Prej nesër fillon aplikimi për subvencione për biçikleta dhe trotinete elektrike

min lexim

Qyteti i Shkupit në ueb-faqen e tij nesër do të publikojë dy Thirrje publike për subvencionimin e qytetarëve në territorin e qytetit të Shkupit për blerjen e biçikletave në vitin 2022, si dhe për subvencionimin e qytetarëve në territorin e qytetit të Shkupit për blerjen e trotineteve elektrikë në vitin 2022, gjë për të cilën mund të aplikojnë qytetarët.
Qëllimi i thirrjeve publike është përmirësimi i cilësisë së mjedisit jetësor, përkatësisht përmirësimi i cilësisë së ajrit në qytetin e Shkupit dhe përmirësimi i shëndetit të njerëzve, nëpërmjet stimulimit të qytetarëve të qytetit të Shkupit për përdorimin e biçikletave dhe trotineteve elektrike, gjë që do të zvogëlonte ndotjen e shkaktuar nga trafiku rrugor.
Mjetet që Qyteti i Shkupit do t’i subvencionojë për biçikleta janë në vlerën 50% të vlerës së një biçiklete, por jo më shumë se 4.000,00 denarë për person, përfshirë tatimin mbi të ardhurat personale.
Për trotinetet elektrike mjetet që do të subvencionojë Qyteti i Shkupit janë në vlerën 30% të vlerës së një trotineti elektrik, por jo më shumë se 8.000,00 denarë për person, përfshirë tatimin mbi të ardhurat personale.
Informacione më të detajuara për të drejtën për pjesëmarrje në thirrjet publike, kushtet që duhet të plotësojë aplikuesi, mënyrën e aplikimit, mënyrën e realizimit të thirrjeve, si dhe mënyrën e realizimit të së drejtës për kompensim, qytetarët mund të marrin në ueb-faqen e Qytetit të Shkupit www.skopje.gov.mk.
Përveç informacioneve, qytetarët nga nesër në ueb-faqen e Qytetit të Shkupit do të mund të shkarkojnë edhe formularin e Kërkesës për subvencionim për blerje, si dhe formularin e Deklaratës, e cila duhet të jetë e noterizuar. Thirrjet publike do të shpallen veçmas në ueb-faqen e Qytetit të Shkupit, ndërsa dokumentacioni përkatës mund të depozitohet pranë Arkivit të Qytetit të Shkupit.
Thirrja publike do të zgjasë deri më 01.11.2022 ose deri në shterimin e mjeteve financiare të parashikuara nga Buxheti i Qytetit të Shkupit për këtë qëllim, në varësi të faktit se cili kusht do të paraqitet i pari.
Qyteti i Shkupit për vitin 2022 ka siguruar më shumë mjete për subvencione, përkatësisht vetëm për këto thirrje publike janë parashikuar 12 milionë denarë për subvencione për biçikleta dhe 3 milionë denarë për trotinete elektrike.
Për më shumë informacione në lidhje me thirrjet publike, qytetarët e interesuar mund të drejtohen në Sektorin për Mbrojtjen e Mjedisit të Qytetit të Shkupit në numrin e telefonit 02/3297- 303.

Story i mëparshëm

Cristiano Ronaldo blen vilën luksoze në Portugali

Story i radhës

Grevat paralizojnë disa komuna, Ministria e Financave do të ndalojë pagesat

Të fundit nga