Granatimet ruse thyen trupin e një gjysheje ukrainase.
Antonina Budnyk, 60 vjeçare, humbi një këmbë, një sy, disa gishta – por jo shpirtin e saj.
E shtrirë në një shtrat në spital në qytetin e Chernihiv, ajo tha: “Mendoj se do të jem mirë. Do të jem sërish e shëndetshme. Do të kërcej! Dhe Ukraina do të jetë vendi më i mirë!”
Antonina Budnyk, 60 vjeçare
Ajo është një nga qindra të plagosurat pasi tanket ruse u përpoqën, por nuk arritën të kapnin këtë qytet, i cili qëndron afër kufirit të Ukrainës me Rusinë dhe Bjellorusinë, raporton Sky News, përcjell Bota sot.
Qyteti pësoi javë të tëra bombardimesh të rënda përpara se forcat ruse të tërhiqeshin disa ditë më parë, duke hequr një rrethim që i kishte detyruar banorët të struken në shtëpi dhe në spitale.
Ata kishin shanse të kufizuara për të shpëtuar, madje edhe ata me lëndime serioze për jetën.
Të mërkurën, megjithatë, pati sërish trafik në rrugët brenda dhe jashtë Chernihiv.
Urat rrethuese, të shkatërruara në luftime, janë rregulluar me dërrasa të improvizuara, duke lejuar që makinat, furgonët dhe madje edhe kamionët të kenë akses në mënyrë të pasigurt.
Chernihiv është qyteti më i madh ukrainas që u çlirua pasi u rrethua.
Megjithatë, banorët shpresojnë se nuk do të ketë më luftime në Chernihiv.