Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përgatitur një plan operativ dhe ka realizuar të gjitha planifikimet e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në një komunikatë drejtuar mediave, Policia ka theksuar se për të siguruar rendin dhe zhvillimin e paqëndrueshëm të procesit zgjedhor, është planifikuar angazhimi i një numri të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë, kryesisht ata që merren me rendin publik.
Megjithatë, në rast nevoje, mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë nga njësitet e tjera, të cilët kanë profile të ndryshme dhe janë pjesë e strukturave të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.
Plani operativ është i ndarë në katër faza, ku përfshihen: Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, garantimi i sigurisë në gazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z), dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK’së, të materialit sensitive e deri në përfundim të procesit.
“Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, ka caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor”, thuhet në komunikatë.
Burimi: botasot.info