Gjykata e Lartë pritet të shprehet të hënën në lidhje me njëhsimin e praktikës gjyqësore sa i takon kushteve dhe kritereve për aplikimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Burime bëjnë me dije se në mesditë, Kolegjet e Bashkuara do të japin vendimin mbi rekursin e Prokurorisë së Apelit Tiranë për rastin e Bektesh Zenelit. Ky rast u bë shkak për mbledhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për të vendosur nëse do të ndryshohet ose jo vendimi njëhsues i vitit 2011, të cilit i referohen aktualisht organet gjyqësore për caktimin e masës “arrest në burg”.
Së bashku me vendimin, pritet që në seancën publike të shpallet edhe qëndrimi përfundimtar i Kolegjeve të Bashkuara. Megjithatë, ende nuk dihet se si janë ndarë votat e 16 gjyqtarëve, pro dhe kundër.
Për të miratuar ndryshimin, nevojitet që shumica e gjyqtarëve të votojnë në favor të iniciativës së ndërmarrë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Burimi: botasot.info


