Nuk duhet vonuar dhe as nuk duhet që të tregohemi besnik dhe as fanatik ndaj politikës, por publiku duhet ta braktisë menjëherë të keqen politike dhe keqbërësit politik e publik sapo të zbulohen e të dalin në dritë të vërtetat mbi korrupsionin, hajnitë, zullumet, mashtrimet e tradhtitë e politikës, pushtetit dhe të politikanëve shqiptarë kushdo qofshin ata dhe të çdo kohe kur ata kanë bërë zullumet.
Nuk duhet që ta falim politikisht korrupsionin dhe tradhtinë e as bartësit e tyre sepse ato kërcënojnë shtetin e shoqërinë.
Shqiptarët gjithmonë mbetën të zhgënjyer nga politika dhe nga politikanët e tyre. Kjo sepse gjithmonë interesat e tyre, pra interesat e politikanëve shqiptarë kanë tradhtuar interesin publik dhe atë kombëtar.
Politikanët shqiptarë për pushtet, për pasuri e për paranë janë treguar të gatshëm për të bërë çdo paturpësi dhe nuk e kanë për asgjë që edhe të shpërfytyrohen, të ç burrërohen, të dalin ngjyre e boje dhe të ç fisnikërohen.
Ata përdorin të gjitha marifetet për t’ia arritur qëllimit dhe interesit personal duke manipuluar, mashtruar, gënjyer e deri edhe duke tradhtuar interesin kombëtar.
Shqiptarët duke besuar te ndryshimi dhe te politika, ata detyrimisht i kanë besuar politikanëve të vet duke i votuar, por sido dhe këdo që ata zgjodhën dhe i votuan të gjithë një surrat e një pafytyrësi patën deri më sot si: korrupsionin, hajninë, hipokrizinë, mashtrimin, tradhtinë dhe zullumin.
Madje edhe atyre te të cilët shqiptarët patëm më shumë besim e shpresë, prej tyre shqiptarët e pësuan keq e më keq.
Tani shqiptarët nuk dinë më se kujt t’i besojnë sepse të gjithë janë antihuman, antikombëtarë, të korruptuar e hajdutë njësoj.
Këtë po e vërtetojnë edhe vetë politikanët, shtetarët e pushtetarët të cilët akuzojnë njëri-tjetrin po për të njëjtat gjëra: për korrupsion, për vjedhje, për mashtrime e për tradhti kombëtare, për spiunë e agjentë të huaj.
Pra, politika dhe politikanët shqiptarë janë të papërgjegjshëm kombëtarisht, të paparashikueshëm politikisht dhe të pabesueshëm publikisht e ndërkombëtarisht dhe fatkeqësisht edhe të pandëshkueshëm ligjërisht për të gjitha ato zullume, hajni e poshtërsi që kanë kryer.
Koha po nxjerr në dritë të gjitha poshtërsitë e politikës e të politikanëve shqiptarë, por deri më sot asnjë prej tyre nuk është dënuar e as ndëshkuar.
Prandaj shqiptarët kanë shpresë e besim vetëm te SHBA-të, pasi çdo gjë që vjen prej tyre është e vërtetë dhe në të mirë të shqiptarëve si VETING-u në drejtësi, ashtu edhe dekomunistifikimi e dekriminalizimi i politikës, ashtu edhe sanksionet dhe shpalljet “non grata” të personazheve VIP të politikës e pushtetit me rekorde korrupsioni e krimi.