herë të parë do të përfshijë 48 ekipe. Dhe, sigurisht, urime – shumë urime për të gjithë fituesit e kësaj mbrëmje. Shihemi së shpejti në Kosovë”, ky është mesazhi i Infatinos.
Burimi: botasot.info