Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan priti në një takim kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Kryesia e Komunikimeve të Presidencës thuhet se në takimin e mbajtur në Türkevi (Shtëpinë Turke) u diskutua për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve si dhe zhvillimet e fundit lidhur me mosmarrëveshjet Izrael-Palestinë.
Erdoğan tha se Türkiye mund të bëjë me Izraelin punime të përbashkëta në fushën e energjisë, teknologjisë, inovacionit, inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike dhe shtoi se duhet të punohet së bashku për një botë ku do të mbizotërojë paqja.
Në takim presidenti Erdoğan u shoqërua nga ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, Zëdhënësi i AK Partisë, Ömer Çelik, kreu i Inteligjencës turke MIT, İbrahim Kalın, kreu i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun dhe kryekëshilltari i presidentit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çağatay Kılıç.
Në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale pas takimit, Erdoğan tha: “Në kuadër të takimeve të Asamblesë së 78-të të Përgjithshme të OKB-së, realizuam takim me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu. Urojmë që konsultimet tona të jenë të dobishme për vendin dhe rajonin tonë”.