Polonia ka nisur ndërtimin e një muri 186 km të gjatë në kufi me Bjellorusinë

Polonia ka nisur punën për ndërtimin e një muri në kufi me Bjellorusinë me synimin për të parandaluar kalimin e emigrantëve.

Mësohet se muri do të jetë i lartë 5.5 metra dhe do të ketë një shtrirje prej 186 km. Ndërtimi i tij do të përfundojë në muajin qershor.

Ky vendim i qeverisë polake ka ngritur shqetësim në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe pamundësinë e emigrantëve për të kërkuar azil, por edhe për ndikimin që do të ketë në jetën e egër të kafshëve, veçanërisht përgjatë kufirit të pyllëzuar.

“Qëllimi ynë është të zvogëlojmë shkallën e dëmit sa të jetë e mundur. Prerja e pemëve do të jetë e vogël dhe muri do të ndërtohet përgjatë rrugës kufitare, si dhe kontraktorët do të përdorin vetëm rrugët ekzistuese”, tha zëdhënësja e Gardës Kufitare, Anna Mihalska.

Vitin e kaluar, mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, kaluan ose u përpoqën të kalonin kufirin nga Bjellorusia në Poloni.

Perëndimi fajësoi regjimin bjellorus për fluksin e madh të emigrantëve, duke deklaruar se kishte inkurajuar emigrantët të fluturojnë drejt Bjellorusisë, me premtimin se do të kalonin lehtësisht drejt vendeve të BE-së.

Më herët, Polonia e ka denoncuar krizën e emigrantëve si një sulm i realizuar nga Bjellorusia dhe aleati i saj kryesor, Rusia. Që nga ajo kohë, Bjellorusia ka riatdhesuar mijëra emigrantë në Irak. Në mes të krizës, vitin e kaluar, Polonia dërgoi mijëra trupa ushtarake dhe policë në kufi për të përforcuar patrullimet kufitare.

Gjithashtu, ndërtoi edhe një gardh teli përgjatë pjesës më të madhe të kufirit, duke mbyllur zonën kufitare për mediat dhe grupet e të drejtave të njeriut. Polonia miratoi edhe një ligj të ri që detyronte emigrantët të kthehen në Bjellorusi.

Edhe pse numri i tentativave për të thyer kufirin ka rënë ndjeshëm, ka ende disa raste të izoluara për të kaluar, pavarësisht motit të ftohtë.

Shërbimi i Rojës Kufitare të martën njoftoi në Twitter se ka pasur 17 kalime në 24 orët e fundit.

“Një grup prej 14 personash, 11 iranianë, dy libanezë dhe një sirian, prenë gardhin dhe kaluan në Poloni”, thanë rojet kufitare.

Ata u arrestuan së bashku me tre persona të tjerë nga Gana, të cilët kishin kaluar në një pjesë tjetër të kufirit.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ku duhet të fokusohen shenjat e Horoskopit më shumë gjatë 2022

Story i radhës

Kovaçevski: Nuk do ta harrojmë kurrë dorën e zgjatur të Bullgarisë në përmbytjet dhe zjarret e mëdha në vendin tonë

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish