Presidenti Joe Biden tha të hënën se “ndihet më mirë çdo ditë” ndërsa po shërohet nga infektimi me koronavirusin, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë po planifikon një takim të martën për të diskutuar rreth një gjenerate të re vaksinash që do të mundet të mbrojë me më shumë efektshmëri ndaj varianteve ngjitëse.
Pasi mori pjesë në një takim virtual për të biseduar për prodhimin e mikroqarqeve të kompjuterave, Presidenti Biden tha se sipas testeve mjekësore që i bëhen çdo mbrëmje, gjithçka është në formën e duhur. Ai gjithashtu tha se po bën gjumë më mirë, duke bërë shaka se iu desh ta zgjonte qeni të hënën, që është dita e tij e katërt e izolimit nga COVID-i.
“Gruaja ime nuk është këtu; zakonisht ajo e nxjerr përjashta”, tha Presidenti Biden. Pak përpara orës 7 në mëngjes, ai tha se ndjeu “hundën e qenit në kraharor”. Zonja e Parë Jill Biden është duke qëndruar tek shtëpia e familjes në Delaware, ndërsa presidenti është izoluar në rezidencën në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Biden tha se zëri vazhdon të jetë i ngjirur dhe se ende kishte bllokim të hundëve, por se është drejt “shërimit të plotë, dashtë Zoti”.
Presidenti Biden mbajti gjithashtu një fjalim të regjistruar paraprakisht në konferencën e Organizatës Kombëtare të Drejtuesve Afrikano-Amerikanë të Zbatimit të Ligjit, në Orlando, Florida. Ai foli për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
“Çdo ditë mbështetemi tek (strukturat) e zbatimit të ligjit për të shpëtuar jetët. Dhe në 6 janar, u mbështetëm tek forcat e zbatimit të ligjit për të shpëtuar demokracinë tonë”, tha Presidenti Biden në fjalimin e regjistruar paraprakisht.
Presidenti, i cili rezultoi pozitiv të enjten e kaluar, ka të ngjarë të jetë infektuar nga varianti BA.5. Një shënim i ri të hënën nga mjeku i Presidentit Biden, Dr. Kevin O’Connor, thotë se simptomat e tij janë “pothuajse plotësisht të fashitura” dhe treguesit jetësorë të tij mbeten “absolutisht normalë”.
E marta – dita e pestë e izolimit të Presidentit Biden në katin e dytë, ose zonën e banimit, të Shtëpisë së Bardhë – do të jetë një moment i rëndësishëm në rrugën e tij drejt rimëkëmbjes së vazhdueshme.
Dr. Ashish Jha, koordinator i përgjigjes së Shtëpisë së Bardhë ndaj COVID-19, tha se Presidenti Biden do të jetë në gjendje të dalë nga izolimi nëse ai rezulton negativ për virusin të martën nga një test i shpejtë antigjeni, por do të vazhdojë të mbajë maskë gjatë ditëve të ardhshme.
I pyetur se çfarë me çfarë lloj orari do të punonte më pas Presidenti Biden, Dr. Jha u përgjigj: “Të shohim kur të dalë negativ”.
Takimi i së martës për vaksinat, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të administratës, shkencëtarë dhe drejtues të kompanive farmaceutike, vjen ndërsa vendi përballet me një rritje të infeksioneve nga BA.5, një variant që është degëzim i llojit Omicron.
Megjithëse gjenerata aktuale e vaksinave, të kombinuara me ilaçet antivirale, kanë ndihmuar në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve, ka shpresa se versionet e reja mund të ofrojnë mbrojtje më të qëndrueshme ndaj infektimeve./Voa/