Presidenti i Azerbajxhanit, Aliyev: Problemi i Karabakut është mbyllur përgjithmonë

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se problemi i Karabakut është mbyllur përgjithmonë, raporton Anadolu.

Aliyev vizitoi qytetin Fuzuli në 3-vjetorin e çlirimit të tij nga pushtimi i Armenisë dhe u takua me qytetarët që janë kthyer në tokat e tyre stërgjyshore.

Gjatë bisedës me qytetarët, Aliyev rikujtoi se Fuzuli ashtu si edhe qytetet e tjera u shemb plotësisht nga armenët gjatë periudhës së pushtimit dhe se shteti i Azerbajxhanit pas pushtimit ka ndërtuar një qytet të ri këtu.

Ai tha se në qytet janë rikthyer dhe janë vendosur mbi 800 banorë të Fuzulit. “Deri në fund të vitit në Fuzuli do të jetojnë rreth 2.000 persona. Në fund të vitit 2026 në fazën e parë të Programit të Kthimit të Madh në Fuzuli do të jenë rikthyer 22 mijë qytetarë. Deri në këtë periudhë në Karabak dhe Zangezurin Lindor do të jenë të vendosur në përgjithësi 140 mijë njerëz”, tha Aliyev.

“Në periudhën e pushtimit disa vende të huaja janë përpjekur të bindin Azerbajxhanin që të hiqte dorë nga Karabaku”, rikujtoi Aliyev i cili tha se “Thonin se problemi nuk ka zgjidhje përmes luftës. Ne vërtetuam se mund të zgjidhet (përmes luftës) dhe çështja u mbyll. Problemi i Karabakut është mbyllur përgjithmonë. Kapitulli i separatistëve është mbyllur përgjithmonë”.

Ai vuri në dukje se fitoren ua detyrojnë ushtarëve heronj që sakrifikuan jetën për vendin dhe se nuk do t‘i harrojnë kurrë dëshmorët.

Qendra e qytetit Fuzuli dhe shumica e fshatrave të tij u pushtuan nga ushtria e Armenisë në vitin 1993. Në Fuzuli që ka një sipërfaqe prej 1.386 kilometra katrorë jetonin 144 mijë azerbajxhanas para pushtimit.

Fuzuli ka dhënë mbi 1.100 dëshmorë kundër forcave armene në vitet 1990. Në sulmet e forcave armene u plagosën rreth 1.500 qytetarë të Fuzuliit ndërsa 155 fëmijë humbën prindërit e tyre.

Ushtria e Azerbajxhanit e çliroi qytetin Fuzuli nga pushtimi më 17 tetor 2020.





Story i mëparshëm

Twitch shton historitë në aplikacionin mobil

Story i radhës

Rrëzimi i komisioneve hetimore dhe përjashtimi i deputetëve, Bardhi mbledh demokratët

Të fundit nga